Java Botërore e Ushqyerjes me Gji (WBW) është një fushatë globale për ndërgjegjësim dhe për të ndërmarrë veprime lidhur me temat që kanë të bëjnë me ushqyerjen me gji. Java Botërore e Ushqyerjes me Gji filloi të shënohet në vitin 1992, me tema vjetore që përfshijnë sistemet shëndetësore, zhvillimin e një kodi ndërkombëtar marketingu për qumështin formulë, mbështetjen e komunitetit, ekologjinë, ekonominë, shkencën dhe arsimin dhe të drejtat e njeriut. Nga viti 2016, Java Botërore e Ushqyerjes me Gji është përafruar me Qëllimet për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDGs). Në vitin 2018, rezoluta e Asamblesë Botërore të Shëndetësisë miratoi Javën Botërore të Ushqyerjes me Gji si një strategji të rëndësishme për të promovuar ushqyerjen me gji. Motoja e Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji për këtë vit është: Bëni një hap përpara – edukoni dhe mbështesni ushqyerjen me gji.
Java Botërore e Ushqyerjes me Gji #WBW2022 do të fokusohet në përforcimin e kapaciteteve të aktorëve të cilët duhet ta mbrojnë, promovojnë dhe mbështesin atë në nivele të ndryshme të shoqërisë. Këta aktorë përbëjnë zinxhirin për mbështetje të ushqyerjes me gji. I gjithë publiku, përfshirë këtu edhe qeveritë, sistemet shëndetësore, punonjësit në institucione, komunitetet, do të informohen, edukohen dhe autorizohen për të përforcuar kapacitetin e tyre për sigurimin dhe mirëmbajtjen e mjedise të përshtatshme për ushqyerje me gji për familjet në një botë pas pandemisë. Ushqyerja me gji luan një rol të rëndësishëm në menaxhimin e ngarkesës së dyfishtë të kequshqyerjes. Ushqyerja me gji është qenëore për strategjitë për zhvillim të qëndrueshëm pas pandemisë, pasi përmirëson të ushqyerit, siguron sigurinë ushqimore dhe redukton pabarazitë midis dhe brenda vendeve. Tema e këtij viti është përafruar me fushën tematike 1 të fushatës WBW – SDG 2030 e cila thekson lidhjet midis ushqyerjes me gji dhe ushqimit të mirë, sigurisë ushqimore dhe zvogëlimit të pabarazive.
Qumështi i nënës është ushqimi ideal për foshnjat. Është i sigurt, i pastër dhe përmban antitrupa që ndihmojnë në mbrojtjen kundër shumë sëmundjeve të zakonshme të fëmijërisë. Qumështi i nënës siguron të gjithë energjinë dhe lëndët ushqyese që i nevojiten një foshnjeje për muajt e parë të jetës dhe vazhdon të sigurojë deri në gjysmën ose më shumë të nevojave ushqyese të fëmijës gjatë gjysmës së dytë të vitit të parë dhe deri në një të tretën gjatë vitit të dytë të jetës. Zëvendësimet joadekuate (formula e përshtatur) vazhdojnë të minojnë përpjekjet për të përmirësuar shkallën dhe kohëzgjatjen e ushqyerjes me gji në mbarë botën.
Statusi global i ushqyerjes me gji
Ushqyerja optimale me gji është jetike për shëndetin e mirë dhe mirëqenien e nënave dhe fëmijëve gjatë gjithë jetës.
- Në mbarë botën 3 nga 5 foshnja nuk ushqehen me gji në orën e parë të jetës.
- Çdo vit mund të shpëtohen mbi 820,000 fëmijë nëse të gjithë fëmijët nga 0 deri në 23 muaj do të ushqeheshin në mënyrë optimale me gji.
- Vetëm 41% e foshnjave nën moshën 6 muajsh ushqehen ekskluzivisht me gji.
OBSH dhe UNICEF rekomandojnë:
- Fillim të hershëm të ushqyerjes me gji brenda 1 ore pas lindjes.
- Ushqyerje vetëm me gji në 6 muajt e parë të jetës.
- Ushqyerje të vazhdueshme me gji deri në moshën 2 vjeç ose më shumë, me futjen e ushqimit të ngurtë shtesë adekuat nga mosha 6 muajsh.
Organizata Botërore e Shëndetësisë në mënyrë aktive promovon ushqyerjen me gji si burimin më të mirë të të ushqyerit për foshnjat dhe fëmijët e vegjël dhe po punon për të rritur shkallën e ushqyerjes ekskluzive me gji në 6 muajt e parë të paktën në 50% deri në vitin 2025. OBSH dhe UNICEF krijuan “Kolektivin Global të Ushqyerjes me Gji” për të mbledhur mbështetje politike, ligjore, financiare dhe publike për ushqyerjen me gji. Kolektivi bashkon zbatues dhe donatorë nga qeveritë, filantropitë, organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile. OBSH gjithashtu ofron kurse trajnimi për punonjësit shëndetësor për të mundësuar mbështetje të kualifikuar për nënat gjidhënëse, për t’i ndihmuar ato të kapërcejnë problemet dhe të ndjekin rritjen e fëmijës.
UNICEF në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik të RMV-së, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës krijuan aplikacionin e ri celular Bebbo si mbështetje për prindërit. Aplikacioni ofron mbështetjen e nevojshme me këshilla praktike për prindër pozitiv. Në aplikacion mund të gjeni dhe lexoni mjete dhe këshilla të dobishme për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve nga 0-6 vjeç, si dhe këshilla të dobishme për ushqyerjen me gji dhe kujdesin ndaj foshnjave.