Koha e kaluar në mjedise natyrore me cilësi të lartë e përmirëson shëndetin dhe mirëqenien tonë. Ekspozimi ndaj vendeve natyrore nëpërmjet mundësisë për ushtrime fizike, relaks, kohezion social dhe mbështetje të sistemit imunitar ka rezultate specifike shëndetësore, si ulja e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore, ulja e prevalencës së diabetit mellitus tip 2 dhe ulja e prevalencës së obezitetit. Duke aktivizuar sistemin nervor parasimpatik, hapësirat e gjelbërta kontribuojnë në zvogëlimin e stresit, numrit të rrahjeve të zemrës dhe në këtë mënyrë kontribuojnë në mirëqenien e përgjithshme shëndetësore të popullatës.

Aktiviteti fizik

Parqet, kopshtet e qytetit dhe fermat urbane ofrojnë vende për aktivitet fizik, si ecje, vrapim, ushtrime, kopshtari e shumë të tjera. Me gjithë këto mundësi për aktivitet fizik, ofrohet një zgjidhje shëndetësore publike për zvogëlimin e rrezikut nga sëmundjet ishemike të zemrës, diabeti, kanceri i gjirit dhe zorrës së trashë, goditjet në tru, hipertensioni dhe obeziteti. Për sa i përket shëndetit mendor, është zbuluar se aktiviteti fizik në hapësira të gjelbërta mundëson zvogëlimin e zemërimit, lodhjes, ankthit dhe trishtimit, dhe shton energjinë.

Shëndet më i mirë mendor

Shëndeti mendor kërkon një vëmendje të veçantë. Ekzistojnë dëshmi shkencore se personat e ekspozuar ndaj hapësirave të gjelbërta kanë një shëndet mendor dhe funksion kognitiv më të mirë. Krahas kësaj, hapësirat e gjelbërta ndihmojnë në reduktimin e stresit kronik, lodhjes, ankthit, depresionit dhe vetmisë. Me pak fjalë, hapësirat e gjelbërta përmirësojnë mirëqenien emocionale.

Kondicion më i mirë shëndetësor i shtatzënave dhe foshnjave të porsalindura

Ekspozimi ndaj hapësirave të gjelbërta, rritja e nivelit të aktivitetit fizik, zvogëlimi i stresit, përforcimi i kontakteve sociale tek nënat dhe reduktimi i ekspozimit të nënës ndaj zhurmave, ndotjes së ajrit dhe temperaturave të larta, ndikon pozitivisht tek gratë shtatzëna dhe të porsalindurit. Dëshmitë shkencore sugjerojnë se ekspozimi ndaj gjelbërimit dhe prania e zonave të gjelbërta pranë shtëpive gjatë shtatzënisë lidhet pozitivisht me peshën e lindjes të foshnjës.

eugreenweek1