Plakja paraqet një proces natyror, të pakthyeshëm që manifestohet fiziologjikisht, e dallon tek individë të ndryshëm.

Sipas definicionit plakja e shëndetshme paraqet një proces të zhvillimit dhe ruajtjes të aftësive funksionale që mundëson mirëqenie në një moshë më të shkuar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë plakjen aktive e definon si “proces të optimizmit të mundësive për shëndet, pjesëmarrje dhe siguri me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës gjatë plakjes së njerëzve”

Shekulli XX njihet edhe si revolucion në jetëgjatësi. Tani, njerëzit në botë jetojnë më gjatë. Kohëzgjatja mesatare e pritur e jetës është rritur për 20 vjet nga viti 1950 deri në 66 vjet dhe pritet që të rritet edhe 10 vjet deri në vitin 2050. Në vitin 2017, pothuajse 1/5 (19%) e popullsisë në BE ishte në moshë 65 vjet dhe mbi 65 vjet. Deri në vitin 2050 në rrafsh global pritet që mbi 60 vjet të jenë dy milliard njerëz,  për dallim nga viti 2015 kur ky numër ka qenë 900 milion. Rënia e shkallës së natalitetit dhe jetëgjatësia më e madhe e ndryshon pasqyrën demografike në vendet e botës.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut fenomen tipik është plakja rajonale e popullatës në zonat rurale për shkak të migrimit intensiv të të rinjve nga fshati në qytet. Kjo ka si pasojë një përfaqësim më të lartë të të moshuarve në strukturën e popullsisë në zonat rurale, për dallim nga ajo në qytete.

Në përgjithësi, sipas strukturës së moshës, popullsia në Maqedoninë e Veriut po plaket gjithnjë e më shumë. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut në numrin e përgjithshëm të popullsisë, në vitin 2015 ka pasur 264.964 të moshuar, ndërkohë që ky numër në vitin 2018 është rritur në 287.590. Në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2018 pjesëmarrja e popullatës së  moshuar në moshë 65 vjet dhe mbi 65 vjet është rritur nga 11.5% në 14.1 %.

Në janar të vitit 2020 Organizata Botërore e Shëndetësisë  (OBSH) shpalli epidemi të koronavirusit të ri, COVID-19,  me qëllim që të alarmohen autoritetet shëndetësore për një kujdes shëndetësor publik dhe ndërkombëtar.

Sëmundja infektive Korona ose COVID-19 është një sëmundje infektive e shkaktuar nga korona virusi i ri. Pjesa më e madhe e personave të infektuar me virusin COVID -19 do përjetojnë një pasqyrë të lehtë ose mesatare të sëmundjes respiratore dhe do shërohen pa patur nevojë për ndonjë trajtim të veçantë. Por personat më të moshuar dhe ata me sëmundje kronike, si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, sëmundjet respiratore kronike dhe ata me kancer, kanë më shumë mundësi të zhvillojnë formë të rëndë të sëmundjes. Më shumë se  95% e rasteve të vdekjes nga COVID-19 në Evropë janë persona mbi 60 vjet. Qendra Amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve njoftoi se nga 12 shkurti e deri më 16 mars të vitit 2020, fataliteti i COVID 10 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë më i madh te grupmosha mbi 85 vjet, e pastaj tek grupmosha nga 65 deri në 84 vjet. Republika e Maqedonisë së Veriut deri më tani po përballet me sukses me pandeminë COVID-19,  rritja lineare e numrit të të sëmurëve në 15 ditët e fundit është inkurajuese, kemi një numër të vogël të të sëmurëve që është pothuajse i njejtë për çdo ditë. Me vazhdimin e këtij trendi ose me zvogëlimin e tij, sistemi shëndetësor do mund t’i trajtojë të gjithë qytetarët dhe të përballet mirë me koronavirusin. Sipas analizave statistikore të Institutit të shëndetit publik deri në 9 maj në RMV-së ka 1645 raste të konfimruara të COVID-19, mosha e të prekurve sillet nga 0 deri më 94 vjet, mosha mesatare është 45.2 vjet. Numri më i madh i të sëmurëve janë në moshë mbi 60 vjet (357 persona) ose 21.7% me incidencë prej 93,1/100.000, ndërsa incidencë specifike më e lartë, 124,4/100.000 banorë është regjistruar tek grupmosha nga 50-59 vjet (346 të sëmurë).           

   Shpërndarja e të sëmurëve me COVID-19 sipas grupmoshave, (n=1.642)

kosevska 1

Janë regjistruar 91 raste të vdekjes (Lt = 5,5%).  Nga rastet e regjistruara, numri më i madh i të vdekurve i përkasin grupmoshës mbi 60 vjet (n=59) njëkohësisht edhe me mortalitet specifik më të lartë – 15,4/100.000 banorë. Janë regjistruar 61 raste të vdekjes tek meshkujt dhe 30 tek femrat. Nga rastet e vdekjes , tek 67 (73,6%) janë regjistruar komorbiditete.

Vlerësimi i rrezikut nga OBSH në nivel global dhe nivel të Rajonit Evropian flet për një përhapje të vazhdueshme të  COVID-19  dhe një rrezik shumë të lartë.

Personat më të moshuar dhe personat me komorbiditet, si: astma, diabeti dhe sëmundjet e zemrës janë më të prirur të zhvillojnë komplikacione serioze nga virusi.  Personat më të moshuar nuk kanë sistem imunologjik të fortë, kështu që janë më të ndjeshëm dhe mund të preken më lehtë nga sëmundjet infektive. Gjithashtu, ka shumë mundësi që sëmundjet si: diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet respiratore, ta zvogëlojnë  aftësisë e organizmit të tyre për ta luftuar COVID-19, sidomos të atyre që janë të vendosur në shtëpi pleqsh ose që jetojnë në familje ku ka frekuencë më të madhe të njerëzve. Personat më të moshuar mund të përballen edhe me mungesë informacioni, ushqimi që si pasojë e izolimit ua bën edhe më të vështirë përditshmërinë. Ministria e shëndetësisë dhe Komisioni për sëmundjet infektive i këshillojnë personat e të gjitha moshave që të ndërmarrin masa për mbrojtje nga virusi, duke praktikuar për çdo ditë higjienën e mirë të duarve dhe sistemit respirator, si dhe duke përdorur maska ose shami për mbrojtje pas daljes nga shtëpitë e tyre.Më të moshuarit duan të kenë informacion të saktë dhe të azhurnuar, sidomos në lidhje me pandeminë COVID-19. Ministria e shëndetësisë e RMV-së për çdo ditë përcjell statistikat e Institutit të shëndetit publik të RMV-së për gjendjen me pandeminë në kanalin kombëtar dhe kanalet lokale, si dhe në rrjetet sociale, me qëllim informimin e saktë dhe në kohë të popullatës më të moshuar, por edhe të gjithë qytetareve të RMV-së. Për mbrojtjen nga COVID-19 dhe ruajtjen e një shëndeti të mirë mendor, më të moshuarit mund ta përdorin linjën për ndihmë dhe mbështetje të dedikuar për personat me probleme konjitive, demencë, stres, ankth, ose për ata që thjesht kanë nevojë për bisedë dhe mbështetje  gjatë izolimit ose qëndrimit në karantinë.  Motivohen familjarët dhe fqinjtë që të mundësojnë mbështetje praktike dhe emocionale për fqinjtë ose familjarët e tyre më të   moshuar përmes kontakteve sa më të shpeshta me personat më të moshuar, ose duke i ndihmuar për tu furnizuar me ushqime e gjësende për të cilat kanë nevojë.                           Gjatë kohës së izolimit është e nevojshme që personat më të moshuar të zvogëlojnë nivelin  e stresit, duke u përqendruar më shumë tek nevojat dhe ndjenjat personale, duke u angazhuar në aktivitete të shëndetshme që u japin kënaqësi dhe duke u relaksuar.Ekziston një lidhshmëri e drejtpërdrejtë mes të ushqyerit, aktiviteteve fizike dhe shëndetit. Të ushqyerit është një faktor kyç kur bëhet fjalë për mirëqenien fizike dhe mendore.

Gjatë pandemisë, personat më të moshuar duhet të ushqehen me ushqime të shëndetshme, sepse ato janë grupi më i rrezikuar, dhe ajo që haet dhe që pihet mund të ndikojë shumë në aftësisë e trupit për të luftuar dhe për tu shëruar nga infeksionet.

kosevska 2

Me ushqime të shëndetshme nënkuptojmë:

  • Ushqime të shumëllojshme, që përfshijnë fruta dhe perime.
  • Konsumim të përditshëm të ushqimeve të pasura me drithëra integrale, grurë, oriz, lente dhe fasule në kombinim me mish, peshk, qumësht ose vezë.
  • Për zemër – fruta të freskëta, perime të freskëta dhe fara të pakripura.
  • Kufizim të konsumimit të kripës deri në 5g në ditë (një lugë kripë në ditë).
  • Konsumim të sasive të kufizuara të vajrave dhe yndyrave.
  • Moskonsumim të ushqimeve të përpunuara dhe të skuqura.
  • Kufizim të konsumimit të sheqerave: ëmbëlsira, pije të gazuara, lëngjeve të frutave, ujit të aromatizuar, etj.

 

Mënyra pasive e të jetuarit zakonisht ka si pasojë rritjen e rrezikut nga sëmundjet kronike. Sa më pak lëvizje aq më i dobët është imuniteti. Prandaj, aktiviteti fizik dhe lëvizja janë mjaft të rëndësishme gjatë pandemisë së   COVID-19. Duke e pasur parasysh kohën e shkurtër për aktivitete jashtë shtëpisë, rekomandohet që në shtëpi të bëhet përshtatje e kushteve për realizim të aktiviteteve fizike.

Të moshuarit 65 vjet dhe mbi 65 vjet

 

  • Duhet të bëjnë maksimum 150 minuta  aktivitet fizik mesatar ose 75 minuta energjik gjatë javës, ose kombinim i aktivitetit mesatar dhe atij energjik.

 

  • Për përfitime të tjera shëndetësore ata duhet ta rrisin aktivitetin fizik me intensitet mesatar në 300 minuta në javë.

 

  • Personat me lëvizshmëri më të dobët duhet të bëjnë ushtrime për përmirësimin e baraspeshës dhe parandalimin e rënieve, 3 ose më shumë ditë në javë.

 

  • Ushtrimet për përforcimin e muskujve dhe kockave, përfshirë këtu edhe grupet më të mëdha të muskujve rekomandohen së paku 2 ditë në javë.

 

Situata me pandeminë me COVID-19 i prek të gjithë njerëzit në mbarë botën prandaj duhet të respektohen rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë si dhe rekomandimet e Ministrisë së shëndetësisë që sa më lehtë dhe sa më shpejtë të zvogëlohet numri i të sëmurëve dhe viktimave.

Për një plakje të shëndetshme dhe aktive personat më të moshuar duhet tu përmbahen rekomandimeve dhe nëse ndjehen të vetmuar të komunikojnë me të afërmit e tyre përmes telefonit ose rrjetave sociale, të mos e humbasin lidhjen me familjen dhe miqtë, të mos harrojnë të bëjnë aktivitete fizike, të ushqehen shëndetshëm dhe të informohen rregullisht për rekomandimet për mbrojtje nga COVID-19.

Literatura e përdorur:

1.https://www.who.int/docs/default-source/coronaviruse/mental-health-considerations.pdf

2.https://nutrition.org/how-to-stay-fit-and-healthy-during-coronavirus-covid-19-pandemic/

3.https://www.hrw.org/news/2020/04/07/rights-risks-older-people-covid-19-response

4.https://www.who.int/news-room/campaigns/connecting-the-world-to-combat-coronavirus/healthyathome/healthyathome—healthy-diet

5.https://www.weforum.org/agenda/2020/03/coronavirus-covid-19-elderly-older-people-health-risk/

6.https://www.bgs.org.uk/coronavirus-advice-to-older-people

 

Njësia për promovimin e shëndetit dhe ndjekjen e sëmundjeve