Dita Ndërkombëtare për çrrënjosjen e varfërisë festohet çdo 17 tetor që nga viti 1987, kur në zbulimin e një monumenti në Paris për nder të viktimave të varfërisë ekstreme u mblodhën rreth 100.000 njerëz. Qëllimi i shënimit të kësaj date është ndërgjegjësimi për nevojën e zhdukjes së varfërisë në botë, dhe sidomos në vendet në zhvillim.
Dita e luftës kundër varfërisë po festohet në një kohë kur pothuajse një miliard njerëz në mbarë botën po vdesin nga uria dhe po rritet numri i atyre që nuk kanë para as për nevojat elementare. Gjithashtu vlerësohet se një e katërta e popullsisë në botë është jashtëzakonisht e varfër, duke jetuar me një dollar në ditë. Shqetësues është fakti se 2.6 milionë fëmijë vdesin çdo vit si pasojë e kequshqyerjes, që është një e treta e numrit të përgjithshëm të vdekjeve në botë.
Në vitin 2021, Kombet e Bashkuara e shënojnë Ditën Ndërkombëtare për çrrënjosjen e varfërisë me temën: “Varfëria shumëdimensionale dhe KOVID-19″. Theksohet se pandemia KOVID-19 është një përkujtim i fuqishëm se varfëria nuk ka të bëjë vetëm me të ardhurat. Komunitetet e varfra dhe të margjinalizuara janë të prekura në mënyrë disproporcionale nga pandemia për sa i përket shkallës së infeksionit, humbjeve ekonomike dhe aksesit në vaksina dhe nevoja të tjera të kujdesit shëndetësor.
Banka Botërore vlerëson se për herë të parë në dy dekada, varfëria ekstreme në botë do të rritet për shkak të çrregullimeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit. Kur bëhet fjalë për Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas Entit shtetëror të statistikës, 455.600 njerëz jetojnë në kushte të vështira, që është reth 21.9% e numrit të përgjithshëm të popullsisë.
Shkalla e varfërisë, sipas llojit të amvisërisë, është më e lartë (45.3%) në një familje me dy të rritur me tre ose më shumë fëmijë. Pastaj ato me një prind me fëmijë (42.8%) dhe familjet me fëmijë (26.4%). Personat joaktivë dhe të papunë janë ndër kategoritë më të prekshme dhe niveli i varfërisë së tyre është më i larti (33.9% dhe 33.2%), dhe më i ulëti tek pensionistët (2.2%).
Shkalla e varfërisë në familjet më të mëdha, katër anëtarëshe ku jetojnë dy të rritur dhe dy fëmijë është 19.5 përqind, pra çdo e katërta familje e kësaj kategorie është e varfër. Analizuar sipas gjinisë, femrat janë shumë më të prekura se meshkujt, 22.5% e femrave dhe 21.4% e meshkujve jetojnë në varfëri.
Shkalla më e ulët e varfërisë është në kategorinë e familjeve me një person (një anëtar i rritur mbi 65 vjet) dhe është 3.2%, ndërsa shkalla e varfërisë nën 10% është edhe tek beqarët.
Të mos lejojmë që pandemia e shkaktuar nga KOVID-19 të kontribuojë në thellimin e pabarazive sociale!
Përgatiti: Njësia për promovim shëndetësor dhe ndjekjen e sëmundjeve