Java e parandalimit të kancerit të qafës së mitrës është një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për rrezikun nga kanceri i qafës së mitrës dhe për të ndihmuar gratë të mësojnë se si t’i reduktojnë këto rreziqe dhe ta parandalojnë sëmundjen. Kjo javë shënohet çdo nga data 23 deri më 29 janar dhe ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për kancerin e qafës së mitrës.

Kanceri i qafës së mitrës është një kancer i shpeshtë tek gratë mbi 35 vjet dhe 75% e rasteve të kancerit të qafës së mitrës mund të parandalohen me metodat për parandalim. Java e parandalimit të kancerit të qafës së mitrës i inkurajon gratë të zvogëlojnë rrezikun e sëmundjes përmes promovimit të hapave që mund t’i ndërmarrin për t’u kujdesur për shëndetin e tyre.

Ne duhet të rrisim ndërgjegjësimin duke:

  • Ndarë informacion për skriningun për kancerin e qafës së mitrës
  • Ndarë informacion në lidhje me simptomat dhe diagnozën e kancerit të qafës së mitrës
  • Ndarë informacion rreth vaksinimit kundër HPV

 

Çfarë është kanceri i qafës së mitrës?

 

Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje serioze, e cila zakonisht në fazat e hershme nuk jep asnjë simptomë, prandaj është e vështirë të zbulohet, por simptomat zakonisht shfaqen pasi sëmundja të jetë përhapur. Simptomat që shfaq kjo sëmundje mund të ndahen në 2 grupe, simptoma që shfaqen në fazën e hershme të sëmundjes dhe simptoma që shfaqen në fazën e mëvonshme të sëmundjes.

Në fazën e hershme të sëmundjes shfaqet:

– Dhimbje në komblik

– Gjakderdhje vagjinale pas menopauzës

– Gjakderdhje vagjinale pas aktit seksual

– Sekrecione anormale vagjinale

 

Në fazën e mëvonshme të sëmundjes shfaqen:

– Vështirësi gjatë jashtëqitjes me gjakderdhje rektale

– Dobësi, plogështi dhe humbje në peshë

– Vështirësi gjatë urinimit

– Dhimbje të forta barku

– Ënjtje e këmbëve

 

Siç e thamë edhe më parë, kjo sëmundje është e vështirë për t’u diagnostikuar sepse kur shfaqen simptomat është shumë vonë, prandaj mënyra më e mirë për t’iu qasur kësaj sëmundjeje është parandalimi. Gjërat më të rëndësishme që mund t’i bëni për të ndihmuar në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës janë të vaksinoheni kundër HPV-së, të bëni teste të rregullta dhe t’i drejtoheni mjekut nëse rezultatet e testit tuaj të skriningut janë jonormale.

 

Skrining për zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës

Skriningu i organizuar për zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës përfshin gratë e moshës 36 deri në 45 vjeç, të cilat nuk kanë bërë PAP test në tre vitet e fundit. Kjo mundëson punimin e një PAP testi, i cili do të zbulonte praninë e mundshme të ndryshimeve prekanceroze apo kanceroze.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vitin 2021 në kuadër të skriningut janë kryer 26217 testime. Anomali citologjike janë zbuluar tek 2070 prej tyre.

rak alb

 

Vaksinimi HPV

Human papilloma virus ose HPV është virusi seksualisht i transmetueshëm më i shpeshtë. Ai prek në mënyrë të barabartë si burrat ashtu edhe gratë dhe mund të transmetohet pa praninë e asnjë simptome. Llojet e HPV-së 16 dhe 18 janë shkaktarët më të shpeshtë të kancerit të qafës së mitrës, ndërsa llojet 6 dhe 11 më së shpeshti shkaktojnë lytha gjenitale. Si një metodë parandalimi, një vaksinë që synon të gjitha këto nëntipe është në dispozicion për vajzat dhe gratë e moshës 9-26 vjeç. Në vendin tonë ajo është pjesë e kalendarit të imunizimit dhe jepet në moshën 12-vjeçare.

Kjo mundëson zhvillimin e imunitetit që në moshë më të hershme, pra para se të jenë seksualisht aktiv. Vaksina jepet në 3 doza, doza e dytë 2 muaj pas të parës dhe e treta 6 muaj pas dozës së parë.

 

Me zhvillimin e mjekësisë moderne, është bërë i mundur trajtimi dhe diagnostikimi efektiv i shumë sëmundjeve, por për sëmundje të tilla si kanceri i qafës së mitrës parandalimi mbetet qenësor. Prandaj u bëjmë thirrje të gjitha femrave që ta vizitojnë rregullisht gjinekologun dhe të ndjekin rekomandimet për parandalim, sepse trajtimi i kësaj sëmundjeje është i mundur vetëm me zbulimin e hershëm.

 

Përgatiti:

 

DEPARTAMENTI I PROMOVIMIT TË SHËNDETIT DHE I NDJEKJES SË SËMUNDJEVE