Dita universale e të drejtave të fëmijëve u themelua në vitin 1954 nga Kombet e Bashkuara dhe shënohet më 20 nëntor për çdo vit. Kjo ditë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për të drejtat e fëmijëve dhe përmirësimin e mirëqenies të tyre.

Ditën universale të fëmijëve e kanë shënuar dy ngjarje të mëdha: në vitin 1959 Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka miratuar Deklaratën për të drejtat e fëmijëve, ndërsa po atë ditë tridhjetë vite më vonë, në vitin 1989 u miratua Konventa për të drejtat e fëmijëve të cilën në vitin 1993 e ratifikoi edhe Republika e Maqedonisë.

Konventa për të drejtat e fëmijëve[1] është dokument i cili ka numrin më të madh të ratifikimeve nga shtetet, duke e deklaruar kështu fuqishëm vullnetin për përmirësimin e të drejtave të fëmijëve, të theksuara me dispozitat e konventës për mbrojtjen e të drejtave dhe mundësinë për pjesëmarrje në aktivitete, si dhe për zbatimin e standardeve minimale për mbrojtje shëndetësore, arsimim dhe mbrojtje sociale.

Republika e Maqedonisë është vend i cili ka nënshkruar Konventën për të drejtat e fëmijëve dhe dy Protokollet e saj: Protokollin fakultativ për tregti me fëmijët, prostitucionin dhe pornografinë me fëmijë[2] dhe Protokollin fakultativ për pjesëmarrjen e fëmijëve në konflikte të armatosura[3].

 

Në Republikën e Maqedonisë ekziston një Koalicion i organizatave joqeveritare për monitorimin e të drejtave të fëmijëve dhe që është themeluar me iniciativë të Ambasadës së parë të fëmijëve Megjashi në vitin 1997. Koalicioni është i përbërë nga organizata qytetare të cilat një pjesë të veprimtarisë së tyre ia kanë dedikuar të drejtave të fëmijëve.

 

Nevoja për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve buron nga fakti se ata paraqesin një grup shoqëror shumë të ndjeshëm që shumë lehtë mund jetë pre e keqtrajtimit dhe dhunës.  Sipas OKB-së, fëmijët janë të ekspozuar ndaj dhunës, eksploatimit, viktimizimit të përditshëm nga të rriturit, por edhe ndaj urisë, sëmundjeve dhe mungesës së kushteve socio-ekonomike për një jetë të shëndetshme dhe aktive në shtetet të cilat konsiderohen si të varfra, ose në vendet në zhvillim.

 

Të gjithë fëmijët dhe të rinjtë i kanë të drejtat e njëjta – kanë të drejtë për shkallën maksimale të mundshme të shëndetit, të drejtë për tu shkolluar falas, liri për ta shprehur mendimin e tyre dhe për tu dëgjuar. Fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtë për edukim të mirë. Prindërit e tyre dhe edukatorët e tjerë nuk duhet të përdorin dhunë, t’i keqtrajtojnë dhe t’i keqpërdorin fëmijët. Fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtë për ndihmë dhe mbrojtje të veçantë gjatë luftërave dhe emigrimit. Fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtë të jenë të mbrojtur nga puna shfrytëzuese dhe  keqpërdorimi seksual. Ata kanë të drejtë të jetojnë me prindërit e tyre dhe të jenë kontakt me të dy prindërit, nëse ato nuk jetojnë bashkë. Fëmijët dhe të rinjtë e hendikepuar kanë të drejtë për një mbështetje të veçantë, si dhe për pjesëmarrje aktive në jetën shoqërore.

 

Sa i përket shëndetësisë, fëmijëve u kushtohet një kujdes i veçantë. Në Republikën e Maqedonisë, sipas Entit shtetëror të statistikës, në vitin 2016 ka pasur 162 024 fëmijë në moshë nga 0 deri më 6 vjet dhe 308 811 fëmijë në moshë nga 7 deri në 19 vjet. Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë çdo vit përgatit një raport përmbledhës për mbrojtjen shëndetësore të fëmijëve nga 0 deri më 6 vjet. Në këtë Raport janë të përfshira të gjitha  qytetet dhe fshatrat në të gjithë vendin. Sipas Raportit të fundit për vitin 2016 me kontrolle sistematike janë përfshirë 60 743 fëmijë në moshë nga 0 deri më 6 vjet dhe janë realizuar  31 639 vizita kontrolluese. Në këshillimore janë vizituar  64 198 foshnja deri më 1 vjet, ndërsa këshillimoret i kanë vizituar edhe 47 229 fëmijë të tjerë.

Në ordinancë tek mjeku në vitin 2016 për vizitë janë drejtuar  1 167 877 fëmijë në moshë nga 0 deri më 6 vjet. Nga Raporti mund të shihet se në vitin 2016  3 403 e kanë vizituar psikologun, ndërsa në logoped kanë qenë 1 815 fëmijë. Krahasuar me vitet e kaluara, nuk ka ndonjë ndryshim të madh kur bëhet fjalë për kontrollet e fëmijëve të vegjël.

 

Nuk ka të drejta më pak ose më shumë të rëndësishme, ato nuk kanë hierarki. Çdo e drejtë në situatë të caktuar mund të bëhet më e rëndësishme për ndonjë fëmijë në veçanti ose në mjedisin ku jeton. Gjithsesi, të drejtat e fëmijëve nuk nënkuptojnë liri absolute që ata të bëjnë ç’të dëshirojnë. Esenca e të drejtave të fëmijës është që t’ju sigurojë jetë dhe zhvillim në një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt, ku do mund t’i realizojnë potencialet e tyre dhe të japin kontributin e tyre për shoqërinë si fëmijë dhe si të rritur.

Duke mësuar për të drejtat e tyre, fëmijët në të njëjtën kohë mësojnë se ato të drejta u përkasin edhe të tjerëve. Duke u angazhuar për respektimin e të drejtave personale, fëmijët zhvillojnë ndjesinë për përgjegjësi dhe respekt ndaj individëve dhe grupeve të tjera. Gjithashtu, duke marrë pjesë në vendimmarrje, fëmijët e kanë më të lehtë të marrin përgjegjësi për zbatimin e tyre.

 

Mësimdhënësit, edukatorët, punonjësit shëndetësor dhe social, avokatët, gjykatësit dhe përfaqësuesit e të gjitha profesioneve të cilët punojnë ose gjatë punës të tyre vijnë në kontakt me fëmijët kanë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Megjithatë, mbase rolin më të madh dhe më të rëndësishëm e kanë vetë prindërit, por thelbin e të drejtave të fëmijëve duhet ta dinë edhe vetë fëmijët. Duke i ditur dhe duke i kuptuar të gjitha të drejtat të cilat u përkasin që nga lindja dhe të cilat u janë garantuar me Konventën, fëmijët do piqen dhe do bëhen persona të përgjegjshëm të cilët do dinë të luftojnë për një realizim sa më të drejtë të të drejtave të tyre dhe do dinë t’i respektojnë të drejtat e të tjerëve.

 

 

Përgatiti:
Sektori për promovim, analizë dhe mbikëqyrje të sëmundjeve joinfektive

 

[1] Ligji për ratifikim e Konventës për të drejtat e fëmijëve, Gazeta zyrtare e Republikës Socialiste të Jugosllavisë, nr. 150/1990 – Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë, 1993.

[2] Ligji për ratifikimin e Protokollit fakultativ të Konventës për të drejtat e fëmijëve për tregti me fëmijët, prostitucion dhe pornografi të fëmijëve, Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë, nr. 44/2003, 3 korrik viti 2003 .

[3] Ligji për ratifikimin e Protokollit fakultativ të Konventës për të drejtat e fëmijëve për përfshirje të fëmijëve në konflikte të armatosura, Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë, nr. 44/2003.