West Nile virusi (WNV) është një arbovirus i cili i përket llojit flavivirus (kompleks antigjen i encefalitit japonez). Është zbuluar në vitin 1937 në Ugandë, dhe qarkullimi i tij në botën e gjallë është dokumentuar pothuajse në të gjitha kontinentet, Afrikë, Amerikë, Azi, Australi, Evropë dhe Lindje të Afërt.

Infeksioni WNV përcillet përmes vektorëve, e nga i cili më së shpeshti preken zogjtë e egër. Tek ata infeksioni përhapet me ndihmën e llojeve të ndryshme të mushkonjave.  Njerëzit dhe gjitarët, e sidomos kuajt janë nikoqirë të rastësishëm dhe kanë një rol të kufizuar në ciklin natyror.

Në të shumtën e rasteve njerëzit infektohen pas pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Sëmundja nuk përcillet nga një njeri tek tjetri, përveç se në rastet kur bëhet transfuzion i gjakut ose transplantim i organeve.

Periudha e inkubacionit zakonisht zgjat nga 3-14 ditë.

Rreth 80% e infeksioneve tek njerëzit kalojnë pa manifestuar simptoma. 20% e infeksioneve simptomatike zakonisht manifestohen  si ethe, që kalojnë vet, ndërsa më pak se 1% e infeksioneve kalojnë në forma të rënda, me pasqyrë të rëndë klinike dhe me potencial për të shkaktuar vdekjen e personit të infektuar (infektim i trurit, kores së trurit dhe paralizë).

Terapi nuk ka, ndërsa trajtimi kryesisht ka për qëllim shërimin e simptomave. Kujdesi mjekësor intensiv adekuat jep mundësi për një shkallë më të lartë të mbijetesës të të sëmurëve me forma të rënda të infeksionit WNV. Tek rastet e rënda shkalla e mortalitetit është nga 3-15% dhe rritet me rritjen e moshës.

Sa i përket personave të cilët i mbijetojnë infeksionit të rëndë, shërimi zgjat shumë kohë, me një lodhje të vazhdueshme, debulesë të muskulaturës, vështirësi në të ecurit, humbje të memories, depresion, etj.

Vaksinë kundër këtij infeksioni për njerëzit nuk ka (ka vetëm për kuajt).

Mënyra më e mirë për parandalim është evitimi i pickimit nga mushkonjat të cilat janë bartëse të sëmundjes.

Mbikëqyrja sezonale e kësaj sëmundjeje në Evropë realizohet nga muaji qershor deri në muajin nëntor, pra gjatë sezonit të përhapjes të mundshme, në kushte të pranisë masovike të mushkonjave, si vektor i sëmundjes.

Në vitin 2019, gjatë javës së dytë të muajit korrik janë raportuar rastet e para të rasteve me Ethe të Nilit perëndimor tek njerëzit brenda kufijve të BE-së për sezonin aktual, dhe atë në Greqi dhe në Rumani. Nga fillimi i sezonit për vitin 2019, e deri më 15 gusht, janë raportuar 68 raste të të prekurve në vendet anëtare të BE/LLM, përfshirë këtu edhe 6 raste të vdekjes.

  • Greqi               48 të sëmurë (4 raste të vdekjes)
  • Rumani            8 të sëmurë (2 raste të vdekjes)
  • Qipro               5 të sëmurë
  • Itali                    3 të sëmurë
  • Hungari           2 të sëmurë
  • Bullgari           1 i sëmurë
  • Francë             1 i sëmurë

 

Në vendet fqinje të BE-së (vende të cilat nuk janë anëtare të BE-së), këtë vit është raportuar vetëm një rast, në Serbi.

Sa i përket kafshëve, gjatë këtij sezoni janë raportuar 7 epidemi të WNF tek kuajt dhe atë Greqi (6) dhe Itali (1).

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në periudhën nga viti 2011 kur edhe u regjistruan rastet e para të Etheve të Nilit perëndimor, e deri në vitin 2018, janë raportuar gjithsej 22 raste të sëmundjes nga të cilat 3 kanë pasur vdekjen si rezultat. Në periudhën nga viti 2016-2018 nuk ka pasur raste të regjistruara me infeksion të WNV tek njerëzit.

Gjatë vitit 2019, deri më 21.08.2019, në vendin tonë është regjistruar një rast me Ethe të Nilit perëndimor, dhe atë në muajin gusht.

 

Në Evropë ka një përhapje autoktone të arboviruseve. Rreziku i përhapjes së mëtejme në Evropë është i lidhur me importimin e viruseve nga persona të cilët janë infektuar në zona ku këto vektorë janë të pranishëm(në Evropën kontinentale,  para së gjithash Mesdhe, në ishullin Madeira.

Potenciali epidemik i vektorëve të ndryshëm, si dhe mushkonjave, varet nga masiviteti i tyre, gjë që mundëson rrezikimin e shëndetit të njerëzve për një kohë të shkurtër, por gjithashtu kjo karakteristikë jep mundësi për shkatërrimin efikas të vektorëve, me çka shpejt do të ndërpritet vargu i përhapjes të sëmundjes.

Këto masa, për fat të keq, janë me efekt të përkohshëm ose jo të plotë, prandaj nevojitet përsëritje e aktiviteteve për shkatërrimin e vektorëve.

 

PARANDALIMI I SËMUNDJEVE QË PËRCILLEN NGA MUSHKONJAT

Masa që merren në mjedisin jetësor                                                                                                                           (zvogëlimi i numrit të mushkonjave dhe qëndrimit të tyre në mjediset me njerëz)

  • Parandaloni shumimin e mushkonjave në mjedisin tuaj:
  • Mos lini fuçi, kosha, objekte lundruese të hapura (varka, kanu) dhe goma të vjetra nëpër oborre në të cilat mund të mblidhet ujë shiu!
  • Pastrojini rregullisht ulluqet që të mundësoni derdhjen e ujit të mbledhur në to!
  • Mirëmbajeni pastërtinë nëpër pishina për not, pishina dekorative, shatërvanë!
  • Mos lejoni që në oborrin tuaj të bëhen këneta të vogla në vendet ku grumbullohet uji.

 

  • Zvogëlojeni mundësinë nga pickimi i mushkonjave:
  • Përdorni qirinj të aromatizuar, spirale, si dhe preparate repelente për mbrojtje gjatë kohës që qëndroni në mjedise të hapura (oborr, kopsht).
  • Përdorni llamba speciale, fenerë, aparate të cilat me ndihmën e tingujve i dëbojnë mushkonjat.
  • Vendosni rrjeta mbrojtëse tek dyert dhe dritaret e shtëpisë tuaj.
  • Evitoni daljet dhe qëndrimin në mjedise të hapura në agim dhe muzg sepse në atë periudhë mushkonjat janë më aktive.

 

Masa për mbrojtje personale nga pickimi i mushkonjave

  • Vishumi me rroba të cilat do e mbulojnë pjesën më të madhe të trupit/lëkurës tuaj (pantallona dhe këmisha me mëngë të gjata)!
  • Përdorni mjete mbrojtëse (repelentë) në formë të kremërave, sprajëve, losioneve, të cilat i dëbojnë mushkonjat!
  • Këto preparate mos i aplikoni në pjesë të lëkurës ku keni prerje, plagë të hapura, nën rroba, rreth syve dhe buzëve, tek pëllëmbët e duarve! Kini kujdes kur i aplikoni ato në lëkurën e fëmijëve të vegjël!!!
  • Udhëtarët që udhëtojnë drejt vendeve ku janë evidentuar sëmundje të cilat përcillen nga mushkonjat detyrimisht të përdorin repelentë dhe të kujdesen që krevatët ku do flejnë të jenë të mbuluar me rrjeta!!!
  • Pas kthimit në shtëpi, këto persona të jenë të vetëdijshëm për infektimin e mundshëm gjatë qëndrimit në rajone të tilla, dhe ta mbikëqyrin gjendjen e tyre shëndetësore! Nëse tek ato shfaqen shenja të sëmundjes, menjëherë të drejtohen te mjeku dhe ta njoftojnë atë për qëndrimin që kanë pasur në rajone ku ekzistojnë sëmundje të cilat përcillen nga mushkonjat. Diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi në kohë mund të parandalojnë paraqitjen e formave të rënda të sëmundjes, e cila mund të ketë si pasojë çrregullimin  e shëndetit, madje edhe vdekjen.