NëntoriMuaji ndërkombëtar për shëndetin e meshkujve

 

Si edhe vitet e kaluara edhe këtë vit në mbarë botën po shënohet Muaji ndërkombëtar për shëndetin e meshkujve. Në kuadër të fushatave shëndetësore në këtë muaj theksi vihet tek parandalimi i kancerit të prostatës, sëmundje kjo që po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë, por që nëse zbulohet në kohë edhe mund të shërohet.

Çfarë është kanceri i prostatës?

Kanceri i prostatës është një sëmundje malinje. Prostata është një gjëndër e vendosur poshtë fshikëzës dhe para rektumit. Funksioni i saj është të prodhojë lëng që ushqen dhe transporton spermën. Kanceri i prostatës shfaqet kur qelizat që e ndërtojnë murin e saj fillojnë të rriten në mënyrë jonormale.

Cilat lloje të kancerit të prostatës ekzistojnë?

Pothuajse të gjitha neoplazmat malinje të prostatës janë adenokarcinoma, pra e kanë origjinën nga qelizat e gjëndrave të prostatës. Lloje të tjera të mundshme, por të rralla janë: karcinomat e qelizave të vogla, karcinomat e qelizave kalimtare dhe disa tumore neuroendokrine.

Gjendjet që mund t’i paraprijnë kancerit të prostatës

Hulumtimet tregojnë për një lidhshmëri të lartë mes gjendjeve të caktuara shëndetësore dhe rritjes jonormale të qelizave, të cilat mund t’i paraprijnë dhe të rezultojnë me zhvillim të kancerit të prostatës. Një nga ato është neoplazia intraepiteliale e prostatës. Mund të jetë me qeliza të shkallës së ulët (kur ka rrije të numrit të qelizave, por janë me strukturë normale si edhe qelizat e shëndetshme të prostatës) dhe me qeliza të shkallës së lartë (ndarjet e qelizave janë më të shpeshta dhe qelizat janë me strukturë të parregullt).

Faktorët e rrezikut për kancerin e prostatës

Ka një sërë faktorësh rreziku për zhvillimin e kancerit të prostatës:

-Mosha (kjo gjendje është e rrallë tek meshkujt nën 40 vjeç, kështu që me rritjen e moshës rritet edhe rreziku)

-Përkatësia etnike (më e shpeshtë tek meshkujt me origjinë afrikane)

-Historia familjare (rastet e të prekurve nga kjo sëmundje në mesin e të afërmve)

-Mutacionet gjenetike (mutacionet në gjenet BRCA1 dhe BRCA2, të cilët ndikojnë edhe në zhvillimin e kancerit të gjirit dhe vezoreve, gjithashtu mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të kancerit të prostatës)

-Pirja e duhanit dhe mënyra e të ushqyerit

-Sëmundjet inflamatore të prostatës

-Sëmundjet seksualisht të transmetueshme

 

Skriningu i meshkujve për zbulimin e hershëm të kancerit të prostatës

Për të patur një diagnozë definitive për praninë e kancerit të prostatës, diagnoza duhet të konfirmohet duke bërë një biopsi. Disa teste jo invazive mund të tregojnë praninë e anomalive të prostatës. Të tilla janë analiza e PSA – antigjenit specifik të prostatës dhe ekzaminimi dixhital rektal i prostatës.

Analiza e PSA kryhet duke marrë një mostër gjaku dhe duke i analizuar vlerat e tij. Nëse vlerat e PSA janë nën 4 ng / mL, rezultati konsiderohet si i rregullt. Por nëse janë më të larta rekomandohet konsultimi me urologun dhe ekzaminimi i mëtejshëm dhe të paktën eko e prostatës.

Ekzaminimi dixhital rektal mundëson një ekzaminim manual, gjatë të cilit vërehen parregullsi në formën dhe sipërfaqen e prostatës, të cilat mund të jenë tregues të një sëmundjeje ekzistuese të prostatës. Procedura e ndjekjes së mëtejshme është e njëjtë si për PSA, me ç’rast pacientëve që nuk kanë bërë një analizë të PSA u këshillohet ta bëjnë sa më parë.

Shenjat dhe simptomat e kancerit të prostatës

-Gjaku në urinë

-Vështirësi gjatë urinimit , rrjedhje e dobët dhe me ndërprerje, urinim i shpeshtë gjatë natës

-Disfunksioni erektil

-Dhimbje

-Nevojë e pakontrolluar për të urinuar

 

Trajtimi i kancerit të prostatës

Gjendja me kancerin e prostatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Në vitin 2020, në Republikën e Maqedonisë së Veriut  nga kanceri i prostatës kanë vdekur 243 persona. Nga ata, 142 kanë qenë mbi 75 vjeç, 75 në moshë nga 65-74 vjeç, 24 në moshë nga 55-64 vjeç dhe 2 në moshë nga 45-54 vjeç.

 

prostata alb

 

 

Burimi: Enti Shtetëror i Statistikave të RMV, Shkup, 2021

Këshilla

Zbulimi i hershëm i kancerit të prostatës është shumë i rëndësishëm për parandalimin e kësaj sëmundjeje. Nëse jeni mbi 40 vjeç, keni pasur një anëtar të familjes që ka pasur kancer të prostatës, ose ndjeni ndonjë nga simptomat, konsultohuni menjëherë me mjekun tuaj amë. Ai do t’ju udhëzojë që të mund t’i bëni analizat e nevojshme.

Zbulimi i hershëm i sëmundjes ofron një mundësi për trajtimin e saj me sukses.

 

Nëntori – Muaji ndërkombëtar për shëndetin e meshkujve

flaer

 

Përgatiti: Departamenti për Promovimin e Shëndetit dhe Monitorimin e Sëmundjeve