Dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara shënohet çdo vit në 3 dhjetor dhe ka për qëllim promovimin e një pjesëmarrjeje të plotë dhe të barabartë të personave me aftësi të kufizuara dhe ndërmarrjen e aktiviteteve për përfshirjen e këtyre personave në të gjitha aspektet e shoqërisë.
Këtë vit, Dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara do të shënohet plot një javë, dhe atë nga 30 nëntori deri në 4 dhjetor, bashkë me takimin e 13 në Konferencën e vendeve anëtare të Konventës për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë më shumë se një miliardë njerëz ose rreth- rreth 15% e popullsisë së botës – jetojnë me ndonjë formë të kufizimit të aftësive të tyre. Kjo shifër pritet të rritet me plakjen e popullatës dhe përhapjen e sëmundjeve joinfektive. Personat me aftësi të kufizuara nuk i kanë përparësitë që i kanë të gjithë të tjerët, por kjo nuk do të thotë se kështu është për të gjithë. Një gjë e tillë varet shumë nga konteksti në të cilin ata jetojnë dhe nëse, ndër të tjera, kanë qasje të barabartë në shëndetësi, arsim dhe punësim.
Faktet tregojnë se:
– Nga një miliard popullsi e personave me aftësi të kufizuara, 80% jetojnë në vendet në zhvillim.
– Rreth 46% e të moshuarve të moshës 60 vjeç e mbi 60 vjet janë persona me aftësi të kufizuara.
– Një në pesë gra ndoshta do të përjetojë një paaftësi në jetën e saj, ndërsa një në dhjetë fëmijë është me aftësi të kufizuara.
– Një në 160 fëmijë është identifikuar me një spektër autik.
-Rreth 450 milion jetojnë me ndonjë vështirësi mendore ose neurologjike – dhe dy të tretat e këtyre njerëzve nuk kërkojnë ndihmë mjekësore profesionale, kryesisht për shkak të stigmës, diskriminimit dhe neglizhencës.
– Personat me aftësi të kufizuara në mbarë botën janë ndër më të goditurit nga KOVID-19.
Sipas Kombeve të Bashkuara, këtë vit, tema për këtë ditë është: “Drejt një gjithëpërfshirjeje, të arritshme dhe të qëndrueshme të personave me aftësi të kufizuara në botë pas KOVID-19″
Kriza globale me COVID-19 thellon pabarazitë ekzistuese, duke ekspozuar shkallën e përjashtimit dhe duke theksuar se puna për përfshirjen e personave me aftësisë të kufizuara është e domosdoshme. Personat me aftësi të kufizuara – një miliard njerëz – janë një nga grupet më të përjashtuara në shoqërinë tonë dhe janë ndër më të goditurit në këtë krizë për sa i përket numrit të vdekjeve. Edhe në rrethana normale, personat me aftësi të kufizuara kanë më pak mundësi për qasje në kujdesin shëndetësor, arsimin, punësimin dhe pjesëmarrjen e komunitetit.
Nevojitet një qasje e integruar për të siguruar që personat me aftësi të kufizuara të mos lihen pas. Në këtë kontekst, tema e këtij viti thekson rëndësinë e forcimit të përpjekjeve tona kolektive për qasje universale në shërbimet themelore, duke përfshirë kujdesin e menjëhershëm shëndetësor dhe social, arsimin, infrastrukturën digjitale, informacion, punësimin dhe mundësi të tjera social-kulturore në mënyrë që të sigurojmë që personat me aftësi të kufizuara të mos mbeten prapa në kohë krizash dhe më gjerë.
Gjatë pandemisë KOVID-19, izolimi, përjashtimi, rutina e çrregulluar dhe shërbimet e reduktuara ndikojnë ndjeshëm në jetën dhe mirëqenien mendore të personave me aftësi të kufizuara në të gjithë botën. Rritja e ndërgjegjësimit për personat me aftësi të kufizuara në këtë kohë është diçka thelbësore, sepse bota vazhdon të luftojë kundër virusit.
Literatura:
– United Nations: https://www.un.org/en/observances/day-of-persons-with-disabilities
– World Health Organization: https://www.who.int/news-room/events/detail/2020/12/03/default-calendar/international-day-of-persons-with-disabilities
Përgatiti:
Departamenti për promovim shëndetësor dhe ndjekje të sëmundjeve joinfektive