Rritja e numrit të rasteve me diabet ndikon edhe në rritjen e hulumtimeve që tregojnë se fëmijët janë më të rrezikuar nga shfaqja e kësaj sëmundjeje. Rreth 350 milionë njerëz në mbarë botën vuajnë nga kjo sëmundje, e ky numër ka mundësi të dyfishohet në 20 vitet e ardhshme. Me kalimin e kohës, diabeti mund të shkaktojë dëmtim të zemrës, enëve të gjakut, syve, veshkave dhe nervave, duke shkaktuar kështu probleme kronike dhe vdekje të parakohshme.

Diabeti tipi 1

Diabeti tipi 1  shfaqet kur pankreasi nuk prodhon sasi të mjaftueshme të insulinës, hormon ky që e rregullon nivelin e sheqerit në gjak. Shkaku ende është i panjohur, por mendohet që është një kombinim i faktorëve gjenetik dhe mjedisit.

Në shumë vende është vënë re një rritje e numrit të rasteve me diabet tipi 1, sidomos tek fëmijët e vegjël. Përhapja e kësaj sëmundje tek fëmijët i ngjason një epidemie të sëmundjeve infektive. Për momentin, ende nuk ka njohuri se si mund të parandalohet ky tip i diabetit.

Diabeti tipi 2

Diabeti tipi 2 shfaqet kur trupi nuk mund ta shfrytëzojë në mënyrë efektive insulinën të cilën e prodhon. Në të shumtën e rasteve mund të parandalohet. Mund të jetë edhe si rezultat i mbipeshës trupore ose aktivitetit të dobët fizik, dhe ndonjëherë edhe i predispozitave gjenetike.

Kohëve të fundit është rritur dukshëm numri i rasteve me diabet tipi 2 tek fëmijët, aq shumë sa që në disa pjesë të botës ai tani është tipi kryesor i diabetit tek fëmijët. Rritja globale e peshës tek fëmijët dhe aktiviteti i dobët fizik besohet se luajnë një rol të madh për këtë gjendje. Ushqimi i shëndetshëm dhe shprehitë e mira të jetesës janë një mbrojtje e mirë kundër sëmundjes.

poster-be-active alb

poster-follow-advice