,,Qasje në edukim për diabetin”

Diabeti është një sëmundje kronike metabolike që karaterizohet me nivele të larta të glukozës në gjak për shkak të mungesës ose tajitjes së çrregulluar të insulinës nga pankreasi. Nivelet e larta të sheqerit në gjak shkaktojnë dëmtime të rënda të zemrës, enëve të gjakut, veshkave, syve dhe nervave. Edhe 100 vjet pas zbulimit të insulinës, miliona njerëz me diabet në mbarë botën nuk kanë akses në kujdes shëndetësor adekuat. Dita Botërore e Diabetit jep një mundëpsi për ngritjen e vetëdijes për diabetin si një çështje kryesore e shëndetit publik  dhe për atë se çfarë duhet bërë, bashkërisht dhe individualisht, për të arritur një parandalim, diagnostikim dhe trajtim më të mirë të kësaj gjendjeje. Tema e Ditës Botërore të Diabetit 2021-2023 është “Qasja në edukim për diabetin”.

Në mbarë botën rreth 463 milionë njerëz vuajnë nga diabeti dhe pjesa më e madhe e tyre jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në vitin 2019, rreth 9.3% e popullsisë së botës ka pasur diabet dhe me rritjen lineare ndër vite, supozohet se kjo shifër deri në vitin 2045 do të rritet në 11%.[1] Po atë vit diabeti ishte shkaktar i rreth 1.5 milionë vdekjeve, ndërkohë që 2.2 milionë vdekje të tjera iu atribuuan hiperglikemisë në gjak.[2] Kjo e bën diabetin një nga shkaqet kryesore të vdekjes tek njerëzit. Zgjerimi i madh i epidemisë së diabetit është i lidhur ngushtë me rritjen e faktorëve të rrezikut. Rritja e faktorëve të rrezikut nga diabeti tek fëmijët dhe adoleshentët është alarmante. 42 në 100 adoleshentë dhe 36 nga 100 fëmijë janë mbipeshë, ndërsa 81 nga 100 adoleshentë nuk kanë aktivitet të mjaftueshëm fizik.[3]

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut sipas regjistrit për diabetin për vitin 2021 të publikuar nga Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, numri i rasteve të reja të diabetit është 7.460, pra një incidencë prej 359,9 /100.000, ndërsa prevalenca e përgjithshme është 135.690  raste, një shkallë prej 6.547/100.000.

Diabeti i tipit 1

Diabeti i tipit 1 (diabeti i varur nga insulina, diabeti juvenil ose pediatrik) karakterizohet nga një mungesë e plotë e sekretimit të insulinës nga pankreasi dhe kërkon administrim të përditshëm të insulinës. Shkaqet janë të panjohura, por mendohet se ndodh shkatërrimi autoimun i qelizave β të pankreasit. Simptomat kryesore janë ekskretimi i shtuar i urinës (poliuria), etja (polydipsia), uria (polifagia), humbja e madhe e peshës trupore, lodhja etj.

Diabeti i tipit 2

Diabeti i tipit 2 (diabeti i pavarur nga insulina) është rezultat i përdorimit joefikas të insulinës nga trupi. Mungesa e aktivitetit fizik, mbipesha, dieta dhe historia familjare janë shkaqet kryesore të diabetit të tipit 2. Simptomat kryesore janë përgjithësisht të ngjashme me ato të diabetit të tipit 1, por shpesh janë më pak të theksuara. Si rezultat, sëmundja mund të diagnostikohet disa vite pas fillimit, pas shfaqjes së komplikime. Prandaj, është e rëndësishme t’u kushtohet vëmendje faktorëve të rrezikut. Diabeti i tipit 2 gjithnjë e më shumë po shfaqet tek të rinjtë.

 

Diabeti gestacional

Diabeti gestacional është një gjendje me nivele të larta të sheqerit në gjak, por nën ato vlera diagnostike për diabetin. Paraqitet gjatë shtatzënisë. Gratë me diabet gestacional janë më të rrezikuara nga komplikimet gjatë shtatzënisë dhe lindjes. Tek këto gra dhe fëmijët e tyre ekziston rreziku i paraqitjs së diabetit të tipit 2 në të ardhmen.

Çrregullimi i tolerancës ndaj glukozës (IGTdhe glikemia paradiabetike (IFG)

Këto gjendje paradiabetike paraqesin një fazë kalimtare drejt diabetit, edhe pse mund të jenë edhe vetëm kalimtare. Ato karakterizohen me një rritje të nivelit të glukozës në gjak, por të pamjaftueshëm për të diagnostikuar diabetin. Njerëzit me paradiabet mund të parandalojnë diabetin e tipit 2 me një dietë të shëndetshme, rritjen e nivelit të aktivitetit fizik dhe menaxhimin e stresit.

Për momentin Diabeti i tipit 1 nuk mund të parandalohet. Ekzistojnë qasje efektive për të parandaluar diabetin e tipit 2, si dhe për të parandaluar komplikimet dhe vdekjen e parakohshme. Ato përfshijnë edhe masa për kursimin e shpenzimeve për popullatën që mund të praktikohen edhe në kushte të caktuara (shkollë, shtëpi, vend pune), pavarësisht nëse kanë diabet apo jo, si aktiviteti i rregullt fizik, ushqimi i shëndetshëm, shmangia e duhanit, kontrolli i tensionit të gjakut dhe yndyrnave në jak, përdorimi i barnave në rast nevoje, me qëllim përmirësimin e shëndetit dhe parandalimin e komplikimeve. Diabeti i patrajtuar shfaqet me një sërë komplikimesh për shkak të dëmtimit të enëve të vogla të gjakut në sy (retinopati që mund të çojë në verbëri), veshkave (nefropati), nervave (neuropatisë), ulçerave dhe infeksioneve të këmbëve, sëmundjeve kardiovaskulare, goditjes në tru etj.

Çfarë mund të bëjmë që ta kontrollojmë diabetin?

  • Parandalimi i diabetit dhe faktorëve të rrezikut të tij, sidomos mbipesha/obeziteti dhe aktiviteti i pamjaftueshëm fizik.
  • Skrining për diabetin të popullatës së përgjithshme dhe monitorim nga afër i popullatës së rrezikuar.
  • Përmirësimi i kapaciteteve diagnostikuese të shërbimeve shëndetësore për diabetin.
  • Monitorimi i vazhdueshëm i personave që jetojnë me diabet.
  • Qasja në edukim cilësor për diabetin, i cili siguron trajnim adekuat të ekipit shëndetësor, njerëzve që jetojnë me diabet, të afërmve të tyre, kujdestarëve të tyre dhe shoqërisë në përgjithësi.
  • Qasja në barnat dhe teknologjitë themelore për diabetin, përfshirë këtu edhe insulinën.
  • Sisteme informative për mbledhjen e të dhënave për monitorimin dhe mbikëqyrjen e diabetit.

 

Përgatiti: DEPARTAMENTI I PROMOVIMIT TË SHËNDETIT DHE I NDJEKJES SË SËMUNDJEVE

 

[1] https://www.statista.com/statistics/271464/percentage-of-diabetics-worldwide/

[2] https://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/diabetes

[3] https://www.paho.org/en/campaigns/world-diabetes-day-2022