1. HYRJE

Programi kombëtar për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje është në pajtim me rezolutën për parandalimin dhe kontrollin e neoplazmave malinje të miratuar nga Organizatës botërore të shëndetësisë  në takimin e 58 në Gjenevë, në vitin 2005 dhe me rekomandimet e BE-së  (2003/878/EU) nga data 2003/12/02. Programi për zbulimin e hershëm të kancerit kolorektal përfshin skriningun, i cili përmirëson dukshëm shëndetin e popullatës, si masë preventive për zbulimin e kancerit të zorrës së trashë në fazë fillestare ose në fazën e ashtuquajtur lezione premalinje – polipe, kur mundësitë për trajtim dhe / ose shërim janë shumë më të mëdha.

Rekomandimet dhe udhëzimet për skrining të KKR i referohen popullatës me rrezik mesatar nga kjo sëmundje dhe pa simptoma specifike. Në vitin 2020 u formua Komisioni kombëtar për zbulimin e hershëm dhe skriningun e kancerit të zorrës së trashë, që ka për qëllim të përmirësojë cilësinë e skriningut, zbulimin e hershëm dhe trajtimin e kancerit të zorrës së trashë dhe ta zvogëlojë dallimin mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të BE-së sa i përket cilësisë, zbulimit të hershëm dhe trajtimit të pacientëve. Tek personat në moshë 50 vjeçare do të bëhet kolonoskopi, ndërsa të tjerët do i nënshtrohen skriningut me teste FOB dhe në rast të një rezultati pozitiv, do udhëzohen për analiza të mëtutjeshme dhe kolonoskopi. Personat të cilët kanë simptoma, që kanë rrezik më të madh ose shumë të madh për të zhvilluar KKR, duhet tu nënshtrohen procedurave standarde për diagnostikim në moshë më të re dhe ato t’i realizojnë në intervale të caktuara paraprakisht.

Përvojat botërore në aplikimin e testit për gjakun okult në jashtëqitje (FOBT), si dhe skriningu për zbulimin e hershëm të kancerit të zorrës së trashë janë shpalosur në studimet studimet e realizuara në SHBA (Nju Jork, monitorimi 10 vjeçar i zbatuar tek 22.000 persona ka treguar  rënie të vdekshmërisë nga KKR për 43%, grup i synuar kanë qenë personat në moshë 40 e më shumë vjet), Angli (Notingam, monitorin 7-8 vjeçar i zbatuar tek 152.850 persona, ka treguar rënie të vdekshmërisë nga KKR për 15%, grup i synuar kanë qenë prsonat në moshë nga 50-74 vjet). Rezultatet e studimit 18 vjeçar të zbatuar në Minesota tek 46.000 persona në moshë nga 50 deri më 80 vjet ka treguar një rënie të vdekshmërisë nga KKR për 33%, nëse tresti FOB përsëritet për çdo vit, ose për 21% nëse testi FOB përsëritet në çdo dy vjet.

Programi për zbulimin e hershëm të KKR është efektiv në preventivën sekondare për shkak se kanceri i zorrës së trashë zakonisht zhvillohet nga polipet adenomatoze. Adenomat mund të shfaqen kudo në kolon, pas një sërë mutacionesh të cilat shkaktojnë formimin e neoplazmave epiteliale. Adenomat zmadhohen dhe mund të zhvillojnë displazion të shkallës së lartë, por nëse e prekin edhe submukozën ato kalojnë në malinje. Rreth 5-6% e popullatës zhvillon KKR. Tranzicioni nga adenoma beninje në malinje është një proces i gjatë, i cili mesatarisht zgjat rreth 10 vjet, më çka mundësohet zbulim i hershëm dhe mënjanim i lezioneve premalinje. Parashikimi është shumë më i mirë nëse kanceri zbulohet në fazën asimptomatike ose në fazë të hershme simptomatike, sepse atëherë në të shumtën e rasteve tumori është i lokalizuar, trajtimi është më i lehtë dhe mundësia për shërim të plotë është më e madhe. Nëse zbulohet në fazë të adenomës, mënjanimi i adenomës e parandalon shkallën e incidencës së KKR. Madje edhe nëse zbulohet kancer në fazë të hershme, parashikimi është shumë më i mirë se sa kur zbulohet në fazë më të avancuar. Programi për zbulimin e hershëm të kancerit kolorektal përmirëson dukshëm shëndetin e popullatës, nëse i njëjti është i dizajnuar mirë dhe nëse përfundimet nxirren nga e gjithë popullata e synuar.

Programi për skrining mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse përveç aktiviteteve për zbulim të hershëm të KKR sigurohen edhe kushte për diagnostikim, trajtim adekuat dhe cilësi më e mirë e jetës së pacientëve. Organizimi i programit për zbulimin e hershëm të kancerit paraqet një veprimtari multidisciplinare. Për realizimin e tij nevojitet një mbështetje më e gjerë, e fuqishme dhe e pamohueshme shoqërore, politike dhe finaciare, e cila praqet një garanci për arritjen e qëllimeve programore të caktuara.

 

  1. GJENDJA EPIDEMIOLOGJIKE

 

Shkalla e incidencës dhe mortalitetit të kancerit kolorektal (KKR) dallon dukshëm në vendet e ndryshme në botë. Në rrafsh global, KKR është kanceri i tretë me radhë më shpesh i diagnostikuar tek meshkujt dhe femrat, me 1.849. 518 raste të reja  ose (10.2%), dhe me 880.792 ose (9.2%) vdekje në vitin 2018, kjo  sipas bazës të të dhënave GLOBOCAN të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.Shpeshtësia e sëmurjes është dukshëm më  e madhe tek meshkujt se sa tek femrat.

Në SHBA, edhe incidenca edhe vdekshmëria, ngadalë, por gradualisht po shënojnë rënie. Në vit diagnostikohen rreth 145.600 raste të reja të kancerit të zorrës së trashë, nga të cilat 101.420 në zorrën e trashë, ndërsa rastet e tjera janë kancer rektal. Gjatë një viti, rreth 50.630 amerikanë vdesin nga KKR, që paraqet rreth 8% të numrit të përgjithshëm të vdekjeve nga të gjitha llojet e kancerit. Sipas raportimeve të arritura pranë Institutit të shëndetit publik, në vitin 2018 kemi 839 raste të reja me KKR, nga të cilat 500 meshkuj dhe 339 femra, dhe po atë vit kanë vdekur 3.733 persona nga neoplazmat malinje si shkak kryesor i vdekjes. Neoplazmat malinje janë shkaktari i dytë me radhë i vdekjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në strukturën e numrit të përgjithshëm të personave të vdekur, menjëherë pas sëmundjeve të sistemit të qarkullimit të gjakut.

Incidenca – në rrafsh global, incidenca rajonale e KKR ndryshon për më shumë se 10 herë. Shkallë më të lartë të incidencës ka në Australi dhe Zelandë të re, Evropë dhe Amerikë Veriore, ndërsa shkallë më të ulët ka në Afrikë dhe Azi jugore dhe qendrore. Këto dallime gjeografike u referohen dallimeve në të ushqyerit dhe në mjedisin jetësor, të cilat imponohen mbi bazë të predispozitave të caktuara gjenetike.

Statusi i ulët socio-ekonomik (СЕС) gjithashtu ka të bëjë me rritjen e rrezikut nga KKR; sipas një studimi rreziku tek popullata me CEC më të ulët është për 30% më i lartë se sa tek popullata me CEC më të lartë. Mendohet se sjellja e modifikuar, siç është mungesa e aktivitetit fizik, të ushqyerit jo pashëndetshëm, pirja e duhanit dhe mbipesha, paraqesin një përqindje të konsiderueshme (nga 1/3 deri në 1/2) të disparitetit socio-ekonomik të rrezikut nga KKR. Shkalla më e ulët e skriningut për KKR, është e rëndësishme tek popullata më e varfër.

KKR shënon një rënie për rreth 2% në vit. Shkalla e incidencës tek numri më i madh i vendeve perëndimore ka qenë stabile ose ka shënuar rritje gjatë kësaj periudhe. Përkundër kësaj, shkalla e incidencës së KKR shënoi një rritje të shpejtë në disa zona me rrezik të ulët, përfshirë Spanjën dhe një numër të madh të vendeve në Azinë lindore dhe Evropën lindore.

Mosha është faktori kryesor i rrezikut për KKR sporadike. Kanceri i zorrës së trashë është i pazakontë para moshës 40 vjeçare. Incidenca fillon të rritet dukshëm në moshë nga 40 deri në 50 vjet, ndërsa shkalla e incidencës specifike për moshën rritet në secilën dekadë të ardhshme më pas  (Foto 1).

Të dhënat e fundit nga baza e të dhënave të SHBA për mbikëqyrje dhe epidemiologji dhe nga regjistra të tjerë për kancerin, tregojnë se incidenca e KKR rritet tek grupmosha nën 50 vjet, ndërsa bie tek grupmoshat më të mëdha. Në SHBA, incidenca e KKR tek meshkujt dhe femrat në moshë nën 50 vjet, nga viti 1992 deri në vitin 2013, rritet vazhdimisht me një shkallë prej 2% në vit.  Disa regjistra raportojnë për incidencë më të lartë të KKR, madje edhe tek të rinjtë në moshë nga 20 deri më 39 vjet, edhe pse incidenca absolute tek kjo grupmoshë mbetet dukshëm më e ulët se sa tek personat mbi 50 vjet. Literatura aktuale sugjeron se mbi 86% e të diagnostikuarve nën moshën 50 vjet kanë simptoma të sëmundjes, gjë që nënkupton se sëmundja është në fazë më të avancuar dhe rezultatet e trajtimit mund të jenë më të dobëta. Për momentin, pjesa më e madhe e udhëzimeve nuk rekomandojnë  skrining për personat nën 50 vjet e që janë asimptomatik, përveç se në rastet kur kanë pasur të afërt e familjarë të prekur nga KKR. Megjithatë, në vitin 2018, Shoqata Amerikane për kancerin lëshoi një rekomandim të “kualifikuar” për të filluar skriningu i personave me rrezik mesatar për KKR në moshën 45 vjeçare.

 

  1. FAKTORËT E RREZIKUT

Rreziku nga kanceri kolorektal rritet pas moshës 40 vjeçare, kështu që KKR shfaqet në 90% të rasteve tek personat mbi 50 vjet. Çdo person në moshë mbi 50 vjet bart 5% rrezik që deri në moshën 74 vjet do zhvillojë KKR, gjegjësisht 2,5% rrezik se do vdesë nga KKR. Simptoma që asociojnë kancerin e zorrës së trashë në fazë të hershme  nuk ka, por në fazë më të avancuar si simptoma të KKR mund të jenë: gjakderdhje nga zorra e trashë ose jashtëqitje me gjak, ndryshime të shprehive të zorrës së trashë, jashtëqitje të cilat janë më të holla se zakonisht, probleme të përgjithshme me stomakun, si fryerja dhe ngërçet, diarrea, konstipacioni, ose ndjesia se lëvizja në zorrën e trashë has në pengesa, rënia në peshë pa ndonjë shkak evident, ligështia  e përgjithshme, të vjellat dhe anemia. Sa i përket rrezikut nga KKR njerëzit ndahen në: persona me rrezik mesatar (popullata e përgjithshme), me rrezik mesatarisht të lartë dhe persona me rrezik të lartë për të zhvilluar KKR, kështu që Shoqata Amerikane  për kancerin rekomandoi skrining të të gjithë popullatës sipas rrezikut. Personat që kanë polipe, ose që kanë të afërt dhe familjarë që kanë polipe dhe/ose kancer të zorrës së trashë, ose nëse vuajnë nga sëmundje inflamatore të zorrëve (koliti ulçerativ, sëmundja e Kronit) bëjnë pjesë në grupin e personave me rrezik mesatarisht të lartë.

Rrezik të lartë kanë personat të cilët në familjen e tyre kanë sindroma polipoze dhe/ose kancer kolorektal jopolipoz të trashëguar (HNPCC). Tek personat me anamnezë paraprake të kancerit të lukthit, gjinjve, vezorëve, uretrës, fshikëzës së urinës, veshkëve, mitrës, mushkërive dhe prostatës, rreziku për të zhvilluar kancer të zorrës së trashë është poashtu i lartë. Një numër i madh i studimeve epidemiologjike e kanë analizuar ndikimin e faktorëve të jashtëm (të ushqyerit, regjimin dietiko-higjienik, aktivitetin fizik), si faktorë rreziku të cilët mund të kontribuojnë për zhvillimin e kancerit të zorrës së trashë. Mbipesha dhe diabeti  paraqesin faktorë për rrezik mesatar të lartë, ndërsa pirja e duhanit si faktor për rrezik të lartë nga KKR,  e sidomos për zhvillimin e adenomave.

Parandalimi i rreziqeve dhe zbulimi i hershëm i KKR

Ka disa mënyra që mund të ndikojnë në zvogëlimin e rrezikut nga paraqitja e KKR dhe llojeve të tjera të kancerit.

  • Mënyra e të ushqyerit

Hulumtimet tregojnë se më pak ushqim i yndyrshëm, ndërsa më shumë ushqim i pasur me fibra, sasi më të mëdha të frutave dhe perimeve (së paku 5 vakte në ditë) dhe drithëra integrale, ndikon në zvogëlimin e rrezikut nga KKR. Konsumimi i mishit të kuq dhe përpunimet e mishit rekomandohet të konsumohen më së shumti një deri dy herë në javë.

  • Aktiviteti fizik

Ekzistojnë shumë dëshmi që tregojnë se aktiviteti i rregullt fizik kontribuon në zvogëlimin e rrezikut nga kanceri kolorektal. Rekomandohet së paku 30 minuta aktivitet intensiv së paku 5 ditë në javë. Ushtrimet do të duhet të ndikojnë në përshpejtimin e punës së zemrës. Një shembull për ushtrime të tilla do kishin qenë ecja e shpejtë ose ngjitja në kodër.

  • Mirëmbajtja e peshës trupore

Çdo njeri duhet të tentojë ta mirëmbajë peshën e duhur të trupit. Ndryshimet në të ushqyerit dhe aktiviteti i rregullt fizik mund të ndikojnë në mirëmbajtjen e peshës trupore në kufijtë e normales.

  • Pirja e duhanit

Pirja e duhanit është një nga shkaqet udhëheqëse për paraqitjen e KKR, lënia e duhanit e zvogëlon rrezikun për shfaqjen e kancerit të zorrës së trashë, si dhe llojet e tjera të kancerit. Zbulimi i hershëm i KKR mund të shpëtojë jetën! Personat që bëjnë pjesë në kategorinë e personave me rrezik mesatar nga KKR, duhet të fillojnë me skrining të rregullt në moshë 50 vjeçare. Personat që janë me rrezik të lartë, duhet të fillojnë me skrining në moshë më të re. Personat mbi 75 vjet duhet të këshillohen me mjekun amë nëse duhet të vazhdojnë me skriningun.

  1. METODAT PËR ZBULIMIN E HERSHËM TË KANCERIT KOLOREKTAL

Skriningu është metodë për zbulimin e sëmundjes para se të shfaqen simptomat. Skriningu mundëson zbulim të kancerit në fazë të hershme para se ai të bëhet invaziv, dhe u referohwet personave me rrezik mesatar (si dhe të gjithë popullatës). Skriningu ka për qëllim të mundësojë mbijetesën, ta zvogëlojë morbiditetin dhe ta avancojë cilësinë e jetës të personave të prekur nga kanceri. Ka për qëllim të zvogëlojë rrezikun, por skriningu nuk bën diagnostikim të sëmundjes.  Ekzistojnë disa metoda të skriningut, dhe atë: teste vjetore-dyvjetore për prani të gjakut okult. Edhe pse në teori ekziston një spektër i gjerë i metodave të skriningut të KKR, hulumtimet të cilat kanë pasur për qëllim të identifikojnë protokollin më efektiv të skriningut për përdorim tek popullata asimptomatike, kryesisht e rekomandojnë testin për zbulimin e gjakut okult ose të ashtuquajturin testin FOB.

Testi për gjakun okult në jashtëqitje është treguar si medotë adekuate për zbulimin e kancerit kolorektal, për shkak të aplikimit relativisht të thjeshtë dhe çmimit relativisht të ulët.

Тestet me të cilat zbulohet kanceri ose gjendja parakanceroze dhe intervalet e skriningut:

  • Testi për zbulimin e gjakderdhjes okult (FOBT) -çdo vit
  • Testi imunokimik i jashtëqitjeve(FIT) -çdo vit
  • Test ADN i jashtëqitjeve (sDNA) -çdo vit
  • Kolonoskopia -çdo 10 vjet
  • Kolonoskopia virtuale -çdo 5 vjet
  • Sigmoidoskopia fleksibile-çdo 5 vjet
  • Irigografia-çdo 5 vjet

 

Nëse rezultatet e kolonoskopisë virtuale, klizmës me kontrast të dyfishtë me barium, struktura pozitive FOBT, testit imunokimik dhe testit ADN dalin jonormale, atëherë duhet vazhduar me kolonoskopi.

  • Kolonoskopia

 

Kolonoskopia është metodë bashkëkohore diagnostikimi me të cilën në mënyrë të drejtpërdrejtë nën kontrollin e syrit mund të kontrollohet e gjithë zorra. Kjo procedurë realizohet me ndihmën e kolposkopit, instrument fleksibil steril me trashësi sa një gisht, i cili falë fleksibilitetit të tij dhe fijeve optike mundëson një kontroll të sigurt dhe të saktë të tërë gjatësisë së zorrës së trashë. Kolonoskopia si metodë fillestare e skriningut është metodë më e kushtueshme dhe më invazive se testi FOB. Kolonoskopia luan një rol kryesor në çdo skrining të kancerit kolorektal duke përfaqësuar një standard të artë për vërtetimin e çdo rrezultati pozitiv të fituar me metodat e tjera për skrining të KKR.  Kolonoskopia është metodë sensitive e cila i zbulon edhe ndryshimet më të vogla, madje më të vogla edhe se 5 mm, kështu që të gjitha ndryshimet tumoroze mund të zbulohen në fazë shumë të hershme. Shumica e ndryshimeve mund të mënjanohen, kështu që krahas asaj diagnostike, ajo paraqet edhe metodë terapeutike. Me kolonoskopi zbulohen 90-95% e të gjitha ndryshimeve tumoroze të zorrës së trashë dhe të rektumit, por për shkak të kostos së lartë aplikohet për mbikëqyrjen e personave me rrezik mesatar dhe të lartë, si metodë diagnostikimi edhe tek personat me test FOB pozitiv. Për momentin Polonia është vendi i vetëm në BE e cila bën kolonoskopi si metodë të vetme skriningu tek popullata me rrezik mesatar në nivel të shtetit.

  • Sigmoidoskopia fleksibile

 

Sigmoidoskopia fleksibile është kontroll i cili përdoret për të kontrolluar pjesën e poshtme të zorrës së trashë (kolonit). Sigmoidoskopia fleksibile nuk mundëson që të shihet zorra e trashë në tërësi. Me këtë metodë nuk mund të zbulohet kanceri ose polipet në pjesët më të thella të zorrës së trashë.

  • Irigografia

irigografia bëhet në të njëjtën mënyrë si tek shpërlarja e zorrëve. Tretja e bariumit është një  tretje e veçantë që shihet qartë në grafinë e rentgenit. Gjatë procedurës tretja e bariumit kalon nëpër zorrë dhe qartë shihet kalimi i lëngut nëpër zorrë. Kjo mundëson të shihen pengesat e ndryshme brenda zorrëve.

  1. TRAJTIMI I KKR

Trajtimi i KKR varet nga faza e sëmundjes, madhësia e tumorit, mosha e pacientit, gjendja e tij e përgjithshme dhe nga faktorë të tjerë.

Opsionet e trajtimit të kancerit të zorrës së trashë janë:

  • Trajtimi kirurgjikal,
  • radioterapia (rrezatimi),
  • kimioterapia,
  • terapia e targetuar (synuar).

 

Trajtimi kirurgjikal është opsioni kryesor dhe më i shpeshtë për trajtimin e kancerit të zorrës së trashë. Kirurgjia luan një rol të rëndësishëm në trajtimin e kancerit të zorrës së trashë.në këtë mënyrë mënjanohen edhe nyjet limfatike të të cilat janë të lidhura me atë pjesë të zorrës së trashë, e që i ndjekin enët e gjakut që e furnizojnë me gjak atë pjesë të zorrës. Nëse kanceri ka  prekur edhe indet dhe organet në afërsi, edhe ato mënjanohen në këtë proces kirurgjikal. Nëse kanceri është i përhapur lokalisht, ose ka metastazuar, atëherë zbatohet terapi i kombinuar (radioterapi, kimioterapi dhe terapi e targetuar – synuar).

Radioterapia është terapi lokale, e cila i shkatërron qelizat malinje vetëm në zonën e cila rrezatohet. Realizohet me makina speciale (akceleratorë linear), që prodhojnë rreze rentgeni me energji të lartë. Këto rreze, kur kalojnë nëpër trupin e pacientit nga jashtë, atëherë bëhet fjalë për radioterapi të jashtme.

Radioterapia e jashtme zbatohet vetëm gjatë trajtimit të kancerit të rektumit dhe nuk zbatohet tek kanceri i kolonit. Në të shumtën e rasteve kombinohet me modalitetet e tjera të trajtimit (ndërhyrja kirurgjikale, kimioterapia, terapia e targetuar).

Kimioterapia realizohet me barna të quajtura citostatikë. Ato veprojnë në atë mënyrë që e bllokojnë ndarjen e qelizave të gjakut duke e ndaluar kështu rritjen dhe invazionin e kancerit. Kimioterapia zbatohet tek kanceri i përhapur lokalisht dhe kanceri i metastazuar i zorrës së trashë. Zakonisht aplikohet në kombinim me trajtime të tjera.

Terapia e targetuar paraqet një terapi të re efikase për kancerin e avancuar dhe të metastazuar të zorrës së trashë. Zbatohet me barna të cilat në mënyrë selektive i sulmojnë vetëm qelizat malinje, e që nuk i dëmtojnë qelizat e tjera të organizmit. Këto barna zakonisht jepen në kombinim me citostatikët klasik, ndërsa më rrallë si monoterapi.

 

  1. REKOMANDIME

Neoplazmat malinje janë ngarkesë e madhe për shoqërinë, si në botë ashtu edhe tek ne. Trajtimi i personave të prekur nga neoplazmat malinje paraqet një ngarkesë dhe shpenzim të madh, si për shtetin, ashtu edhe për personin e sëmurë, që paraqet një problem shumë të madh në vendet më pak të zhvilluara, në të cilat bën pjesë edhe Republika e Maqedonisë. Për këtë shkak është e domosdoshme të ndërmerren aktivitete sitematike, që kanë për qëllim zvogëlimin e morbiditetit dhe mortalitetit nga këto sëmundje. Kanceri kolorektal bën pjesë në pesë shkaktarët kryesorë të vdekjes nga neoplazmat malinje në Republikën e Maqedonisë. Për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme është e domosdoshme që të ndërmerren këto aktivitete:

  • Të sigurohen aparate të reja për kolonoskopi në rajonet ku nuk ka kolposkopë dhe të trajnohen kuadro profesionistë për të punuar me ato aparate;
  • Të bëhet marrëveshje me Fondin e sigurimit shëndetësor dhe ordinancat private që bëjnë kolposkopi, në rajonet ku nuk ka kolposkopë në kuadër të shëndetësisë publike, që ka për qëllim të fitohen rrezultate për pasqyrën e vërtetë për gjendjen me personat e prekur nga KKR në Republikën e Maqedonisë;
  • Të eliminohet ose zvogëlohet veprimi i faktorëve të rrezikut në mjedisin jetësor dhe mjedisin e punës të popullatës;
  • Të ndryshohet sjellja e personave të rritur e që ka të bëjë me shprehitë e të ushqyerit, pirjen e duhanit dhe aktivitetin fizik si faktorë të rrezikut.
  • Të vazhdohet me programin për skrining të KKR, me qëllim që të vogëlohet rreziku nga KKR tek popullata e përgjithshme. Skriningu mundëson zbulimin e ndryshimeve malinje në fazë të hershme, kur sëmundja ende është e lokalizuar;
  • Të mbahet regjistër për KKR me një azhurnim sistematik, të vazhdueshëm dhe cilësor të të dhënave për rastet e reja. Regjistri do mundësojë monitorim dhe evaluim të pacientëve në nivel shtetëror;

 

Këtë mars – STOP për kancerin kolorektal!

 

Sektori për promovim, analizë dhe ndjekje të sëmundjeve joinfektive