Listerioza është një infeksion i rëndë i cili zakonisht shkaktohet nga konsumimi i ushqimeve të kontaminuara me bakterin Listeria monocytogenes.

Edhe pse mund të manifestohet si një infeksion i rëndë, për fat të mirë ky infeksion relativisht rrallë prek njeriun. Më së shumti prek disa kategori të veçanta-grupet e rrezikuara të popullatës, në të cilat bëjnë pjesë të moshuarit, e sidomos ata mbi moshën 65 vjeçare, gratë shtatzëna dhe fetuset, por edhe foshnjat e porsalindura, personat me imunitet të dobët.

Shkalla vjetore e rasteve të regjistruara me këtë sëmundje në numrin më të madh të vendeve të BE-së sillet rreth 2.10 raste të regjistruara në 1.000.000 banorë(0,3/100.000 banorë, e shoqëruar me një shkallë të lartë mortaliteti (30% edhe më shumë te popullata e rrezikuar) dhe një shkallë  të lartë hospitalizimi (91%).

Në vitin 2006 listerioza ka qenë një ndër infeksionet zoonoze më të shpeshta të regjistruara në Evropë, pas Campylobacter, Salmonella,Yersinia, и infeksionet VTEC.

Nga viti 2006 deri në vitin 2010 shkalla e rasteve të raportuara dhe të vërtetuara të listeriozës në vendet e BE-së ruan përafërsisht të njëjtin nivel (incidenca 0,33.0,38/100.000). Në vitin 2012 numri i rasteve të raportuara dhe të vërtetuara të listeriozës në vendet anëtare të BE-së shënon një rritje prej 10,5% krahasuar me vitin 2011.

Në SHBA ky bakter është përgjegjës për rreth 1600 persona të sëmurë dhe 260 raste vdekjeje në vit (incidenca 0,28/100.000) dhe është shkaktari i tretë me radhë për numrin e vdekjeve nga infeksionet bakteriale të cilat përcillen përmes ushqimit,me një shkallë vdekshmërie që i tejkalon madje edhe ato të Salmonella dhe Clostridium morbiditeti dhe mortaliteti i larët nga ky infeksion, si dhe përqindja e lartë e hospitalizimit të të sëmurëve ka ndikuar në ndërgjegjësimin për rëndësinë e sëmundjes dhe caktimin e prioriteteve për përmirësimin e mbikëqyrjes.

Shkaktar i infeksionit

Bakteret e llojit Listeria janë baktere kushtimisht anaerobe, që do të thotë se mund të mbijetojnë me dhe pa praninë e oksigjenit.

Listeria monocytogenes, bakteri gram. pozitiv i emërtuar sipas Xhozef Listerit,është shkaktari më i shpeshtë i sëmundjeve te njeriu. Rritet në temperaturë nga 1 deri më 44°C, me një rritje optimale në temperaturë prej 30-37 °C.

Shumohet relativisht shpejt në 7-10 °C. Rritet në produkte të ndryshme ushqimore dhe mjedise, është relativisht i rezistueshëm ndaj ngrirjes, tharjes, kripës, (>10%), dhe ph 5,0 e më shumë. Është i ndjeshëm në temperaturë të pasterizimit (15 minuta në 71,7°C ose 30 minuta në 62,8°C), dhe konsiderohet se produktet e pasterizuara nuk përmbajnë listeri.

Bakteri mund të përballojë temperaturat e ulëta dhe kripën, prandaj mund të mbijetojë tek ushqimet e përpunuara, te ushqimet e konservuara dhe te ushqimet që ruhen në frigorifer.

Listeria monocytogenes gjithashtu është e rezistueshme ndaj acideve, që është mjaft me rëndësi për mbijetimin e saj në acidet e lukthit.

Toleranca ndaj acideve është si rezultat i pranisë së sistemit të enzimave glutamat dekarboksilaza.

Doza infektive për këtë patogjen dallon tek nikoqirë të ndryshëm, personat me çrregullim në imunitet dhe me sëmundje kronike janë më të prekur nga ky infeksion. Edhe pse nuk ka ndonjë studim  që jep të dhëna të sakta për dozën infektive, duke u bazuar në të dhëna epidemiologjike mendohet se doza infektive për personat me imunitet të komprometuar sillet nga 100 – 1000 baktere. Tek personat e shëndetshëm tek të cilët sëmundja manifestohet në formë më pak serioze, doza e nevojshme infektive sillet nga 108-1010 baktere.

Simptomat

Listerioza mund të shkaktojë një spektër të gjerë simptomash. Disa pacientë mund të mos manifestojnë kurrfarë simptomash. Kjo zakonisht ndodh te personat e shëndetshëm. Personat paraprakisht të shëndetshëm, si dhe gratë që nuk janë shtatzëna shpesh e kalojnë sëmundjen me simptoma të një infeksioni akut të zorrëve, ose inflamacion të lukthit dhe zorrëve (të vjella, dhembje stomaku dhe diarre, përgjumësi, dhimbje koke, ethe).

Gjithashtu, mund të ndjejnë edhe lodhje, dhimbje të muskujve, të vjella dhe dhimbje në fyt (simptoma të ngjashme me gripin).

Komplikimet

Infeksioni me Listeria mund të shkaktojë sëmundje serioze, më së shpeshti te personat me sëmundje kronike, te personat e moshuar ose te personat me imunitet të çrregulluar. Simptomat dhe gjendjet e rënda që mund të manifestohen përfshijnë: sepsë, inflamacion të trurit dhe mbështjellësit të trurit, inflamacion të mbështjellësit të zemrës, apcese, inflamacion dhe infeksion të nyjeve. Te gratë shtatzëna me infeksion pasqyra klinike mund të tregojë vetëm për një sëmundje të lehtë, por ai mund të shkaktojë edhe abort spontan, lindje të parakohshme, ose lindje të një foshnje të vdekur.

Tek foshnjat e porsalindura gjithashtu mund të paraqiten simptoma të një sëmundjeje të rëndë, si për shembull, meningjit, meningoencefalit, që mund të shkaktojë vdekje.

Si përhapet infeksioni

Bakteri i cili shkakton listeriozën është mjaft i përhapur në mjedisin ku jetojmë dhe e gjejmë në tokë, ujërat sipërfaqësor, bimët dhe tek një numër i madh i kafshëve të egra dhe ato shtëpiake. Sa i përket kafshëve shtëpiake ai më së shumti gjendet tek delet, dhitë, gjedhët, etj, por e gjejmë edhe tek brejtësit, qentë, macet, derrat, shpezët, papagajtë dhe kanarinat.

Një numër i madh i kafshëve të egra dhe ato shtëpiake, gjitarë, shpezë, peshq dhe aragosta mund të jenë bartës të bakterit, por të mos kenë kurrfarë simptomash.

Kafshët shtëpiake zakonisht sëmuren përmes ushqimit të kontaminuar, të ndotur nga brejtësit dhe kafshët e egra, si dhe të fermentuar keq nëpër ambarë.

Numri më i madh i njerëzve sëmuren përmes konsumimit të ushqimit të ndotur, por mund të ndodhë që bakteri të përhapet përmes kontakteve të drejtpërdrejta, si dhe përmes frymëmarrjes.

Ushqime të cilat më së shpeshti lidhen me përhapjen e kësaj janë: mishi dhe produktet e mishit (salsiçe, kremviçe, pate, mishra të konservuara); qumështi dhe produktet e pa pasterizuara të qumështit, si djathi i butë, djathi krem, gjalpi, sidomos nëse janë përgatitur me qumësht të pa pasterizuar; peshku i freskët dhe ai i tymosur dhe frutat e detit; mishi i ngrirë dhe produktet e mishit; frutat dhe perimet e freskëta dhe të ngrira; sallata dhe sanduiçe të përgatitura paraprakisht; fara të mbira të gatshme për konsumim.

Infeksioni mund të përcillet edhe përmes frutave dhe perimeve të freskëta të kontaminuara, sidomos shalqirit dhe pjeprit (janë të njohura disa epidemi në botë).

Rrugë të tjera të përhapjes të infeksionit mund të jenë:

Kontakti i drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara, organet e tyre, indet dhe tajitjet trupore, ose mjedisin e kontaminuar ku ato jetojnë.

Gratë shtatzëna mund ta përcjellin infeksionin te foshnja e porsalindur përmes placentës, ose gjatë lindjes.

Analizat laboratorike për vërtetimin e infeksionit me histeria bëhen tek mostra të marra nga gjaku, ose nga lëngu cerebrospinal.

Bëhen edhe analiza laboratorike të ushqimeve dhe mostrave të marra nga mjedisi jetësor, që kanë për qëllim zbulimin e bakterit të listeriozës.

Shërimi

Trajtimi bëhet me antibiotikët përkatës.

Si të evitohet kjo sëmundje (mjetet për parandalim)

Masat e parandalimit janë të ngjashme si dhe ato për të gjitha sëmundjet e tjera që përhapen përmes ushqimit dhe zoonozave.

-të mos konsumohet ushqim i pa gatuar me prejardhje nga kafshët, produktet nga kafshët të përpunohem mirë termikisht, për një kohë të mjaftueshme dhe në temperatura mjaft të larta.

- produktet e përgatitura paraprakisht (produkte të gatshme ose gjysmë të gatshme) dhe ushqimet e ngrira, si dhe ushqimet e shpejta, nuk duhen ruajtur shumë gjatë kohë, dhe para se të konsumohen duhet të ngrohen rishtas, por jo më shumë se një herë.

-të konsumohet vetëm qumësht i pasterizuar dhe prodhime qumështi të prodhuara vetëm nga qumësht i pasterizuar, sepse gjatë procesit të pasterizimit bëhet shkatërrimi i baktereve.

-duart të lahen mirë, si dhe sipërfaqet punuese dhe mjetet e përdorura në kuzhinë, para dhe pas përgatitjes së ushqimit.

- frigoriferët ku ruhen ushqimet të pastrohen dhe të lahem mirë shpesh.

- perimet e freskëta, pemët dhe sallatat të lahen mirë dhe gjatë nën ujë të rrjedhshëm para se të konsumohen, priten ose gatuhen, madje edhe kur janë të qëruara.

Personat më të rrezikuar

-personat me imunitet të dobët, më të moshuarit dhe sidomos gratë shtatzëna duhet të kenë kujdes e të ndjekin masat e rekomanduara dh t’i shmangen konsumimit të djathit të butë, djathit krem, produkteve të mishit, salsiçe, kremviçe, produkte të mishit të thatë dhe sallata e ushqime nga restorantet për ushqim të shpejtë, ushqimi i ftohur të mos ringrohet, si dhe të evitohen kontakte me gratë shtatzëna dhe kafshët e porsalindura.

Vaksina

Nuk ka vaksinë kundër listeriozën.

Nëse në një kapacitet prodhimi konstatohet se ka produkt të kontaminuar me Listeria, atëherë fabrika e cila ka prodhuar produktin e kontaminuar pastrohet rrënjësisht, i nënshtrohet sanitacionit përkatës, rishqyrtohet zbatimi i kritereve të sistemit HACCP, bëhet analiza e rreziqeve dhe pikave kritike të kontrollit, deri sa të mos prodhohen më produkte me Listeria monocytogenes.

Si pjesë shtesë e masave të kontrollit në kapacitetet prodhuese/përpunuese, agjencitë regullatore në vendet evropiane zbatojnë edhe edukim të konsumatorëve, me qëllim që të zvogëlohet prania e listeriozës në ushqim. Kjo përfshin edukim për gatimin rrënjësor të lëndëve të para me prejardhje shtazore, pastrim rrënjësor të perimeve të freskëta para se ato të konsumohen, ruajtja e misit dhe perimeve në enë të veçanta, të mos përdoren prodhime të bëra nga qumështi i pa pasterizuar, duart të lehen mirë, pajisjet, thikat, dërrasat për prerje të lahen pas përfundimit të përgatitjes së ushqimit