31 Maji – Dita Botërore Pa Duhan
Po e helmojnë planetin tonë!
OBSH dhe departamentet e shëndetit publik në mbarë botën edhe këtë vit e shënojnë Ditën Botërore Pa Duhan (WNTD) me fokus tek mënyrat e shumta në të cilat duhani rrezikon mjedisin në të cilin jetojmë.
Fushata Globale për vitin 2022 ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për ndikimin që ka i gjithë cikli i duhanit ndaj mjedisit jetësor, duke filluar që nga kultivimi, prodhimi dhe shpërndarja e tij, e deri te mbeturinat toksike që i krijon. Kjo fushatë do të ketë për qëllim edhe të ekspozojë përpjekjet e industrisë së duhanit për ta zbutur reputacionin e saj dhe për t’i bërë produktet e saj më tërheqëse duke i reklamuar ato si ekologjike.
Përdorimi i duhanit është i dëmshëm në çdo fazë
Nga fillimi deri në fund, cikli jetësor i duhanit është një proces i dëmshëm dhe ndotës. Ndotja e ajrit e shkaktuar nga duhani është më e dukshme, por duhani shkakton dëme përgjatë gjithë zinxhirit të prodhimit dhe ato dëme janë shumë më komplekse.
Çdo vit, për të kultivuar duhan shkatërrohen rreth 3.5 milionë hektarë tokë. Kultivimi i duhanit gjithashtu kontribuon në shkatërrimin e 200,000 hektarëve pyje në vit dhe në degradimin e tokës.
Prodhimi i duhanit e varfëron planetin nga uji, lëndët djegëse fosile dhe burimet e metalit.
Globalizimi i zinxhirit të furnizimit dhe shitjes së duhanit do të thotë që industria e duhanit mbështetet shumë në mënyrat e transportit të cilat përdorin burime të ndryshme të energjisë.
Në botë për çdo vit krijohen rreth 4.5 trilion bishta cigaresh të cilat nuk asgjësohen siç duhet, duke krijuar kështu 1.69 miliardë funta mbetje toksike dhe duke lëshuar mijëra kimikate në ajër, ujë dhe tokë.
Nevoja për politika më të fuqishme
Konsumatorët janë bërë më të ndërgjegjshëm ndaj mjedisit dhe po zgjedhin produkte më të qëndrueshme. Ndër të tjera, korporatat e duhanit qëndrueshmërinë ekologjike e kanë kthyer në një shtyllë integrale të strategjive të tyre për përgjegjësi sociale korporative, që përfshin pastrimin e plazheve dhe tregtimin e produkteve të reja si “ekologjike” për ta larguar vëmendjen e publikut nga dëmet që i shkaktojnë mjedisit jetësor.
Fushata WNTD 2022 u bën thirrje qeverive dhe politikëbërësve të përforcojnë legjislacionin, duke përfshirë zbatimin dhe përforcimin e skemave ekzistuese, për t’i bërë prodhuesit përgjegjës për shpenzimet ekologjike dhe ekonomike që krijohen gjatë trajtimit të mbetjeve të duhanit. OBSH rekomandon gjithashtu që vendet ta ndalojnë plotësisht reklamimin, promovimin dhe sponsorizimin e duhanit, duke përfshirë reklamimin e programeve për përgjegjësi sociale korporative, në përputhje me Konventën Kornizë për Kontrollimin e Duhanit (WHO FCTC).
Thirrje për veprim
Për t’i dhënë fund një herë e mirë përdorimit të madh të duhanit dhe produkteve të duhanit, është e nevojshme të ndërmerren më shumë veprime nga të gjithë anëtarët e shoqërisë.
Publiku
Jepuni përdoruesve të duhanit një arsye shtesë për ta lënë duhanin. Lënia e duhanit sjell përfitime për shëndetin tuaj dhe mjedisin jetësor.
Mbështetni politikën e ndalimit të plastikës për një përdorim, e cila përdoret te bishtat e cigareve dhe mbetjet elektronike.
Rrisni ndërgjegjësimin për taktikat për keqpërdorimin e gjelbërimit në industrinë e duhanit.
Mbështetni qeveritë për detyrime/taksa shtesë për industrinë e që do përdoren për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Të rinjtë dhe gjeneratat e ardhshme
Avokoni për shkolla 100% pa duhan për t’i mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë nga ekspozimi ndaj pirjes së drejpërdrejtë të duhanit dhe asaj pasive.
Filloni ose bashkohuni me një lëvizje për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Të rritet ndërgjegjësimi për ndikimin e duhanit ndaj mjedisit jetësor dhe të sensibilizohet publiku, sidomos të rinjtë.
Mbështetni reduktimin e kimikateve, duke përfshirë gjurmën e karbonit për t’i mbrojtur gjeneratat e reja nga efektet negative të mbetjeve të duhanit. Gjurma e karbonit paraqet emetimet totale të gazeve serë të shkaktuara nga një individ, ngjarje, organizim, shërbim, vend ose produkt, të shprehura si ekuivalent i dioksidit të karbonit.
Zvogëloni numrin e dyqaneve ku bëhet shitja me pakicë e duhanit.
Ministritë dhe krijuesit e politikave
Impononi parimin e politikës së pronësisë intelektuale ndaj industrisë së duhanit për t’i mbajtur ato përgjegjëse për shpenzimet e pastrimit të mbetjeve toksike (toxic pollution waste).
Vendosni tatim për mbrojtjen e mjedisit jetësor për prodhuesit, shpërndarësit dhe konsumatorët e duhanit, për gjithë zinxhirin e furnizimit për emetimet e karbonit, ndotjen e ajrit dhe shpenzime të tjera ekologjike.
Zbatoni kontroll të duhanit (masat MPOWER) për ta minimizuar ndikimin e duhanit ndaj mjedisit jetësor.
Mbështetni kultivuesit e duhanit për të kaluar në mjete alternative dhe të qëndrueshme për jetesë, në përputhje me nenet 17 dhe 18 të OBSH FCTC.
Këshilloni qeveritë se si të përdorin COP Ndërkombëtare të Ndryshimeve Klimatike të Kajros në nëntor të vitit 2022 për të punuar së bashku për avancimin e axhendës për kontrollin e duhanit në pajtim me Ditën Botërore Pa Duhan.
OJQ-të dhe Shoqëria civile
Rritni ndërgjegjësimin për ndikimin e duhanit ndaj mjedisit jetësor gjatë ciklit të kultivimit, prodhimit, shpërndarjes, përdorimit dhe mbetjeve
Prezantoni problemin me mbetjet e duhanit në vende dhe komunitete publike
Rritni ndërgjegjësimin për përfitimet e kalimit në kultura të ndryshme dhe se si kjo ndikon më gjerësisht me kontrollin e duhanit
Avokoni për ndalimin kombëtar të plastikës për një përdorim
Zbuloni taktikat dhe përpjekjet e industrisë së duhanit për përmirësimin e reputacionit të saj dhe tregtimin e produkteve si ekologjike
Prodhuesit e duhanit
Filloni të kultivoni kultura që mundësojnë një kthim më të mirë të investimeve në raport me shëndetin dhe pasurinë!
Departamenti për promovim shëndetësor dhe ndjekje të sëmundjeve