Të nderuar,

Dita Botërore e shëndetit – 7 prilli është një nga mundësitë e shumta për të komunikuar për rëndësinë e barazisë sa i përket shërbimeve shëndetësore, jo vetëm për shëndetin e individëve, por edhe atë të ekonomive dhe shoqërisë në përgjithësi. Në këtë Ditë Botërore të shëndetit, OBSH-ja është përqendruar tek Mbulimi shëndetësor universal.

Shëndeti është e drejtë e njeriut; është koha për shëndet për të gjithë.

Ne e dimë se mbulimi shëndetësor universal është i mundshëm!

Mbulimi shëndetësor universal do të thotë që të gjithë njerëzit kanë qasje në shërbime shëndetësore cilësore për të cilat kanë nevojë, pa u përballur me vështirësi financiare.

  • Së paku gjysma e popullatës në botë për momentin nuk i pranojnë shërbimet shëndetësore për të cilat kanë nevojë.
  • Pothuajse 100 milionë njerëz jetojnë në varfëri të skajshme, sepse duhet që shërbimet shëndetësore t’i paguajnë nga xhepi i tyre. Më shumë se 800 milionë njerëz (pothuajse 12% e popullatës botërore) shpenzojnë së paku 10% nga buxheti familjar për shpenzime shëndetësore.
  • Kërkesa gjithnjë e në rritje për punonjës shëndetësor, deri në vitin 2030 pritet të shtojë rreth 40 milionë vende pune në shëndetësi në ekonominë globale.
  • Sipas OJQ ESE në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 35% e popullatës shpenzon para nga xhepi për shërbime shëndetësore.

Dita botërore e shëndetit në vitin 2019 shënohet mes Konferencës botërore për mbrojtjen shëndetësore primare që u mbajt në Astana, Kazakistan, në tetor të vitit 2018 dhe takimit në nivel të lartë për Mbulimin shëndetësor universal që do të mbahet në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të vitit 2019.@

Mbrojtja shëndetësore primare duhet të jetë niveli i parë i kontaktit me sistemin shëndetësor, ku individët , familjet, komunitetet do e pranojnë pjesën më të madhe të mbrojtjes shëndetësore – duke filluar që nga promovimi dhe parandalimi deri tek trajtimi, rehabilitimi dhe kujdesi paliativ – sa më afër vendit ku punojnë dhe jetojnë.

Mbrojtja shëndetësore primare përfshin pjesën më të madhe të nevojave shëndetësore gjatë jetës së një individi, përfshirë këtu edhe shërbimet si skriningu për problemet shëndetësore, vaksinat, informacionet për atë se si mund të parandalohen sëmundjet, planifikimi i familjes, trajtimi i sëmundjeve afatgjate dhe afatshkurtër, koordinimi me nivele të tjera të kujdesit dhe rehabilitimit.  

OBSH-ja përdor 16 shërbime shëndetësore të domosdoshme të ndara në 4 kategori si tregues të nivelit dhe barazisë së Mbulimit Shëndetësor Universal në vende të ndryshme:

  1. Shëndeti riprodhues, shëndeti i nënës, i të porsalindurve dhe i fëmijëve.
  2. Sëmundjet infektive
  3. Sëmundjet jo infektive
  4. Kapaciteti dhe qasja në shërbime

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka një angazhim të vazhdueshëm për një mbulim universal me shërbime shëndetësore që shihet përmes disa treguesve të veçantë.  Pra, ekziston një tendencë e zvogëlimit të vdekshmërisë tek foshnjat ( nga 11,7 foshnja të vdekura në 1000 foshnja të porsalindura të gjalla në vitin 2009, në 9,2 foshnja të vdekura në 1000 foshnja të porsalindura të gjalla në vitin 2017), shkalla e lindjeve me ndihmë profesionale vazhdon të mbetet rreth 99%, shkalla e incidencës nga tuberkulozi ka rënë nga 20,5 në 100 000 banorë në vitin 2010, në 10,5 në 100 000 banorë në vitin 2018, përfshirja me vaksina sillet mesatarisht nga 85-90% varësisht nga vaksinimi dhe rivaksinimi i kryer, programet për skrining për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje zbatohen në vazhdimësi, si dhe për më shumë gjendje të tjera për të cilat ka hapësirë për përmirësim.

Punonjësit shëndetësor primar kanë një rol qenësor në edukimin e pacientëve për atë se si të kujdesen për shëndetin e tyre, për koordinimin e kujdesit dhe në angazhimin për nevojat e pacientëve të tyre tek menaxhuesit e institucioneve shëndetësore dhe krijuesit e politikave.