Dita botërore e kontracepsionit ose 26 shtatori ka për mision të ngrejë vetëdijen për benefitet e përdorimit të kontracepsionit.
Këtë vit shënohet nën moton “Jeta jote-Përgjegjësia Jote”. Fushata këtë vit fokusohet tek vizioni që çdo shtatzëni të jetë e dëshiruar.

Çdo vit rritet numri i grave në periudhë reproduktive të cilat kanë nga ndonjë gjendje mjekësore kronike, si tensioni i lartë i gjakut ose diabeti. Shtatzënia tek gratë me gjendje kronike mund të jetë mjaft e rrezikshme për shëndetin e tyre. Këto gra rregullisht duhet të këshillohen me gjinekologun amë për terapinë që e pranojnë për sëmundjen e tyre kronike gjatë shtatzënisë.  Prandaj, suksesi më i madh është një shtatzëni e planifikuar dhe e shëndetshme.

  • Mendohet se në botë ka rreth 211 milionë shtatzëni çdo vit, për momentin më shumë se 40% e popullatës në botë janë shtatzëni të padëshiruara.
  • Nga numri i përgjithshëm i shtatzënive të padëshiruara, 50% përfundojnë me abort, shpesh herë në kushte të pasigurta me ç’rast rrezikohet shëndeti dhe jeta e gruas.
  •  Çdo vjet rreth 16 milionë adoleshente lindin fëmijën e tyre në moshë nga 15 deri në 19 vjet, ndërsa 1 milion prej tyre janë nën 15 vjet. Ato rrezikohen shumë më shumë nga komplikimet fatale gjatë lindjes, se sa gratë në moshë mbi 19 vjet.
  • Të rinjtë kanë më shumë mundësi të preken nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme se sa të rriturit.
  • Nga rreth 38 milionë adoleshentë seksualisht aktiv që jetojnë në vendet në zhvillim, 60% e tyre për shkaqe të panjohura nuk përdorim mjete kontraceptive (mbrojtje gjatë marrëdhënieve seksuale).

 

 

Kontracepsioni duhet të jetë adekuat, i sigurt dhe efektiv

Në cilën do periudhë të jetës së meshkujve, grave dhe vajzave, para se të zgjidhet metoda kontraceptive më adekuate, duhet analizuar me kujdes siguria, efikasiteti, disponueshmëria, çmimi i kontraceptivëve.

Ekzistojnë një numër i madh i kontraceptivëve, prandaj është e nevojshme që ato të përshtaten sipas gjendjes shëndetësore të individit. Për shembull, kontraceptivët të cilët përmbajnë estrogjen nuk duhet të përdoren nga gra të cilat kanë pasur infarkt në tru ose tromb.

 

Planifikimi i shtatzënisë me ndihmën e kontraceptivëve efikas ka shumë përparësi:

  • Optimizimin e shëndetit të gruas para shtatzënisë duke e stabilizuar ose përmirësuar gjendjen e saj shëndetësore;
  • Zëvendësimin e barnave me barna të pranueshme për përdorim gjatë shtatzënisë;
  • Evitimin e ndërlikimeve gjatë shtatzënisë, duke e sjellë trupin në gjendje optimale para shtatzënisë.

 

Çfarë ndodh nëse nuk përdoret kontracepsioni?

 

Nëse nuk përdoret kontracepsion, rreth 85% e grave që janë seksualisht aktive do ngelin shtatzëna brenda një viti.

Nëse nuk përdorni prezervativ (kondom) rritet edhe mundësia për të fituar ndonjë sëmundje seksualisht të transmetueshme.

 

Kur është koha e duhur për të folur për kontracepsionin?

Gratë që janë në moshë reproduktive duhet të bëjnë biseda të rregullta me punonjësit shëndetësor për kontracepsionin. Nëse një grua ka një problem shëndetësor ndërkohë që planifikon shtatzëni, ajo duhet të bisedojë dhe të këshillohet rregullisht me gjinekologun e saj amë.

Gjinekologu e kontrollon me sukses gjendjen ose sëmundjen kronike tek gruaja që diagnostikohet para ose gjatë shtatzënisë. Pas lindjes,  periudha postpartale gjithashtu është një periudhë e rëndësishme gjatë të cilës duhet të diskutohet për planet për shtatzëni të ardhshme dhe mbrojtje.

Mjetet kontraceptive dallojnë për nga efikasiteti i tyre kur bëhet fjalë për parandalimin e shtatzënisë së padëshiruar.

 

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga Raporti i shërbimit për mbrojtje shëndetësore të grave gjatë kontrolleve gjinekologjike janë dhënë këto mjete kontraceptive:

 

Kontrolle gjinekologjike gjatë të cilave janë ndarë ose aplikuar mjete kontraceptive në Republikën e Maqedonisë, 2007 dhe 2018

 kontracepcija alb

Numri i vizitave tek gjinekologu për planifikimin e shtatzënisë në vitin 2018 ka rënë për 2,3% krahasuar me vitin  2007 dhe indeksi për  2018/2007 është 97,7%. Në periudhën nga viti  2007 deri në vitin 2018 vihet re një rënie shumë e vogël e kontrolleve gjinekologjike gjatë të cilave krahas shërbimeve të tjera, janë dhënë edhe mjete kontraceptive. Indeksi 2018/2007 ka qenë 116,9.

 

Nevojitet një edukim dhe promovim i vazhdueshëm për mbrojtjen e shëndetit të grave dhe meshkujve. Nxitje për kontrollim të shëndetit personal dhe atë të partnerit, edukim për zgjidhjen e kontracepsionit më të përshtatshëm për gruan dhe partnerin e saj.

Sot ekzistojnë shumë lloje të kontracepsionit efektiv dhe në dispozicion: kondom, kondom femëror, tableta, spirale, unazë vagjinale, tableta për kontracepsion emergjent, injeksione, leukoplaste, sterilizim, etj.

 

Zgjidhja sa i përket mjeteve kontraceptive mbetet në dëshirën e secilit individ. Gjatë përzgjedhjes së tyre, më së miri është që të këshilloheni me gjinekologun amë.

 

Literatura e përdorur:

 

1.Awareness days, World contraception day 2019, Available at: https://www.awarenessdays.com/awareness-days-calendar/world-contraception-day-2019/

2. Plan International, 10 tings you should know on world contraception day, available at: https://plan-uk.org/blogs/10-things-you-should-know-for-world-contraception-day

3. Contraception, birth control methods, Available at: https://www.cdc.gov/reproductivehealth/contraception/index.htm

4. Why World Contraception Day is Important, Available at:https://www.lifespan.org/lifespan-living/why-world-contraception-day-important

                                                                                           

 

Përgatiti:

Sektori për promovim, analizë dhe ndjekje të sëmundjeve joinfektive

Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut