Kondicionimi qendror i ajrit përdoret në shtëpi dhe biznese në të gjithë botën, por shumë nga efektet e tij negative janë pak të njohura. Freskimi gjatë ditëve të nxehta të verës mund të përkeqësojë disa probleme shëndetësore dhe të ndotë ajrin me grimca organike dhe inorganike.
Efektet shëndetësore
Përkeqësimi i problemeve respiratore
Gjatë ftohjes pajisjet për kondicionimin e ajrit krijojnë kondensim, duke krijuar kështu kushte ideale për rritjen dhe shumimin e mikroorganizmave dhe mykut. Këto përhapen në të gjithë shtëpinë përmes kondicionimit dhe sistemeve të ventilimit. Njerëzit që vuajnë nga astma, bronkiti dhe sëmundje të tjera të frymëmarrjes mund të pësojnë infeksione serioze të mushkërive, vështirësi në frymëmyrrje ose reaksione të tjera serioze (CDC Atlanta-Qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve).
Myku nga kondicionerët mund të prekë edhe njerëz të shëndetshëm, duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje, kollitje dhe simptoma të tjera të traktit të sipërm respirator.
Agjencia për mbrojtjen e mjedisit jetësor në SHBA (USEPA) paralajmëron se përqendrimi i ndotësve në ajrin e brendshëm mund të jetë më i lartë se ai në ajrin e ndotur në natyrë. Kjo rrit ndjeshëm rrezikun për njerëzit me probleme të frymëmarrjes dhe sëmundje kardiovaskulare që kalojnë një pjesë të madhe të kohës së tyre në mjedise të mbyllura. Kondicionimi i ajrit, sipas EPA, mund të kontribuojë në ndotjen dhe përhapjen e baktereve, mykut, viruseve, polenit dhe sekrecioneve dhe ekstrakteve të kafshëve.
Në Filadelfia, SHBA, në vitin 1976 një rast i sëmundjes së legjionarëve i shkaktuar nga Legionella pneumophila përmes pajisjeve për kondicionimin e ajrit ka infektuar 39 persona dhe 5 kanë vdekur.
Kondicionerët në vendin e punës
Një studim i botuar në gusht 2004 zbuloi se njerëzit që punojnë në zyra në ndërtesa me kondicionim qendror të ajrit kanë më shumë simptoma dhe shenja të çrregullimeve shëndetësore sesa ata që nuk punojnë në ndërtesa me kondicionim qendror të ajrit. Simptomat përfshijnë dhimbje koke, lodhje, irritim të mukozës, vështirësi në frymëmarrje dhe irritim të lëkurës. Studimi thekson gjithashtu edhe faktin e ndotjes së ajrit të brendshëm përmes ajrit që përhapet përmes kondicionerëve.
Sipas EPA “sindroma e ndërtesës së sëmurë” i referohet simptomave që shfaqen tek një numër i madh të punonjësve në një ndërtesë, e të cilat zhduken pasi ato të jenë larguar nga ndërtesa ku punojnë.
Kondicionerët i përkeqësojnë efektet e artritit dhe neuritit. Ato gjithashtu shkaktojnë probleme për njerëzit me probleme kronike të sinuseve, ndërsa për njerëzit që punojnë në ambiente vazhdimisht të kondicionuara është dëshmuar se kanë më shumë gjasa të preken nga gripi ose ftohja sesa ata që punojnë jashtë. Gjithashtu është dëshmuar që trupi i nënshtrohet një shkalle të caktuar stresi kur njerëzit detyrohen të kalojnl nga një mjedis i ngrohtë në një mjedis me ajër të kondicionuar dhe anasjelltas. Është e qartë se ata që kalojnë pjesën më të madhe të kohës në mjedisë me ajër të kondicionuar nuk janë në gjendje t’i përballojnë lehtë temperaturat e nxehta të verës. Si rezultat, me fillimin e valëve të të nxehtit, numri i të vdekurve po rritet, kryesisht për shkak të pamundësisë për t’u përshtatur me ndryshimet e papritura dhe të mëdha të temperaturës, veçanërisht nga njerëzit me sëmundje kronike.
Si pasojë e ekspozimit të vazhdueshëm ndaj ajrit të kondicionuar nga kondicionerët, shumë njerëz vuajnë nga astma, kolla, teshtitja, irritimi i lëkurës, pezmatimi i mukozës së hundës, ftohjet e shpeshta, infeksionet e veshit, dhimbjet e stomakut, dhimbje të shpeshta të kokës, reaksione alergjike, dhimbje fyti, konjuktivit e tj.
Ashtu si edhe sa i përket edhe sëmundjeve të tjera, fëmijët, adoleshentët, gratë shtatzëna dhe të moshuarit janë më të ndjeshëm, veçanërisht ata me sëmundje respiratore dhe një sistem të dobët imunitar. Këto grupe janë shumë më të rrezikuar nëse janë të ekspozuar edhe ndaj mykut.
Njihen gjithashtu edhe sëmundje imunologjike, të tilla si pneumoniti hipersensitiv, shumë çrregullime të frymëmarrjes dhe muskulo-skeletore, të cilat shfaqen tek njerëzit e ekspozuar ndaj kondicionerëve në vendin e punës.
Jo shumë kohë më parë, kondicionimi i ajrit ishte një luks që mund ta lejonin një numër i vogël i njerzve, por sot është normë në shumë biznese, zyra dhe sisteme të transportit publik, kështu që është pjesë e jetës sonë.
Cost-benefit e pajisjeve për kondicionimin e ajrit
Përfitimet:
-Nxehtësia intensive ka një ndikim negativ të definuar qartë ndaj aktivitetit mendor dhe fizik të një personi, dhe përdorimi i kondicionerëve në një farë mase i përmirëson ato gjatë muajve të verës;
– Kondicionerët përmirësojnë dhe rrisin nivelet e komoditetit gjatë punës dhe pushimit;
– E përmirësojnë efikasitetin gjatë punës dhe mund të rezultojnë në rritje të aktivitetit fizik dhe intelektual;
-Temperatura më e ulët zvogëlon praninë e insekteve dhe parazitëve;
-Temperatura më e ulët ndikon në zvogëlimin e djersitjes, zvogëlon humbjen e lëngjeve trupore dhe në këtë mënyrë zvogëlon edhe rrezikun nga dehidrimi.
– Një sistem i pastër i kondicionimit të ajrit ndihmon në eliminimin e alergjenëve të jashtëm siç është poleni.
-Nëse kondicioneri është i mirë dhe i mirëmbajtur, ai pastron dhe përmirëson cilësinë e ajrit të brendshëm.
Rreziqet:
-Ndryshimet e papritura të temperaturës dhe lagështisë ndikojnë negativisht në sistemin e frymëmarrjes;
-Krijohet një efekt tharjeje në lëkurë dhe mukozë;
-Kondicionerët kontribuojnë në rritjen e nivelit të zhurmës së ambientit;
-Me qarkullimin e vazhdueshëm të ajrit mund të transmetohen shkaktarë të sëmundjeve infektive të organeve të frymëmarrjes;
-Pluhuri, grimcat organike dhe sporet mund të shkaktojnë reaksione alergjike;
-Përdorimi i vazhdueshëm i kondicionerëve mund të ndikojë në shfaqjen dhe përkeqësimin e rinitit kronik, sinusitit dhe faringjitit, acarimit të fytit dhe ngjirjes së zërit;
-Kondicionerët mund të shkaktojnë ose t’i intensifikojnë problemet e syve si konjuktiviti dhe blefariti, dhe gjithashtu të shkaktojnë probleme me lentet tek njerëzit që i përdorin ato rregullisht.
Të mbahet mend:
-Mjediset me ajër të kondicionuar duhet të ajrosen rregullisht;
-Instalimi dhe mirëmbajtja profesionale janë thelbësore si për kondicionerët qendror ashtu edhe për kondicionerët e brendshëm dhe të jashtëm;
-Temperatura ideale në mjedis të mbyllur do ishte nga 21º deri 25ºC;
-Lagështia relative duhet të mbahet mes 60% dhe 70%.
-Kondicionerët duhet të pastrohen dhe dezinfektohen rregullisht, mundësisht dy herë në vit para stinës të dimrit dhe verës.