Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë organizon një punëtori dyditore që ka për qëllim të mbështesë përpjekjet e vendit për të përforcuar mbikëqyrjen ndaj sëmundjeve që burojnë nga uji dhe për të përmirësuar njohuritë dhe shkathtësitë e profesionistëve nacional për qasje efektive për mbikëqyrje dhe zbulim, hulumtime epidemiologjike dhe kontrollim të epidemive që kanë si burim ujin. Punëtorinë do e hapë drejtori i ISHPRM, Ass, dr. Shaban Memeti, në ora 9 në Hotel Kontinental më datë 9 Mars.

Krahas ekspertëve të huaj nga Evropa, në punëtorinë dyditore do marrin pjesë: Snezhana Çiçevalieva, Shefe e zyrës së OBSH-së në Shkup dhe ekspertë nga Instituti i shëndetit publik, prof. dr. Mihaill Koçubovski, udhëheqës i sektorit të ekologjisë shëndetësore dhe prim. dr. epidemiolog Zharko Karaxhovski. Në punëtori do marrin pjesë 55 pjesëmarrës nga Qendrat e shëndetit publik, Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor dhe Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë.

Qëllimet specifike të punëtorisë përfshijnë:

-Shqyrtim të gjendjes me sëmundjet që burojnë nga uji dhe sistemit për mbikëqyrje të epidemive në RM;

-Përcaktimi i qëllimeve, funksioneve dhe kërkesave për sistemet për mbikëqyrje dhe qasjet kryesore për mbikëqyrje të sëmundjeve që burojnë nga uji;

-Aplikimi i parimeve dhe elementeve themelore për menaxhim efektiv të epidemive dhe metodat për hulumtime epidemiologjike të epidemive që burojnë nga uji, përfshirë këtu edhe ushtrime praktike të bazuara në studime të rasteve konkrete, dhe

-Diskutim për sfidat kryesore dhe veprimet për përmirësim të mbikëqyrjes ndaj sëmundjeve që burojnë nga uji dhe sistemet për reagim ndaj epidemive që burojnë nga uji në vendin tonë.

Krijimi dhe mirëmbajtja e një sistemi mbikëqyrës nacional dhe lokal për paralajmërim të hershëm për sëmundje që burojnë nga uji, planet për gjendjet e emergjencave  dhe kapacitetet për reagim janë dispozita themelore të Protokollit për ujin dhe shëndetin të Konventës për mbrojtje dhe shfrytëzim të rrjedhave ujore ndërkufitare dhe liqeneve ndërkombëtare. Palët e Protokollit dhe vendet e tjera parandalimin dhe reduktimin e sëmundjeve që burojnë nga uji e identifikuan si fushë prioritare në programin e punës për periudhën nga viti 2014-2016 në kuadër të këtij Protokolli.

Përforcimi i kapaciteteve nacionale për mbikëqyrje të sëmundjeve që burojnë nga uji dhe reagimit ndaj epidemive është shtylla kryesore e fushës programore në të cilën palë udhëheqëse janë Norvegjia dhe Bjellorusia. Republika e Maqedonisë në procesin përgatitor për qasje ndaj Protokollit, shprehu interes për përforcimin e kapaciteteve dhe kërkoi mbështetje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë – Zyra rajonale për Evropë dhe nga palët udhëheqëse. Si përgjigje e kësaj kërkese, dhe përkushtimit në aktivitetet e shumta, vendi u përfshi në Marrëveshjen dyvjeçare për bashkëpunim 2016-2017 mes Organizatës Botërore të Shëndetësisë – Zyra për Evropë dhe Ministrisë së shëndetësisë të Republikës së Maqedonisë.

Qëllimet që priten të arrihen përfshijnë njohuri sistematike për mbikëqyrje të sëmundjeve që burojnë nga uji dhe hulumtim të epidemive nga profesionistët nacional dhe ndërkombëtar, si dhe identifikim të veprimeve të nevojshme për përmirësim të sistemit për mbikëqyrje ndaj sëmundjeve që burojnë nga uji për ta përshtatur me dispozitat themelore të Protokollit.