Tuberkulozi (TB) është sëmundje të cilën njeriu e ka njohur që para mijëra vitesh. , por, sot, edhe pse shërohet, paraqet një ndër shkaqet kryesore të vdekjeve nga sëmundjet infektive.
Çdo vit, në 24 mars bota shënon Ditën e tuberkulozit. Kjo ditë shënohet me qëllim që të ngrihet vetëdija për ngarkesën që shkakton tuberkulozi. Dita Botërore e tuberkulozit u jep mundësi të gjithë njerëzve të bashkohen në luftën kundër TB përmes informimit dhe edukimit të tjerëve për tuberkulozin dhe nxitjen e qeverive për të ndërmarrë aksion.
Dhjetë milion njerëz në mbarë botën mund të shpëtohen nga vdekja në 5 vitet e ardhshme.
Çdo vit zbulohen gjithnjë e më pak të sëmurë nga tuberkulozi, krahasuar me vitet e kaluara, por kjo rënie është shumë e vogël, kështu që nëse vazhdon kjo tendencë e rënies me këtë ritëm, do duhen 2182 vite për tu arritur qëllimi i caktuar nga OBSH – për ta çrrënjosur tuberkulozin.[1]
Të dhëna epidemiologjike
Tuberkulozi në botë
Më shumë se 2 miliardë njerëz (1/4 e popullatës në mbarë botën) janë të infektuar me shkaktarin e tuberkulozit, gjegjësisht kanë tuberkulozë latente, që do të thotë se njerëzit që kanë qenë të infektuar me bakterin e TB (kanë pasur kontakt), por që ende nuk kanë zhvilluar sëmundjen nuk mund tua përcjellin atë të tjerëve.
TB është sfida shëndetësore kryesore në botë. Çdo vit zbulohen 9 milionë raste të reja me tuberkulozë, ndërsa 1,5 milionë njerëz vdesin.[2] Nga 9 milionë njerëz të cilët sëmuren nga TB, më shumë se 3 milionë nuk zbulohen dhe nuk trajtohen.
TB mund të parandalohet dhe të shërohet, por, megjithatë, në botë çdo minutë tre njerëz vdesin nga tuberkulozi, ose çdo ditë nga tuberkulozi vdesin 4400 njerëz. [3]
Në rrafsh botëror tuberkulozi zë bendin e parë si vrasës nga sëmundjet infektive, me rreth 1,5 milionë vdekje në vit. Kjo sëmundje është në mesin e dhjetë sëmundjeve infektive nga të cilat vdesin njerëzit në mbarë botën.
Tuberkulozi, infeksioni HIV i shoqëruar me tuberkulozin dhe tuberkulozi multirezistent (rezistente ndaj terapisë) paraqesin një kërcënim për zhvillimin dhe sigurinë shëndetësore globale.
Në vitin 2014 për herë të parë në një dekadë tuberkulozi ka vrarë më shumë njerëz se çdo sëmundje tjetër infektive në botë. Po atë vit ka pasur: 9,6 të sëmurë nga tuberkulozi, 1,5 milionë të vdekur nga tuberkulozi, 1,2 milionë njerëz me HIV që janë sëmurë nga tuberkulozi dhe 0,4 vdekje. 489.000 persona janë sëmurë nga tuberkulozi multirezistent, dhe si pasojë ka pasur 190.000 vdekje.
Tuberkulozi në Republikën e Maqedonisë
Numri i personave me TB në Republikën e Maqedonisë shënon një rënie të vazhdueshme. Prevalenca shënon një rënie nga 20,8 në 100.000 banorë në vitin 2013 (428 raste), 18,8 në 100.000 banorë në vitin 2014 (389 raste), në 15,5 në 100.000 (321 raste) në vitin 2015.
Incidenca (numri i rasteve të reja me TB gjatë një viti) gjithashtu shënon rënie nga 15,7 në 100 000 banorë në vitin 2013 (323 raste të reja), 13,8 në 100 000 banorë në vitin 2014 (285 raste të reja) dhe 284 raste të reja në vitin 2015. Maqedonia bën pjesë në vendet me incidencë të ulët nga vendet e rajonit evropian (Burimi: Instituti për sëmundjet e mushkërive dhe tuberkulozin, Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë).
Grupet e njerëzve që janë më të rrezikuar për tu prekur nga TB
Sistemi i komprometuar imunitar i njeriut e bën atë më të rrezikuar nga infeksioni me TB.
Vlerësohet se 74000 fëmijë në botë vdesin nga TB për çdo vit. Këto në të shumtën e rasteve janë fëmijë të varfër, jetojnë në mjedise ku ka qasje të kufizuar në kujdes shëndetësor dhe nuk kanë njohuri për sëmundjen.
Rreziku nga infektimi me TB është i lartë edhe te përdoruesit e drogave (për shkak të imunitetit të zvogëluar nga përdorimi i drogave, kushtet e jetesës dhe qasja më e vogël në kujdes shëndetësor).
Në grupet më të rrezikuara bëjnë pjesë edhe të burgosurit dhe të sëmurët në spitalet psikiatrike (që qëndrojnë atje për një kohë më të gjatë).
Imuniteti i zvogëluar rrit rrezikun për infektim me TB edhe tek personat me diabet.
Në mbarë botën rreth 1 miliardë njerëz janë emigrantë. Edhe tek ato ka një rrezik të lartë nga infektimi me TB (lodhja, ushqimi joadekuat, imuniteti i dobët, qëndrimi në mjedise në të cilat ka më shumë njerëz.
TB është shkaku kryesor i vdekshmërisë edhe tek personat të cilët jetojnë me HIV (në botë një nga 3 raste të vdekjes te personat me HIV është si pasojë e TB).
Strategjia globale për tuberkulozin
Në shtator të vitit 2015 Asambleja e përgjithshme e Kombeve të bashkuara i miratoi Qëllimet zhvillimore të qëndrueshme. Në to, qëllimi i tretë është si vijon: Epidemia e TB të përfundojë deri në vitin 2030.
Kuvendi i OBSH në maj të vitit 2014 e miratoi rezolutën me të cilën i jepet mbështetje e plotë Strategjisë globale për tuberkulozin. Strategjia e Organizatës Botërore të shëndetësisë për t’i dhënë fund epidemisë së tuberkulozit vuri për qëllim që deri në vitin 2030 t’i shuhet epidemia e tuberkulozit.
Strategjia fokusohet në zbulimin e hershëm, trajtimin dhe parandalimin me qëllim që të gjithë të sëmurët nga tuberkulozi të kenë qasje të barabartë në shërbimet shëndetësore, por edhe të marrin pjesë në përkujdesjen e tyre.[4]
Deri në vitin 2035 strategjia i përcakton këto qëllime:
- Zvogëlim prej 95% të numrit të vdekjeve si pasojë e tuberkulozit, krahasuar me vitin 2015.
- Zvogëlim prej 90% të numrit të rasteve të reja me tuberkulozë, krahasuar me vitin 2015.
- Asnjë familje në të cilën ka të sëmurë nga tuberkulozi të mos ketë shpenzime të mëdha për shkak të sëmundjes.
Kushtohet edhe grupeve të popullatës të cilat janë më të rrezikuar nga infektimi dhe që kanë qasje të kufizuar në kujdes shëndetësor.
“Çdo njeri që vuan nga tuberkulozi duhet të ketë qasje në diagnostikim, trajtim dhe kujdes bashkëkohor dhe të shpejtë. Kjo ka të bëjë me drejtësinë sociale, fundamentalisht të lidhur me qëllimin tonë për mbulim/përfshirje universale me shërbime shëndetësore. Duke pasur parasysh prevalencën/ përhapjen e tuberkulozit që është rezistent ndaj trajtimit me barna, sigurimi i një kujdesi me cilësi të lartë do kontribuojë në sigurinë shëndetësore globale. Bëj thirrje për një solidaritet dhe veprim global për zbatim të suksesshëm të strategjisë.”
Dr Margaret Chan, Drejtor i përgjithshëm i OBSH.
Si do arrihen qëllimet e strategjisë?
- Diagnostikimi i hershëm i TB,
- Shërimi i të gjithë njerëzve që kanë TB, përfshirë këtu edhe llojet rezistente të TB (rezistente ndaj terapisë)
- Shërimi i sëmundjeve si pasojë e TB (komorbiditeti),
- Kërkimi aktiv i rasteve të reja me TB, sidomos në mesin e personave të cilët janë në kontakt me persona të sëmurë nga TB dhe grupeve më të rrezikuara,
- Vakcinimi dhe trajtimi preventiv i personave më të rrezikuar
- Qasje universale në kujdes shëndetësor, përdorim racional i barnave dhe mbajtja nën kontroll e infeksionit,
- Mbrojte sociale, zvogëlim i varfërisë dhe determinantave të tjera që kanë të bëjnë me TB,
- Ndikim politik dhe sigurim i mjeteve të mjaftueshme financiare për trajtim dhe parandalim,
- Përfshirje e komunitetit, organizatave qytetare, sektorit privat dhe publik,
- Hulumtime dhe zbulime të reja që kanë të bëjnë me sëmundjen.
Një rëndësi shumë të madhe ka edhe diagnostikimi në kohë dhe trajtimi adekuat i personave të sëmurë nga tuberkulozi.
Zbulimi aktiv i rasteve të reja me TB tek grupet e rrezikuara gjithashtu ka një rëndësi shumë të madhe. Në këtë aktivitet mund të përfshihet edhe komuniteti.
Pranimi i rregullt i barnave është kusht për shërim dhe parandalim të zhvillimit të formave rezistente të TB. Prandaj, aplikohet i ashtuquajturi, trajtim i observuar i drejtpërdrejtë që nënkupton një kontroll direkt të trajtimit dhe mbikëqyrjes të të sëmurëve nga tuberkulozi, si dhe edukim shëndetësor përmes bisedave me të sëmurët dhe familjet e tyre në shtëpitë e të sëmurëve.
[1]http://www.stoptb.org/assets/documents/global/plan/GlobalPlanToEndTB_TheParadigmShift_2016-2020_StopTBPartnership.pdf
[2] http://www.stoptb.org/resources/factsheets/
[3] http://www.stoptb.org/resources/factsheets/
[4] Organizata Botërore e shëndetësisë. The end TB strategy
Sektori për promovim, analizë dhe mbikëqyrje të sëmundjeve joinfektive
Instituti i shëndetit publik i RM-së