Ç’është melanoma?

Melanoma është kanceri më serioz dhe më malinj i lëkurës. Përmes limfës dhe gjakut përhapet shumë shpejt në pjesët e tjera të trupit e pastaj trajtimi i tij është shumë më i vështirë, ndërsa pasojat mund të jenë fatale. Mund të shfaqet edhe në pjesë të tjera të trupit.

Melanoma buron nga melanocitet, qelizat të cilat e krijojnë melaninën, pigmentin i cili i jep ngjyrë lëkurës, flokëve dhe syve. Në lëkurë melanocitet janë të vendosura mes qelizave bazale, në membranën bazale nga ku prodhojnë melaninën. Në të shumtën e rasteve melanomat kanë ngjyrë kafe ose të zezë, por ndonjëherë mund të jenë edhe me ngjyrë të njëjtë si lëkura, të kuqe, ngjyrë vjollcë, të kaltra ose të bardha.

melanom 1

Në të shumtën e rasteve melanomat krijohen nga nishanet ekzistuese, dhe rrallë herë nga lëkura. Rreziku për shfaqjen e melanomës ekziston edhe tek të ashtuquajturit nishane të zakonshme të cilët preken shpesh, gjegjësisht janë në vende ku shpesh mund të fërkohen (rripa të sutjenave, butona, rrip, gjatë rruajtjes, etj.) Dallojmë katër nëntipa të melanomës: melanomë me përhapje sipërfaqësore, me përhapje nodulare,  lentigo malinje dhe lentiginoze akrale.

Melanoma mund të shfaqet në të gjitha pjesët e trupit, si tek pjesët që vazhdimisht janë të ekspozuara ndaj rrezeve të diellit, ashtu edhe te pjesët e mbrojtura nga rrobat. Te meshkujt melanoma në të shumtën e rasteve shfaqet në gjithë trupin, ndërsa tek femrat më shpesh shfaqet në kurriz dhe te këmbët. Nëntipi i malinjitetit mund të ndikojë në mënyrën se ku do zhvillohet melanoma; lentigo melanoma më shpesh shfaqet në fytyrë, ndërsa melanoma lengitinoze akrale më shpesh shfaqet tek pëllëmbët e duarve, shputat ose tek thonjtë.

melanom 2

 

 

Përhapja e melanomës

Numri i të sëmurëve nga melanoma po shënon një rritje të vazhdueshme dhe kohëve të fundit melanoma është një nga tumoret me përhapje më të madhe. Numri i të sëmurëve për çdo vit shënon një rritje prej 4-5%, që do të thotë se numri i të sëmurëve çdo 10-15 vjet dyfishohet.

Në Evropë në vit sëmurën 14 në 100 000 njerëz. Gjatë pesë viteve të fundit melanoma ka zënë vendin në listën e sëmundjeve malinje më të shpeshta. Në Evropë, femrat sëmuren nga melanoma më shumë se meshkujt, ndërsa në SHBA ky raport është i barabartë. Studime të shumta tregojnë se femrat e prekura nga melanoma kanë shkallë më të lartë mbijetese se meshkujt. Arsye për këtë mund të jetë fakti që femrat i kushtojnë një kujdes më të madhe pamjes së tyre, i vënë re më herët ndryshimet e lëkurës e kështu më herët drejtohet tek mjeku. Nga kjo mund të përfundojmë se faktor qenësor për një rezultat pozitiv është zbulimi i hershëm i melanomës. Melanoma në të shumtën e  rasteve  shfaqet rreth moshës 50 vjeçare, përveç melanomës lentigo malinje që kryesisht shfaqet rreth moshës 70 vjeçare, zakonisht në lëkurë e cila është ekspozuar për një kohë të gjatë ndaj diellit (duar, fytyrë). Gjatë viteve të fundit melanoma gjithnjë e më shumë po shfaqet tek popullata e re në moshë nga 25 deri më 44 vjet, e shumë rrallë edhe tek adoleshentët.

Melanoma kryesisht shfaqet tek popullata që i përket rasës së bardhë, ndërsa tek popullata e rasës së verdhë dhe të zezë është shumë e rrallë. Më së shumti është e përhapur në Australi dhe në vendet ku rrezatimi diellor është mjaft intensiv.

Të sëmurët nga melanoma , krahasuar me personat e tjerë, janë më të rrezikuar nga shfaqja e një melanome tjetër primare. Tek personat të cilët paraprakisht kanë vuajtur nga ndonjë tumor tjetër malinj të lëkurës ekziston mundësi më e madhe që të zhvillohet melanomë.

Në Republikën e Maqedonisë në vitin 2018 numri i  përgjithshëm i rasteve të reja me melanomë është 133, me një incidencë prej 6,4/100 000 banorë. Numri i meshkujve të prekur është 82, me incidencë prej 7,9/100 000 banorë, ndërsa tek femrat është 51, me një incidencë prej 4,9/100 000 banorë. Nga melanoma në vitin 2018 kanë vdekur 68 persona, ose 3,3  të vdekur 100.000 banorë, nga të cilët 50 janë meshkuj, ndërsa 18 janë femra. Shkalla e mortalitetit tek meshkujt është 4,8 në 100 000 meshkuj, ndërsa tek femrat 1,7 në 100 000 femra.

 

 

Rrezatimi i diellit

 

Edhe pse ekzistojnë faktorë të shumtë të rrezikut, kanceri në lëkurë zakonisht shkaktohet nga rrezet UV të diellit. Ekspozimi i tepërt ndaj këtyre rrezeve është shkaktari më i shpeshtë i të gjitha formave të kancerit të lëkurës.

Dy lloje kryesore të rrezeve UV ndaj të cilave ekspozohemi depërtojnë në thellësi të ndryshme të lëkurës. Ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve të diellit do fillojë të dëmtojë ADN-në dhe indin e lëkurës. Në rastet më të mira, këto rreze mund të shkaktojnë rrudhosje ose plakje të hershme të lëkurës. Në rastin më të keq, ato shkaktojnë dëmtim të përhershëm të lëkurës, që ka si rezultat paraqitjen e kancerit në lëkurë.

Ekspozimi i kufizuar ndaj rrezeve të diellit është i mirë për të gjithë ne. Rrezet e diellit stimulojnë prodhimin e vitaminës D3, që është mjaft e rëndësishme për një shëndet të mirë, rritje dhe zhvillim të drejtë dhe kocka të forta. Megjithatë, e gjitha që na mjafton është vetëm një dozë e vogël diell për çdo ditë.

Përderisa, nga njëra anë, dielli na bën të ndjehemi mirë, nga ana tjetër dëmet që dielli i shkakton në lëkurë dhe në trup, i tejkalon efektet pozitive afatshkurtra, siç është disponimi i mirë.

Dëmtimet e lëkurës të shkaktuara nga dielli janë të përhershme. Nëse djegiet mund të shërohen, ndryshimet më të thella mbesin përgjithmonë. Çdo ekspozim i radhës dëmton edhe më shumë sistemin imunitar lokal të dëmtuar dhe materialin gjenetik të lëkurës.

Ekzistojnë tre lloje kryesore të rrezeve UV të diellit. Rrezet më të rrezikshme UV-C absorbohen tërësisht nga ana e mbështjellësit të ozonit. Dy llojet e tjerë, UV-A dhe UV-B, kanë efekte të ndryshme tek trupi i njeriut.

 

Indeksi UV

 

 

Indeksi UV është njësi matëse shkencore e ndërkombëtare për nivelin e rrezatimit UV nga dielli. Përdoret për të përshkruar fuqinë e diellit në një vend dhe kohë të caktuar. Indeksi shtrihet nga 1-11. Sa më i lartë të jetë Indeksi UV, aq më i lartë është rreziku nga dëmtimi i lëkurës.

melanom 3

Burimi: World Health Organisation

Kush është i rrezikuar?

Faktorë rreziku për shfaqjen e melanomës:

 

  • ekspozimi i tepërt (i pakontrolluar) ndaj rrezeve të diellit, gjegjësisht ndaj rrezeve ultraviolet (profesion ose hobi)
  • pigmentimi i lëkurës (personat me lëkurë më të bardhë)
  • personat në moshë mbi 50 vjet
  • personat që kanë më shumë se 50 nishane
  • persona me familjarë të prekur nga melanoma
  • persona që kanë qenë të sëmurë nga melanoma
  • djegiet e lëkurës nga rrezet e diellit
  • rrezatimi intensiv për një kohë shumë të shkurtër (gjatë pushimeve verore), ose gjatë fundjavës
  • frekuentimi i solariumit
  • trajtimi me rrezatim
  • imuniteti i dobësuar nga kimioterapia, pas transplantimit të organeve, ose nga HIV/SIDA.

 

Si ta dallojmë rrezikun dhe për cilat shenja duhet pasur kujdes?

 

Rreziku nga paraqitja e kancerit të lëkurës shpesh herë lidhet me gjenet tona. Të gjithë individët të cilët dinë për raste të personave të prekur nga kanceri i lëkurës brenda familjes së tyre dhe kanë tip të lëkurës e cila mban në vete një rrezik më të madh për zhvillimin e kësaj sëmundjeje, duhet të marrin masa për parandalim dhe një herë në vit të vizitojnë dermatologun. Melanoma, shpesh, nuk mund të vihet re në shikim të parë sepse është e vështirë të bëhet dallimi nga nishanet e zakonshme ose tumoret e tjerë beninje.

Për diagnostikimin e hershëm të melanomës përdoret rregulli А-B-C-D-E. Ndryshimi është i dyshimtë nëse është asimetrik (А),  nuk ka kufij të qartë (B) , ka ndryshuar ngjyrë (C), dhe nëse diametri është më i madh se 6 mm. (D). Evolucioni (Е), siç është ndryshimi i ngjyrës, madhësisë, formës, sipërfaqes, përshkallëzimit dhe simptomave si kruarja ose gjakosja janë shenjat kryesore për malinjitet. Gjithashtu, shfaqja e ndryshimeve të reja në lëkurë të pastër e të shëndetshme tek personat më të vjetër se 40 vjet konsiderohen si ndryshime të dyshimta dhe në ato raste duhet të vizitohet dermatologu.

 melanom 4

 

 

Mbroje lëkurën

Nuk mund të ndikohet tek faktorët gjenetik të rrezikut nga melanoma, siç është ngjyra e hapur e lëkurës, nishanet e shumta ose historia e rasteve me melanomë tek familjarët, megjithatë rreziku nga shfaqja e melanomës mund të zvogëlohet dukshëm duke ndjekur disa rregulla të thjeshta.

Ekspozimi ndaj diellit

Përfundimisht duhet të evitohet ekspozimi i papritur, intensiv dhe i drejtpërdrejtë ndaj rrezeve të diellit. Qëllimi kryesor është të parandalohen djegiet – skuqja e lëkurës pas ekspozimit në diell. Djegie më të rrezikshme janë ato që shkaktojnë flluska ose dhimbje së saku për 48 orë. Prandaj duhet evituar ekspozimi i gjatë dhe i drejpërdrejtë ndaj rrezeve të diellit, sidomos në intervalin kohor nga ora 11 deri në orën 15.

Krema me faktor

 

Krema me faktor duhet të jetë me faktorin më të lartë – dhe të mundësojë mbrojtje të njëjtë si nga rrezet UV-A edhe nga ato UV – B. Veprimi i kremës me faktor fillon gjysmë ore pas aplikimit në lëkurë dhe zgjat nga 2-3 orë. Prandaj, krema me faktor duhet të aplikohet në lëkurë gjysmë ore para ekspozimit në diell dhe të riaplikohet në çdo dy orë.

 

 

Hija/temperatura

 

Edhe nën hije mund të vijë tek djegia e lëkurës nga rrezet e reflektuara të diellit, përveç se në rastet kur përdoren masa shtesë për mbrojtje nga dielli. Nuk duhet harruar se rrezet e diellit reflektohen në sipërfaqe të ndryshme, dëborë, ujë, rërë, beton dhe bar, si dhe mund të depërtojnë edhe nëpër re. Mjetet mbrojtëse duhet të përdoren edhe gjatë motit me vrenjtësira. Rrezet UV nuk na japin ndjesinë e ngrohtësisë, kështu që nëse fryn erë mund të gënjehemi e të mendojmë se mund të dalim pa nevojë të mbrohemi.

 

Veshjet

Veshjet mundësojnë mbrojtjen më të mirë nga rrezatimi intensiv i diellit. Bluzat me mëngë të gjata janë më të përshtatshme se atom e mëngë të shkurtra. Rrobat me ngjyra të mbyllura mundësojnë mbrojtje më të mirë se ata me ngjyra të hapura. Materiali i veshjeve duhet të jetë i dendur. Kapela me strehë të gjerë dhe syzet e diellit mundësojnë 99-100% mbrojtje nga rrezet UV-a dhe UV B. për fëmijët duhet të zgjidhen veshje që do I mbrojnë nga dielli.

 

 

Kozmetika dhe barnat

 

Disa barna të caktuara e rrisin ndjeshmërinë ndaj dritës. Për këtë do ishte mirë të bisedohet me mjekun para ekspozimit në diell. Deodorantët, kozmetika dhe parfumet mund të shkaktojnë një reaksion të padëshiruar ndaj diellit ose pigmentim të përhershëm. Prandaj, përdorimi i tyre duhet të evitohet para ekspozimit ndaj diellit.

 

Vetëkontrolli i lëkurës

 

Bëni një vetëkontroll të shpejtë me ndihmën e pasqyrës:

Kontrolli duhet të përfshijë të gjithë trupin, nga para dhe nga pas, me një kujdes të veçantë pjesëve të cilat i ekspozohen rrezeve të diellit.

 

 Kontrollojeni fytyrën, përfshirë këtu edhe hundën, buzët, gojën dhe veshët.

samopregled na koza 1

Kontrollojeni lëkurën e kokës, përdorni krehër për të ndarë flokët në shtresa. Nëse nuk keni shumë flokë mos harroni t’i bëni kontroll të hollësishëm të gjithë lëkurës së kokës.

samopregled na koza 2

Kontrollojini pëllëmbët e duarve nga të dy anët, mes gishtave dhe thonjtë.

samopregled na koza 3

Kontrollojeni qafën, pjesën e barkut dhe gjoksin (gratë duhet ta kontrollojnë me shumë kujdes pjesën nën gji).

samopregled na koza 4

Ngreni krahun dhe kontrollojini bërrylat, nënsqetullat dhe pjesën e sipërme të krahut.

samopregled na koza 5

Me ndihmën e një pasqyreje të vogël në një pasqyrë më të madhe kontrollojeni pjesën e pasme të qafës, supet, kurrizin,  pjesën e pasme të vitheve.

samopregled na koza 6

Kontrollojini të pasmet dhe pjesën e pasme të shalëve. Përfundoni me kontrollimin e shputave.

 samopregled na koza 7

 

 

Hapat e ardhshëm

 

Nëse vini re ndryshime në lëkurë, doemos duhet të vizitoni mjekun ose dermatologun sa më parë të jetë e mundur.

 

Kanceri i lëkurës mund të trajtohet, ndërsa diagnostikimi i hershëm rrit mundësitë për shërim të plotë.

 

Nëse shtyhet trajtimi, gjendja mund të përkeqësohet, ndërsa në disa raste mund të shkaktojë deformitete, komplikime, madje edhe vdekje.

 

Mos lejoni që kjo të zvogëlojë mundësinë që ju të keni një rezultat pozitiv.

 

 

 

Rregullat e arta:

 

Mos e injoroni, me shpresë se do kalojë.

Mos prisni të shihni se si do zhvillohet, apo që të kalojë vetë.

Mos supozoni se nuk është asgjë serioze.

Mos mendoni se nuk është prioritet.

Dhe mbi të gjitha, mos kini frikë ta vizitoni mjekun ose dermatologun tuaj.

 

 

 

Përgatiti:

 

Njësia për promovimin e shëndetit dhe mbikyqërjen e sëmundjeve