Sa më parë të filloni të kujdeseni për shëndetin oral të fëmijës tuaj, aq më e bukur dhe më e shëndetshme do jetë buzëqeshja e tyre kur të rriten.

 oralno 1

 

Kujdes i mirë oral për fëmijën tuaj menjëherë pas lindjes

Mirëmbajtja e shëndetit oral tek fëmija duhet të fillojë menjëherë pas lindjes. Zgavrën gojore të fëmijës së porsalindur duhet ta fshini me garzë sterile të njomur me ujë, sidomos pas çdo ushqimi dhe para se të flejë, dhe edhe pse ju duket e pamundur, mundohuni që fëmijën tuaj ta vini në gjumë pa ia lënë biberonin në gojë. Pasi të ketë dalë dhëmbi i parë, që zakonisht ndodh pas muajit të gjashtë, filloni ta pastroni me garzë sterile të njomur me ujë dy herë në ditë, sepse dhëmbët e parë të qumështit luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e hapësirës për dhëmbët e përhershëm.

 

 

Mbikëqyrni fëmijën tuaj gjatë larjes së dhëmbëve

Larja e dhëmbëve në mënyrën e duhur ka një rëndësi të madhe për shëndetin oral dhe duhet të jetë detyrë e prindit deri sa fëmija të mësojë t’i lajë dhëmbët vetë.

Pasi t’i kenë dalë më shumë dhëmbë, atëherë fëmijës i duhen larë ato me një furçë të butë. Larjen me furçë mund ta filloni me ujë të zakonshëm dhe gradualisht të filloni të përdorni pastën me fluor. Sasia e tepruar e pastës mund të prodhojë edhe sasi të mëdha të shkumës të cilën fëmija mund ta kapërdijë. Larja e dhëmbëve me furçë duhet të zgjasë dy minuta, ndërkohë që duhet bërë me lëvizje rrethore – jo nga para kah pas, dy herë në ditë- pas mëngjesit dhe para gjumit – gjë që do ndihmojë për të zvogëluar rrezikun nga prishja e dhëmbëve dhe sëmundjet e gingivës.

Në fund, lëngjet dhe shkuma e mbledhur në gojë duhet të pështyhet, por goja nuk duhet larë shumë me sasi të mëdha të ujit, sepse në atë mënyrë ekziston rreziku të shpërlahet edhe fluori që mbron dhëmbët.

Jetëgjatësia mesatare e furçës së dhëmbëve është rreth 3 muaj. Furça e vjetruar nuk i pastron siç duhet dhëmbët.

 oralno 2

Mos lejoni që fëmija juaj të konsumojë ushqim para gjumit

Pas pastrimit të dhëmbëve mos lejoni që fëmija juaj të konsumojë çfarë do lloj ushqimi. Është me shumë rëndësi që goja të jetë e pastër, sepse bakteret nga ushqimi ngjiten tek dhëmbët dhe mbeten aty tërë natën, gjë që mund të shkaktojë karies, pra prishjen e dhëmbëve.

oralno 3

Vizitoni stomatologun bashkë me fëmijën tuaj

Nëse në të kaluarën rekomandohej që vizita e parë te stomatologu të bëhet pas moshës tre vjeçare, tani më nuk është ashtu, sepse në atë moshë dëmi tashmë mund të jetë bërë, pra dhëmbët të kenë filluar të prishen ose të jenë prishur.

Prandaj, vizitën tuaj të parë te stomatologu bëjeni menjëherë pas daljes së dhëmbit të parë, ose më së voni deri në ditëlindjen e parë.

Vizitat e rregullta tek stomatologu e rrisin jetëgjatësinë e dhëmbëve të parë të fëmijës tuaj. Ato mund të jenë në formë të vizitave ose intervenimeve preventive të cilat do duhet ta parandalojnë prishjen e dhëmbëve të qumështit.

Gjatë këtij procesi fëmijës tuaj duhet t’i sqaroni se si do realizohet vizita tek stomatologu, si diçka zbavitëse ku do analizohen dhëmbët e tij, gjë që nënkupton se tashmë është rritur, me çka ai ose ajo do e kuptojë qëllimin e vizitës dhe do e tejkalojë frikën nga stomatologu.

 oralno 4

Parandalimi, zbulimi i hershëm dhe trajtimi janë me shumë rëndësi për mirëmbajtjen e shëndetit oral të fëmijës tuaj

Ashtu si edhe tek sëmundjet e tjera, parandalimi, zbulimi i hershëm dhe trajtimi janë me shumë rëndësi për mirëmbajtjen e shëndetit oral të fëmijës tuaj, e me këtë edhe të shëndetit dhe mirëqenies të përgjithshme.

Ndani fëmijën tuaj nga cuculla

Thithja e cucullës ose gishtit të madh për një kohë të gjatë shkakton çrregullim në zhvillimin e drejtë të dhëmbëve dhe gojës të fëmijës tuaj. Mos lejoni që fëmija juaj ta thithë gishtin ose cucullën për një kohë shumë të gjatë. Asnjëherë mos e lyeni cucullën me mjaltë ose me sheqer, ndërsa në biberon shtini vetëm ujë ose qumësht. Mos shtoni sheqer tek qumështi ose mos shtini pije me sheqer ose lëngje frutash tek biberonët e fëmijës tuaj. Mënyra më e mirë do të ishte që ta mësoni fëmijën tuaj të pijë nga gota sa më parë të jetë e mundur.

 oralno 5

Zvogëlojeni sasinë e sheqerit në ushqime dhe zëvendësojeni atë me alternativa të tjera të shijshme

Ushqimi i pasur me sheqer dhe pijet e ëmbëlsuara janë shkaktari numër një për prishjen e dhëmbëve dhe paraqitjen e sëmundjeve të tjera orale, e që përveç kësaj kanë edhe një ndikim negativ edhe tek shëndeti i përgjithshëm si i fëmijëve, ashtu edhe i të rriturve.

Mundohuni ta kufizoni sasinë e sheqerave të cilat i konsumon fëmija juaj dhe filloni ta ushqeni atë shëndetshëm, me më pak sheqer dhe me më shumë fruta dhe perime. Kjo do të thotë se sasia ditore për të rriturit duhet të jetë rreth 6 lugë, ndërsa për fëmijët tre lugë, në mënyrë që të minimizohet rreiku nga kariesi.

PRANDAJ:

  • Mos e lini vetëm fëmijën tuaj kur i lan dhëmbët nëse nuk jeni të sigurt se i lan ato siç duhet!
  • Mos e lini fëmijën tuaj të flejë me biberonin në gojë!
  • Caktojeni vizitën e parë te stomatologu menjëherë pas daljes së dhëmbit të parë ose më së voni deri në ditëlindjen e parë.
  • Kufizoni konsumimin e sheqerit tek fëmija juaj dhe filloni ta ushqeni atë me ushqimt të shëndetshëm, më pak sheqer dhe më shumë fruta dhe perime!
  • Mos lejoni që fëmija juaj të preket nga kariesi ose nga ndonjë sëmundje tjetër e gojës!

Vetëm pastrimi i rregullt i dhëmbëve, ushqimi i shëndetshëm dhe vizitat e rregullta tek stomatologu mund ta ruajnë shëndetin oral të fëmijës tuaj.

 

Përgatiti: Departamenti për promovim dhe ndjekje të sëmundjeve