Ta zvogëlojmë shkallën e mortalitetit nga mungesa e aktivitetit fizik!

 

Çfarë është aktiviteti fizik?

Me aktivitet fizik nënkuptojmë çdo lëvizje të trupit e shkaktuar nga muskujt e skeletit gjatë të cilave trupi harxhon energji.

Nocioni  “aktivitet fizik” nuk duhet të ngatërrohet me “ushtrimet”. Ushtrimet janë një nënkategori e aktivitetit fizik të cilat bëhen me plan, janë të strukturuara, përsëriten dhe janë të qëllimshme, dhe kanë për qëllim përmirësimin e një ose më shumë komponentëve të kondicionit fizik.  Aktiviteti fizik i përfshin ushtrimet, si dhe aktivitetet e tjera të cilat përfshijnë lëvizje të trupit dhe që bëhet si pjesë e lojës, punës, transportit aktiv, aktiviteteve shtëpiake dhe rekreative.

Aktiviteti i rregullt fizik me intensitet mesatar – si ecja, shëtitja me biçikletë, ose aktivitetet sportive- ka një ndikim të rëndësishëm ndaj shëndetit. Aktiviteti i rregullt fizik dhe me intensitet adekuat ndikon në përmirësimin e muskujve dhe shëndetin kardiorespirator, përmirësimin e kockave dhe shëndetit funksional,  zvogëlon rrezikun nga hipertensioni, sëmundjet koronare të zemrës, gjakderdhjes në tru, diabeti, llojeve të ndryshme të kancerit (përfshirë këtu kancerin  gjirit dhe kancerin e zorrës së trashë), dhe depresioni, zvogëlon rrezikun nga lëndimet më të rënda gjatë rënies, sidomos lëndimet në këllqe ose të shtyllës kurrizore, dhe ka një rëndësi fondamentale për bilancin energjetik dhe kontrollimit të peshës trupore.

Përfitimet nga aktiviteti fizik

Rritja e aktivitetit fizik është një problem shoqëror, e jo vetëm individual. Prandaj, ky problem kërkon një qasje multisektoriale, multidisciplinare dhe kulturore.  Aktivitetit fizik u ndihmon të rinjve që të zhvillojnë inde të shëndetshme muskuloskeletore (psh. kockat, muskujt dhe nyjet), sistem kardiovaskular të shëndetshëm (zemra dhe mushkëritë), koordinim dhe kontroll të lëvizjeve, mirëmbajtje të peshës trupore.

Aktivitetit fizik tek të rinjtë ndikon edhe në gjendjen psikike sepse e zvogëlon rrezikun nga ankthi dhe depresioni, ndihmon në zhvillimin social sepse u jep mundësi të shprehen, ndihmon në rritjen e vetëbesimit, interaksionit dhe integrimit social, krijimin e shprehive të shëndetshme si mospirja e duhanit, alkoolit dhe drogave, si dhe për arritjen e  rezultateve më të  në mësim.

Personave me gjendje specifike shëndetësore, siç janë sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti, u rekomandohet që para se të fillojnë me aktivitet fizik të këshillohen një herë me mjekun e tyre. Kjo vlen posaçërisht për personat më të moshuar.

Rreziqet nga mungesa e aktiviteti fizik

Më shumë se 80% e adoleshentëve në mbarë botën nuk bëjnë aq sa duhet aktivitet fizik. Mungesa e aktivitetit fizik është një nga faktorët kryesorë të rrezikut nga vdekja në mbarë botën. Rreth 3,2 milionë vdekje në botë janë si pasojë indirekte e mungesës së aktivitetit fizik. Në rrafsh global, një në katër persona të rritur nuk merret me aktivitet fizik. Personat të cilët nuk merren me aktivitet fizik kanë nga 20% deri më 30% rrezik më të madh nga vdekja krahasuar me personat që bëjnë aktivitet fizik të mjaftueshëm.

Në rrafsh global, rreth 23% e personave në moshë nga 18 e më shumë vjet në vitin 2010 nuk kanë qenë aq sa duhet aktiv (20% meshkuj dhe 27% femra). Në vendet me të ardhura të larta, 26% e meshkujve dhe 35% e femrave nuk kanë qenë mjaftueshëm aktiv fizikisht, krahasuar me 12% e meshkujve dhe 24% e femrave në vendet me të ardhura të ulëta. Nivel i aktivitetit fizik shpesh ndryshon me rënien ose rritjen e prodhimit vendor bruto. Rënia e nivelit të aktivitetit fizik  pjesërisht i dedikohet edhe mungesës së aktivitetit në kohën e lirë dhe natyrës pasive të profesionit. Për këtë një kontribut të madh ka edhe përdorimi i automjeteve, ashensorit etj, gjatë ditës dhe gjatë kryerjes së   aktiviteteve të përditshme. Në rrafsh global, 81% e adoleshentëve në moshë nga 11-17 vjet në vitin 2010 nuk kanë bërë mjaftueshëm aktivitet fizik. Vajzat kanë qenë më aktive se meshkujt, me 84% përkundër 78%.

Mungesa e aktivitetit fizik është një problem global i shëndetit publik. Mungesa e aktivitetit fizik është faktori i katërt kryesor i rrezikut nga vdekja që në mbarë botën shkakton 6% të vdekjeve. Mungesa e aktivitetit fizik pritet të jetë shkaktari kryesor i kancerit të gjirit dhe zorrës së trashë me 21-25%, i diabetit me 27%  dhe rreth 30% të sëmundjeve ishemike të zemrës.

Çfarë i dekurajon njerëzit kur bëhet fjalë për aktivitetin fizik?

Faktorë të caktuar të mjedisit jetësor që janë të lidhur me urbanizimin! Frika nga dhuna dhe krimi në mjedis të hapur! Trafiku i dendur! Ndotja e ajrit! Mungesa e parqeve, trotuareve dhe qendrave sportive dhe rekreative!

Si të rrisim nivelin e aktivitetit fizik?

Vendet anëtare të OBSH kanë rënë dakord për rritjen e aktivitetit fizik për 10% deri në vitin 2025

Institucionet dhe bashkësitë relevante të ndërmarrin veprime me të cilat një numri sa më të madh të njerëzve do ju mundësojnë që të jenë fizikisht aktiv. Politikat për rritjen e aktivitetit fizik kanë për qëllim të sigurojnë promovimin e aktiviteteve fizike të përshtatura ndaj jetës së përditshme të njerëzve, siç janë ecja, çiklizmi, krijimi i kushteve për aktivitet fizik në vendin e punës, ndërtimi i mjediseve dhe objekteve në të cilat nxënësit dhe studentët do mund ta kalojnë kohën e lirë në mënyrë aktive, ndërtimi i objekteve sportive dhe rekreative.

Në rrafsh global, politikat dhe planet për zgjidhjen e mungesës të aktivitetit fizik janë zhvilluar në rreth 80%.

Rekomandime

Rekomandimet e OBSH të dhëna në këtë dokument u dedikohen tre grupmoshave:  5-17 vjet; 18-64 vjet;  mbi 65 vjet.

  • Grupmosha nga 5-17 vjet

Minimum 60 minuta aktivitet fizik mesatar deri në energjik në ditë. Së paku tre herë në javë duhet të bëhen aktivitete të cilat i përforcojnë muskujt dhe kockat.

  • Grupmosha nga 18 – 64 vjet

Maksimum 150 minuta aktivitet fizik me intensitet mesatar ose minimum 75 minuta aktivitet fizik energjetik gjatë javës, ose kombinim i barabartë i të dyjave. Ushtrimet për përforcimin e muskujve mjaftojnë të bëhen dy ose më shumë ditë në javë.

  • Grupmosha mbi 65 vjet

Maksimum 150 minuta  aktivitet fizik mesatar ose 75 minuta energjik gjatë javës mjafton për të mirëmbajtur kondicionin.

Te grupmosha nga 18-64 vjet, aktivitetit fizik përfshin aktivitete në kohën e lirë, si psh. ecja, vallëzimi, kopshtaria, noti, shëtitja me biçikletë, aktivitetet gjatë orarit të punës dhe në shtëpi, loja, sporti ose alpinizmi. Rekomandimet globale për aktivitetin fizik  janë preventiva primare nga sëmundjet joinfektive tek popullata, ndërsa qëllim primar për krijuesit e politikave në rrafsh kombëtar.

Tekst i marrë nga www.who.int (Organizata Botërore e Shëndetësisë)

Përshtati : Instituti i shëndetit publik