Më 25 nëntor shënohet Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas, me të cilën fillon fushata “16 ditë aktivizëm kundër dhunës ndaj gruas” si një fushatë globale të cilën e shënojnë 1700 organizata në më shumë se 100 vende në botë. Fushata fillon në 25 nëntor me Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas, ndërsa përfundon më 10 dhjetor me Ditën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

25 nëntori është shpallur për Ditë ndërkombëtare të luftës kundër dhunës ndaj gruas në takimin e pare të feministeve në Amerikën Latine dhe Karaibe (Feminist Encuentro), që u mbajt në Bogota në vitin 1981. Në këtë takim gratë kanë folur për dhunën në familje, përdhunimet dhe keqtrajtimin seksual si dhe dhunë e vazhdueshme që i bën gratë të vuajnë, përfshirë këtu torturimin dhe dhunën e ushtruar ndaj të burgosurve politik. 25 nëntori u zgjodh si ditë në formë kujtimi të motrave Mirabel (Patriа, Minervа dhe Mariа Teresа), që janë vrarë brutalisht nga diktatori Rafael Trujillo në Republikën Domenikane në vitin 1960.

Deklarata e Kombeve të Bashkuara për eliminimin e dhunës ndaj gruas 48/104, është miratuar në 20 dhjetor të vitit 1993, ndërsa nga viti 1999 me rezolutën e KB 54/134, zyrtarisht për herë të parë fillon të shënohet në 25 nëntor si Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas.

Definicione

Konventa e këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftë kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje, ose e ashtuquajtura “Konventa e Stambollit” i miratoi këto definicione:

a “dhunë kundër grave” kuptohet si shkelje e të drejtave të njeriut dhe një formë diskriminimi kundër grave dhe nënkupton të gjitha aktet e dhunës gjinore që çojnë ose mund të çojnë në dëmtim ose vuajtje fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike për gratë, duke përfshirë kërcënime për kryerjen e këtyre akteve, shtrëngim ose heqje arbitrare të lirisë, qoftë nëse ndodh në jetën publike ose private;

b “dhunë në familje” nënkupton të gjitha aktet e dhunës fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike që ndodhin brenda familjes ose njësisë shtëpiake, ose ndërmjet ish bashkëshortëve ose partnerëve ose ndërmjet bashkëshortëve ose partnerëve aktualë, pavarësisht nga fakti nëse autori i veprës penale ndan ose ka ndarë të njëjtën banesë me viktimën;

c “gjini” nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për burrat dhe gratë;

d “dhunë gjinore kundër grave” nënkupton dhunën që drejtohet kundër një gruaje për faktin se ajo është grua ose që prek gratë në mënyrë disproporcionale; e “viktimë” nënkupton çdo person fizik që i nënshtrohet sjelljes së përcaktuar në pikat a dhe b; f “gra” përfshin vajzat nën moshën 18 vjeç.

Një kujdes i veçantë i është kushtuar llojeve të ndryshme të dhunës me bazë gjinore, të precizuara qartë me Konventën (dhuna psikike, përvidhja, martesat me detyrim, sakatimi gjenital i femrave, aborti i detyruar dhe sterilizimi i detyruar, si dhe ngacmimi seksual), duke pasur parasysh se ligjet dhe politikat nacionale kryesisht kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe lloje të caktuara të dhunës seksuale.

Dhuna ka disa forma: fizike, seksuale, psikike, ekonomike, strukturale dhe shpirtërore. Pjesa më e madhe d llojeve të dhunës ngërthejnë ne vete dhunën fizike, seksuale dhe psikike.

а. Dhuna fizike, seksuale dhe psikike që zhvillohet në familje përfshin rrahjen, keqtrajtimin seksual të fëmijëve që i përkasin gjinisë femërore në atë shtëpi, përdhunim të partnerit në martesë, sakatim gjenital të vajzave dhe veprime të tjera tradicionale që dëmtojnë gruan, dhunën jashtëmartesore, etj.

b. Dhuna fizike, seksuale dhe psikike që zhvillohet në komunitetin shoqëror përfshin përdhunimin, keqtrajtimin seksual, dhunën seksuale dhe keqtrajtimin seksual në vendin e punës,  në organizatat arsimore dhe në organizatat e tjera, tregtinë me gra dhe prostitucionin e detyruar.

c. Dhuna fizike, seksuale dhe psikike që mohohet apo që tolerohet nga shteti në të cilin ajo ndodh.

Të dhënat e fituara nga studime të ndryshme të realizuara në mbarë botën tregojnë se në të gjitha vendet, pa dallim a bëhet fjalë për vende të zhvilluara apo vende të pazhvilluara, pa dallim të përkatësisë fetare, kulturore, moshës apo statusit, gruaja më pak ose më shumë është e e ekspozuar ndaj ndonjë lloji të dhunës, qoftë kjo dhunë fizike, seksuale apo psikike. Dhuna si e tillë paraqet formën më të shpeshtë të shkeljes të të drejtave të njeriut në Evropë. Sipas të dhënave statistikore një në tre gra në botë është viktimë e dhunës nga partneri i saj, ndërsa një në 5 gra është viktimë potenciale e dhunës seksuale. Gratë në mbarë botën janë lëndë e dhunës, ndërsa madhësia dhe karakteri i vërtetë i këtij problemi shpesh mbesin sekret. Shkak për këtë është politika e butë ndëshkimore për rastet e dhunës ndaj gruas dhe kjo dërgon një mesazh të tmerrshëm se dhuna është legjitime dhe e pranuar në shoqëri, ndërsa brengos fakti që denoncimet penale shpesh anulohen për shkak të mungesës së provave, për shkak se viktima nuk do që të ngrejë padi, ose sepse vendos që të mos dëshmojë.

DHUNA NDAJ GRUAS NUK ARSYETOHET
DHUNA NDAJ GRUAS ËSHTË KRIM!

Referenca

1.http://www.womenngo.org.rs/prakticne-politike/kampanje/16-dana-aktivizma/160-16-dana-aktivizma-protiv-nasilja-nad-zenama;

2.http://www.coe.int/en/web/istanbul-convention/home;