Organizmat e modifikuar gjenetikisht (OMGJ) dhe ushqimi i modifikuar gjenetikisht
Organizmat e modifikuar gjenetikisht (OMGJ) definohen si organizma (bimë, kafshë ose mikroorganizma) tek të cilat materiali gjenetik (ADN) është ndryshuar në mënyrë e cila nuk shfaqet në mënyrë të natyrshme me riprodhim dhe /ose me rikombinim natyral. Në të shumtën e rasteve teknologjia njihet si “bioteknologji moderne” ose “teknologjia e gjenit”, ndonjëherë edhe si “Teknologjia e rikombinuar e ADN-së” ose “inxhieneria gjenerike”. Kjo mundëson që gjene të caktuara të përzgjedhura të përcillen nga një organizëm tek një tjetër, të kombinohen mes sojeve që nuk janë të përsosura. Ushqimi i prodhuar nga ose me përdorimin e OMGJ njihet si ushqim i modifikuar gjenetikisht.
Pse prodhohet UMGJ?
Qëllimi i prodhimit të UMGJ është që të fitohet produkt me çmim më të ulët, me afat përdorimi më të gjatë ose me vlera më të mëdha ushqyese. Procesi ka filluar nga prodhues të farave MGJ që ka pasur për qëllim që farat e tyre të jenë më të pranueshme nga bujqërit dhe janë orientuar drejt zbulimeve të cilat mundësojnë përfitime të drejtpërdrejta për bujqërit, në kuptimin e rendimenteve më të larta. Një nga qëllimet e zhvillimit të bimëve mbi bazë të OMGJ është të përmirësohet mbrojtja e bimëve nga sëmundjet, duke u mundësuar bimëve rezistueshmëri më të madhe ndaj sëmundjeve të shkaktuara nga insektet, virusët ose duke e zmadhuar tolerancën e tyre ndaj herbicidëve.
Rezistueshmëria e bimëve ndaj insekteve është arritur me integrimin e gjenit për prodhimin e toksinave nga bakteri Bacillus thuringiensis (Bt). Ky toksin për momentin po përdoret si insketicid konvencional dhe nuk paraqet rrezik për ushqimin për njerëzit. Për sojet MGJ të cilët e prodhojnë këtë toksin është vërtetuar se nevojiten sasi më të vogla të insekticideve në situata të caktuara, si për shembull në rastet ku presioni i keqbërësve është më i lartë. Rezistueshmëria ndaj virusëve arrihet me integrimin e gjenit të disa viruseve të caktuara të cilat shkaktojnë sëmundje tek bimët. Rezistueshmëria e virusit i bën bimët më pak të prekshme nga sëmundjet të shkaktuara nga ato viruse, që ka si rezultat rendiment më të lartë.
Toleranca ndaj herbicidëve është arritur përmes integrimit të gjenit të bakterit që ka rezistueshmëri ndaj herbicideve. Në rastet kur presioni i farave të këqija është i madh, përdorimi i kulturave të këtilla ka pasur si rezultat zvogëlimin e sasisë së herbicideve të përdorura.
A vlerësohet siguria e UMGJ ndryshe nga ajo e ushqimit konvencional?
Konsumatorët zakonisht mendojnë se ushqimet konvencionale, për të cilat ka evidencë se kanë qenë të sigurta për konsumim në të kaluarën janë të sigurta. Gjithmonë kur janë zhvilluar lloje të reja të bimëve që përdoren për ushqim, duke i përdorur metodat tradicionale për kryqëzim para përdorimit të teknologjisë gjenetike, ka ndodhur që disa nga karakteristikat e bimëve të ndryshojnë, qoftë nga aspekti negativ apo ai pozitiv. Por, një gjë e tillë nuk paraqet shqetësim tek konsumatorët dhe te organet udhëheqëse të shtetit.
Përkundrazi, një pjesë e madhe e udhëheqësive të vendeve të ndryshme mendojnë se UMGJ i duhet bërë doemos disa vlerësime specifike. Janë ndërtuar sisteme specifike për vlerësim rigoroz të OMGJ dhe UMGJ në raport me shëndetin e njeriut dhe me mjedisin jetësor. Në përgjithësi, vlerësime të ngjashme nuk zbatohen për ushqimet konvencionale. Prandaj, për momentin, ekziston një dallim i madh në procesin e vlerësimit të këtyre dy grupeve të produkteve ushqimore.
Si zbatohet vlerësimi i sigurisë të UMGJ?
Vlerësimi i sigurisë të UMGJ kryesisht fokusohet tek:
а. efektet ndaj shëndetit (toksiciteti),
b. potenciali për të shkaktuar reaksion alergjik;
c. përbërësit specifik për të cilat mendohet se kanë vlera ushqyese ose veti toksike;
d. stabiliteti i gjenit të integruar;
e. efektet nutritive lidhur me modifikimin gjenetik, dhe
f. çfarë do efektesh të padëshiruara të cilat mund të jenë si rezultat i integrimit të gjenit.
Cilat janë çështjet kryesore që kanë të bëjnë me shëndetin e njeriut?
Sa i përket shëndetit të njeriut – konsumatorit, punën hulumtuese shkencore e nxisin tre hipoteza: reaksioni alergjik, transferimi i gjenit dhe kryqëzimi.
Reaksioni alergjik
Nga ana e OBSH dhe FAO janë zhvilluar protokolle ose udhëzues për vlerësimin e vetive alergjene të llojeve të reja të bimëve të cilat përmbajnë OMGJ, ndërsa ushqimi i zhvilluar me metoda tradicionale për kultivim nuk testohet për alergjenë. Vlerësimi i këtyre analizave ka treguar se deri më tani nuk janë vërtetuar efekte alergjike tek UMGJ i cili po tregëtohet për momentin.
Përcjellja e gjenit
Përcjellja ose transferi i gjenit nga UMGJ tek qelizat e trupit ose tek bakteret e traktit gastrointestinal paraqet një shqetësim nëse materiali gjenetik i transferuar ndikon negativisht ndaj shëndetit të njeriut. Kjo ka një rëndësi të veçantë për gjenet për rezistencë ndaj antibiotikëve, të cilët përdoren si markerë gjatë krijimit të OMGJ, e të cilët mund të përcillen tek bakteriet ose qelizat e organizmit të njeriut. Edhe pse mundësia për transfer është e vogël, kjo nxit përdorimin e një teknologjie për transferin e gjeneve e cila nuk përdor gjene për rezistencë ndaj antibiotikëve.
Kryqëzimi- outcrossing
Migrimi i gjeneve nga bimët MGJ tek kulturat konvencionale ose tek llojet e ngjashme në mjedis (i ashtuquajturi “kryqëzim”), si dhe përzierja e kulturave të fituara nga farat konvencionale me sojet MGJ, mund të ketë ndikim të tërthortë ndaj sigurisë së ushqimit. Janë raportuar raste të sojeve MGJ të cilat përdoren si ushqim për kafshët ose për përdorim në industri, të njëjtat janë zbuluar në sasi të vogla tek produktet që përdoren si ushqim për njeriun. Për këtë arsye disa vende kanë miratuar strategji për zvogëlimin e përzierjes, përfshirë këtu edhe një ndarje të qartë të fushave në të cilat kultivohen kultura MGJ nga ato ku kultivohen kulturat konvencionale.
Çështje me interes për mjedisin jetësor?
Aftësia e OMGJ për të dalë jashtë kontrollit dhe për t’i integruar gjenet tek kulturat konvencionale; perzistenca e gjenit të OMGJ pas korrjes, ekspozimi i organizmave të tjerë të gjallë (për shembull, insekteve të tjerë të gjallë të cilët nuk janë keqbërës) ndaj materialit gjenetik; qëndrueshmëria e gjenit; zvogëlimi i spektrit të bimëve të tjera, gjegjësisht zvogëlimi i diversitetit biologjik; dhe përdorimi më i madh i kemikalieve në bujqësi. Ndikimi i sojeve MGJ ndaj mjedisit jetësor në masë të madhe varet nga kushtet lokale.
A është i sigurt UMGJ?
OMGJ të ndryshme bartin gjene të ndryshme të integruara në to në mënyra të ndryshme. Kjo do të thotë se çdo bimë MGJ duhet vlerësuar në veçanti nga aspekti i sigurisë dhe se nuk është e mundur të jepen deklarata të përgjithshme për sigurinë e të gjitha bimëve MGJ.
UMGJ që për momentin tregtohet në tregjet ndërkombëtare i ka kaluar të gjitha vlerësimet e sigurisë dhe nuk do duhej të paraqiste rrezik për shëndetin e njeriut. Përveç kësaj, konsumimi i UMGJ nga popullata e gjerë në vendet ku ato janë të miratuara, ka treguar se nuk ka efekte ndaj shëndetit të njeriut. Zbatimi i vahdueshëm i vlerësimeve për sigurinë bazuar në parimet e Codex Alimentarius dhe monitorimi pas lëshimit në qarkullim, duhet ta përbëjnë bazën e dëshmive për përdorimin e sigurt të UMGJ.
Si është rregulluar UMGJ në rrafsh kombëtar?
Mënyra në të cilën qeveritë e bëjnë rregullimin e UMGJ ndryshon. Në disa vende për UMGJ ende nuk ka rregullore. Vendet të cilat kanë legjislacion fokusohen fillimisht tek rreziqet ndaj shëndetit të konsumatorëve. Vendet të cilat kanë dispozita për rregullim për UMGJ gjithashtu e bëjnë rregullimin e UMGJ në përgjithësi, duke i marrë parasysh rreziqet ndaj shëndetit të njeriut dhe mjedisit jetësor, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me kontrollimin dhe tregtimin, siç janë analizat laboratorike dhe etiketimi.
Në vendet e BE tregtimi i UMGJ është i lejuar, por nëse përbën 1% ose më shumë të produktit, atëherë kjo gjë duhet të jetë e shënuar te deklarata ku do thuhet se ushqimi përmban OMGJ. Duke pasur parasysh dinamikën e diskutimit për UMGJ, ka shumë gjasa që legjislacioni në këtë drejtim të vazhdojë të zhvillohet.
Çfarë lloji UMGJ ka në tregjet në rrafsh ndërkombëtar?
Bimët MGJ që i gjejmë në tregjet ndërkombëtare janë të dizajnuara me qëllim që të rritet rezistueshmëria ndaj insekteve, infeksioneve virusale dhe të jenë më tolerante ndaj herbicidve të caktuara. Kulturat MGJ me përmbajtje më të lartë të materieve ushqyese (si për shembull soja me përmbajtje më të lartë të acidit oleik) gjithashtu kanë qenë lëndë e analizave të kohëve të fundit.
Çfarë ndodh kur UMGJ tregtohen në rrafsh ndërkombëtar?
Codex Alimentarius Commission është një trup ndërqeveritar i përbashkët i FAO/OBSH përgjegjës për zhvillimin e standardeve, kodekseve në praktikë, udhëzimeve dhe rekomandimeve të cilat e përbëjnë Codex Alimentarius, që do të thotë kodeksi ndërkmbëtar për ushqimin. Codex Alimentarius publikoi parime për analizë të rrezikut ndaj shëndetit të njerëzve nga UMGJ në vitin 2003 (Parimet për analizë të rrezikut nga ushqimi i fituar nga bioteknologjia moderne http://www.who.int/ ).
Sipas këtij udhëzuesi fillimisht duhet bërë një vlerësim e pastaj ushqimet të nxirren në treg, mbi bazë të caseby- case që përfshin vlerësim të të dy efekteve të drejtpërdrejta (të gjenit të integruar) dhe efektet e paqëllimshme (që mund të jenë si rezultat i integrimit të gjenit të ri). Codex gjithashtu publikoi tre udhëzues:
-Udhëzues për zbatimin e vlerësimit të sigurisë të ushqimit të fituar nga bimët me ADN të rikombinuar
– Udhëzues për zbatimin e vlerësimit të sigurisë të ushqimit të fituar me përdorimin e mikroorganizmave me ADN të rikombinuar
– Udhëzues për zbatimin e vlerësimit të sigurisë të ushqimit të fituar nga kafshët me ADN të rikombinuar
Parimet e Codex nuk kanë efekt obligativ ndaj legjislacionit kombëtar, por janë të theksuara qartë në Marrëveshjen për aplikimin e masave sanitare dhe fitosanitare të Organizatës Botërore të Tregtisë, ndërsa anëtarët e OBT inkurajohen që t’i harmonizojnë standardet kombëtare me standardet e Codex. Nëse partnerët tregtarë kanë mekanizma të ngjashme ose të njëjta për vlerësimin e sigurisë të ushqimit MGJ, mundësia që një produkt i miratuar nga një vend, e i refuzuar nga një tjetër, zvogëlohet.
Pse ekziston shqetësim për UMGJ në mesin e disa politikanëve, grupeve të interesit publik dhe konsumatorëve?
Sipas OBSH-së, produktet që për momentin shiten në tregun ndërkombëtar i kanë kaluar vlerësimet për sigurinë të zbatuara nga qeveritë e vendeve. Këto vlerësime të ndryshme në përgjithësi i ndjekin të njëjtat parime themelore, përfshirë këtu edhe vlerësimin e rrezikut për mjedisin jetësor dhe shëndetin e njeriut.
Nga lëshimi i parë një shitje i UMGJ kah mesi i viteve 90, pra sojës rezistente ndaj herbicidëve, në mesin e politikanëve, aktivistëve dhe konsumatorëve, sidomos në Evropë, u shfaq një shqetësim për këtë lloj të ushqimeve. Ky përfshin disa faktorë. Kah fundi i viteve 1980 dhe fillimi i viteve 1990 rezultatet e hulumtimeve molekulare zgjuan interesin tek publiku. Deri më atëherë konsumatorët në përgjithësi nuk ishin shumë të vetëdijshëm për potencialin e këtyre arritjeve. Në rastin me UMGJ konsumatorët ngritën çështjen e sigurisë, sepse mendojnë se bioteknologjia bashkëkohore çon drejt krijimit të llojeve të reja.
Konsumatorët shpesh herë bëjnë pyetjen “Çfarë do të thotë kjo për mua?”. Tek barnat, pjesa më e madhe e konsumatorëve më lehtë e pranojnë bioteknologjinë si të dobishme për shëndetin e tyre (për shembull vakcinat, barnat me siguri më të mirë, etj.). Në rastin me UMGJ që për herë të parë u lëshua në tregun evropian, produktet nuk kishin një dobi të dukshme dhe të drejpërdrejtë për konsumatorët (nuk ishin dukshëm më të lira, nuk kishin afat më të gjatë përdorimi, nuk kishin shije më të mirë).
Potenciali i farave MGJ për të prodhuar më shumë korrje duhet të ndikojë në uljen e çmimit të atij lloj produkti. Megjithatë, vëmendja e publikut qe përqendruar në anën e rrezikshme të ekuacionit rrezik – përfitim, shpesh herë pa u bërë dallim mes ndikimeve të mundshme ndaj mjedisit jetësor dhe efektet e OMGJ ndaj shëndetit të njeriut.
Besimi i konsumatorëve sa i përket sigurisë së furnizimit me ushqim ra dukshëm si rezultat i një numri të madh të rasteve me ushqim të pasigurt që u shfaqën kah pjesa e dytë e viteve 1990, por që nuk kishin të bënin me UMGJ. Konsumatorët e vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e vlerësimeve të rrezikut, edhe në aspektin e shëndetit të konsumatorëve edhe në aspektin e rreziqeve ekologjike, duke u fokusuar në veçanti tek efektet afatgjatë. Temat e tjera për të cilat diskutojnë organizatat e konsumatorëve përfshijnë afektet alergjike dhe rezistencën antimikrobiale. Shqetësimi i konsumatorëve hapi diskutim për shënimin e UMGJ, në mënyrë që konsumatorit t’i mundësohet të zgjedhë nëse do apo nuk do që të konsumojë UMGJ.
Çfarë bëri OBSH për ta përmirësuar vlerësimin e UMGJ?
OBSH merr një rol aktiv sa i përket UMGJ, para së gjithash për dy arsye:
• mbi bazë të asaj se çfarë dobie mund të kishte shëndeti publik nga potenciali i bioteknologjisë, për shembull, nga rritja e përbërjes së materieve ushqyese në ushqim, zvogëlimin e numrit të alergjenëve dhe prodhimi më efikas dhe /ose më i qendrueshëm i ushqimit; dhe
• mbi bazë të nevojës për të analizuar efektet negative potenciale ndaj shëndetit të njeriut nga konsumimi i ushqimit të prodhuar me modifikim gjenetik me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik. Teknologjitë moderne duhen vlerësuar rrënjësisht nëse në të vërtetë paraqesin një përmirësim të mënyrës së prodhimit të ushqimit.
OBSH bashkë me FAO mbajti disa këshillime profesionale për vlerësimin e UMGJ dhe siguroi këshilla teknike për Komisionin e Codex Alimentarius, që u implementua në Kodeksin për udhëzimet për vlerësimin e sigurisë të UMGJ. OBSH do vazhdojë t’i kushtojë vëmendje sigurisë së UMGJ në aspektin e mbrojtjes së shëndetit publik, në bashkëpunim të ngushtë me FAO dhe me trupat e tjerë ndërkombëtar.
Çfarë zhvillimesh mund të presim në fushën e OMGJ?
OMGJ të ardhshme ka shumë mundësi që të përfshijnë bimë me rezistueshmëri më të mirë ndaj sëmundjeve dhe thatësirës, kultura me vlera më të larta ushqyese, lloje të peshkut me karakteristika më të mira të rritjes.