
Paqja si faktor për ta ruajtur shëndetin
Luftërat kanë një ndikim të madh në paraqitjen e shumë problemeve socialo-mjekësore dhe në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të popullatës, sepse gjatë luftërave gjendja shëndetësore e popullatës ndryshon në mënyrë drastike, gjegjësisht përkeqësohet dhe prek tërë popullatën. Te fenomenet e ndërlikuara siç janë: shëndeti, paraqitja e sëmundjeve, rrjedha dhe pasojat e tyre, dallimet në shtrirjen kohore dhe territoriale të sëmundjeve, ndikojnë një numër i madh i faktorëve.
Republika e Maqedonisë për momentin është e prekur nga kriza e refugjatëve, gjegjësisht nga lufta civile që tashmë dy vjet po shkatërron Sirinë. Kjo luftë tashmë ka kaluar në një fazë kur asnjë nga palët e përfshira në luftë nuk ka më konsideratë për jetën e njeriut.
Refugjatët në të shumtën e rasteve Maqedoninë e përdorin vetëm si vend transit, por në terren në bashkëpunim me Komisariatin e lartë për refugjatë (UNHCR) dhe partnerë e mbështetës të tjerë janë të përfshirë edhe shtatë ekipe mobile që veprojnë në dy vendkalimet kufitare, në Gjevgjeli dhe Tabanoc. Ekipet i përbëjnë mjekë dhe anëtarë të Kryqit të kuq të cilët mund të ofrojnë ndihmë të parë dhe të mbajnë nën kontroll situatën. Ekipet mobile janë të terren 24 orë në ditë.
Qëllimi kryesor u mjekësisë preventive është përmirësimi i shëndetit, parandalimi i shfaqjes dhe zhvillimit të sëmundjeve, ndërsa në kohë lufte paraqitet nevoja për një angazhim më të madh për kontrollimin konstant të gjendjes shëndetësore të popullatës.
Edhe gjatë kohës së paqes përgatitjet për luftë ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore në shumë aspekte, shpenzimet e mëdha për armatim ndikojnë shumë në gjendjen ekonomike, standardin jetësor, të ushqyerit, e kështu edhe në gjendjen shëndetësore të popullatës.
Për çdo vit Dita Ndërkombëtare e Paqes shënohet në 21 Shtator. Asambleja e përgjithshme e shpalli këtë ditë si ditë të përforcimit të idealeve për paqe mes gjithë kombeve dhe kombësive.
Tema e këtij viti “Partneritet për paqe – dinjitet për të gjithë”, ka për qëllim të theksojë rëndësinë e punës së përbashkët të gjithë segmenteve shoqërorë për të ruajtur paqen. Puna e Kombeve të Bashkuara do kishte qenë e pamundur pa partneritetet që kanë qenë aktiv gjatë krijimit të saj, si dhe mijëra partneriteteve që për çdo vit krijohen mes qeverive, sektorit civil, sektorit privat, grupeve fetare, e për të cilët Organizata ka nevojë për realizimin qëllimeve të saj në të ardhmen.
Në vitin 2001 Asambleja e përgjithshme e miratoi unanimisht rezolutën 55 / 282, me të cilën 21 shtatorin e shpalli si ditë ndërkombëtare kundër dhunës dhe të armëpushimit.
“U bëj thirrje të gjithë palëve të përfshira në luftë të ulin armët dhe të mbështesin armëpushimin global. Që t’ju them: Stop vrasjeve dhe shkatërrimit dhe të krijojmë një hapësirë për paqe të qëndrueshme! “.
Deklaratë e Sekretarit të përgjithshëm të KB, Ban Ki-Mun