Qëllimi kryesor është një – deri në vitin 2050 të mos ketë më viktima nga kanceri i zorrës së trashë.

Kanceri i zorrës së trashë zë vendin e tretë për nga vdekshmëria në mbarë botën. Por kjo nuk do të thotë se gjithmonë duhet të ketë si rezultat vdekjen, sepse ai mund të mjekohet dhe të shërohet, sidomos kur diagnostikohet në fazë të hershme. Me diagnostikim të hershëm dhe skrining të rregullt, shkalla e mbijetimit është inkurajuese, ndërkohë që në vitet e fundit është bërë një përparim i madh sa i përket mundësive për trajtimin e kancerit kolorektal.

SIMPTOMAT MË TË SHPESHTA TË KANCERIT TË ZORRËS SË TRASHË

■ Gjakderdhje nga zorra e trashë ose jashtëqitje me gjak

■ Ndryshim të shprehive të zorrës së trashë

■ Jashtëqitje më të holla nga zakonisht

■ Probleme me stomakun,fryrje dhe ngërçe

■ Diarre, kapsllëk ose ndjesi se lëvizja në zorrën e trashë nuk zhvillohet lirshëm

■ Rënie në peshë pa ndonjë shkak të dukshëm

■ Plogështi

■ Të vjella

Faktorët e rrezikut

  • Historia familjare – Kanceri i zorrës së trashë mund të paraqitet tek personat të cilët kanë familjarë që kanë vuajtur nga kjo sëmundje. Tek rreth 5% e të prekurve nga kanceri i zorrës së trashë, si shkak konsiderohen predispozitat gjenetike.
  • Kanceri i zorrës së trashë prek njësoj edhe gratë edhe burrat. Zakonisht paraqitet në moshë mbi 50 vjet, por mund të prekë edhe persona në moshë më të re.
  • Sëmundjet paraprake. Pacientët të cilëve paraprakisht u janë hequr polipe ose ato që kanë pasur kancer në zorrën e trashë, janë më të rrezikuar nga kanceri i zorrës së trashë.
  • Sëmundje inflamatore të zorrës së trashë. Personat që vuajnë nga sëmundja e Kron-it, ose koliti ulçeroz, mund të kenë rrezik më të madh nga kanceri i zorrës së trashë.
  •  Është vërtetuar se mbipesha në mënyrë të drejpërdrejtë ndikon në paraqitjen e  kancerit të zorrës së trashë.
  • Ushqimi dhe stili i jetesës. Ushqimi i varfër me fibra bimore, e i pasur me yndyrna, si dhe stili joaktiv i të jetuarit, mund të rrisin rrezikun nga kanceri i zorrës së trashë,

 

PARANDALIMI I RREZIKUT NGA KKR DHE ZBULIMI I HERSHËM

Ka disa mënyra që mund të ndikojnë në zvogëlimin e rrezikut nga paraqitja e KKR dhe llojeve të tjera të kancerit.

  • Mënyra e të ushqyerit

Hulumtimet tregojnë se më pak ushqim i yndyrshëm, ndërsa më shumë ushqim i pasur me fibra, sasi më të mëdha të frutave dhe perimeve (së paku 5 vakte në ditë) dhe drithëra integrale, ndikon në zvogëlimin e rrezikut nga KKR. Konsumimi i mishit të kuq dhe përpunimet e mishit rekomandohet të konsumohen më së shumti një deri dy herë në javë.

  • Aktiviteti fizik

Ekzistojnë shumë dëshmi që tregojnë se aktiviteti i rregullt fizik kontribuon në zvogëlimin e rrezikut nga kanceri kolorektal. Rekomandohet së paku 30 minuta aktivitet intensiv së paku 5 ditë në javë. Ushtrimet do të duhet të ndikojnë në përshpejtimin e punës së zemrës. Një shembull për ushtrime të tilla do kishin qenë ecja e shpejtë ose ngjitja në kodër.

  • Mirëmbajtja e peshës trupore

Çdo njeri duhet të tentojë ta mirëmbajë peshën e duhur të trupit. Ndryshimet në të ushqyerit dhe aktiviteti i rregullt fizik mund të ndikojnë në mirëmbajtjen e peshës trupore në kufijtë e normales.

  • Pirja e duhanit

Pirja e duhanit është një nga shkaqet udhëheqëse për paraqitjen e KKR, lënia e duhanit e zvogëlon rrezikun për shfaqjen e kancerit të zorrës së trashë, si dhe llojet e tjera të kancerit. Zbulimi i hershëm i KKR mund të shpëtojë jetën! Personat që bëjnë pjesë në kategorinë e personave me rrezik mesatar nga KKR, duhet të fillojnë me skrining të rregullt në moshë 50 vjeçare. Personat që janë me rrezik të lartë, duhet të fillojnë me skrining në moshë më të re. Personat mbi 75 vjet duhet të këshillohen me mjekun amë nëse duhet të vazhdojnë me skriningun.

Bisedoni me mjekun tuaj për të parë nëse dhe kur duhet të bëni kontrollin për kancer kolorektal.

Gjatë këtij muaji mars – Ndihmoni në ngritjen e vetëdijes për parandalimin e kancerit të zorrës së trashë!

 

 

Përgatiti: Njësia për promovimin e shëndetit dhe ndjekjen e sëmundjeve