Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut i lajmëron besimtarët të cilët do udhëtojnë për në Haxh dhe Umre në Arabinë Saudite në vitin 2019, ta vizitojnë shërbimin epidemiologjik në Qendrën më të afërt të shëndetit publik ose Njësinë rajonale më pranë vendbanimit të tyre për t’i pranuar vakcinat e nevojshme, si dhe të marrin këshillat e nevojshme shëndetësore në lidhje me parandalimin e sëmundjeve infektive.

Sëmundjet me rëndësi më të madhe gjatë pelegrinazhit

Ethet e verdha

Vetëm besimtarët të cilët vijnë nga vende ose rajone ku është regjistruar kjo sëmundje dhe në rast të rrezikut nga përhapja e kësaj sëmundjeje duhet të kenë dëshmi se kanë pranuar vakcinën. Vakcina kundër etheve të verdha nuk është e nevojshme për qytetarët e RMV-së të cilët do të udhëtojnë drejt Arabisë Saudite.

Meningjiti meningokok

Personat e rritur dhe fëmijët mbi 2 vjeç të cilët do të udhëtojnë për në Haxh, Umre ose për punë sezonale në zonat e haxhit, duhet të posedojnë certifikat të vlefshëm se e kanë pranuar vakcinën 4 valente kundët sëmundjes së meningokokut (ACYW) së paku deri në 10 ditë para arritjes në Arabinë Saudite. Vakcinimi me vakcinën kundër sëmundjes së meningokokut bëhet në QSHP/NJR të cilat janë institucione të autorizuara nga ana e Ministrisë së shëndetësisë.

Pranohet vakcinimi paraprak me vetëm NJË nga këto vakcina:

  • Vakcina polisaharide 4 valente kundër sëmundjes së meningokokut (ACYW) brenda tre viteve të fundit.
  • Vakcina e konjuguar 4 valente kundër sëmundjes së meningokokut (ACYW) brenda 5 viteve të fundit.

Certifikati për vakcinimin detyrimisht duhet të përmbajë tipin e vakcinës dhe datën e vakcinimit me qëllim që të mund të fitohet një pasqyrë për kohëzgjatjen e afatit të vakcinës. Nëse në certifikatë nuk është shënuar tipi i vakcinës, certifikata e vakcinimit do vlejë 3 vite nga dita e vakcinimit.

Ministria e shëndetësisë e Arabisë Saudite mund tu japë antibiotikë profilaktikë  disa udhëtarëve gjatë hyrjes së tyre në vend nëse konsideron se një gjë e tillë është e domosdoshme.

 

Gripi sezonal

Të gjithë personave të cilët do udhëtojnë për në Haxh, Umre apo për punë sezonale në zonat e haxhit, u rekomandohet që të vakcinohen kundër gripit sezonal.

Vakcinimi kundër gripit sezonal ka një rëndësi tepër të madhe për gratë shtatzëna, fëmijët nën 5 vjet, personat e moshuar mbi 65 vjet, personat me sëmundje kronike ( si ato me sëmundje kronike të zemrës, mushkërive, veshkave, mëlçisë ose me sëmundje hematologjike) si dhe për personat me imunitet të komprementuar (personat me HIV/SIDA, personat që pranojnë kimioterapi ose kortikosteroide, ose personat me malinjitet). U rekomandohet që këtë vakcinë ta pranojnë së paku 10 ditë para arritjes në Haxh.

Sektori për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve infektive pranë Institutit të shëndetit publik u rekomandon pelegrinëve që ta kontrollojnë dhe azhurnojnë statusin e tyre vakcinal në raport me të gjitha sëmundjet kundër të cilave në vend zbatohet vakcinim rutinor. Kjo përfshin edhe verifikimin e statusit vakcinal sa i përket difterisë, tetanozit , kollës së thatë, poliomielitit, fruthit, rubeolës, dhe shytave.

 

Sindroma respiratore e Lindjes së afërme – koronavirusi (MERS-CoV) dhe infeksione të tjera respiratore

Me qëllim mbrojtjen e infeksioneve me MERS-CoV, por edhe me infeksione të tjera respiratore të cilat mund të paraqiten dhe të përhapen gjatë tubimeve masovike të njerëzve, të gjithë besimtarëve u rekomandohet që tu përmbahen rekomandimeve në vijim:

  • Të lajnë duart me ujë dhe sapun ose me preparate për dezinfektim, sidomos pas kollitjes, teshitjes, pas përdorimit të tualetit, pas kontaktit me njerëz të tjerë, para konsumimit të ushqimit, dhe pas kontaktit me kafshët.
  • Të përdorim peceta për një përdorim gjatë kollitjes dhe teshitjes, dhe të njëjtat t’i hedhin në koshat për plehra.
  • Gjatë pjesëmarrjs nëpër tubime ose gjatë qëndrimit në vende ku ka numër të madh të njerëzve të përdorim maska mbrojtëse për hundë dhe për gojën.
  • Të evitojnë kontakt me personat të cilët duken si të sëmurë si dhe kontaktin me gjësendet e tyre personale.
  • Të evitojnë kontakt dhe vizita në fermat, tregjet, shtallat me deve.
  • Të evitojnë konsumimin e qumëshit të pa pasterizuar ose ushqimeve që përmbajnë mish të pagatuar, ose ushqimeve të cilat nuk janë të përpunuara mirë termikisht.

 

Sëmundja ZIKA dhe ethet denga

Besimtarëve të cilët do udhëtojnë për në Haxh, Umre u rekomandohet që të ndërmarrin masat e nevojshme që të evitojnë pickimin nga mushkonjat gjatë ditës dhe natës, e që përfshijnë:

  • Veshjen e rrobave mbrojtëse (mundësisht me ngjyrë të hapur) e që mbulojnë sipërfaqe sa më të madhe të trupit
  • Përdorimin e barrierave fizike, si rrjetat për dritaret dhe dyert e hapura
  • Të flejnë në mjedise/tenda të kondicionuara
  • Të përdorin preparate për mbrojtje nga insektet (sipas udhëzimeve të prodhuesit)

 

Sëmundjet të cilat përhapen përmes ushqimit dhe ujit

Autoritetet në Arabinë Saudite, gjatë arritjes në Haxh dhe Umre, nuk lejojnë futjen e ushqimeve, përveç se të sasive të vogla, të konservuara ose në kuti të mbylluara hermetikisht. Për të parandaluar sëmundjet të cilat përhapen përmes ushqimit dhe ujit, besimtarëve u rekomandohet që tu përmbahen këtyre masave për mbrojtje:

  • Të lajnë mirë duart para dhe pas konsumimit të ushqimit, para dhe pas përdorimit të tualetit
  • T’i lajnë mirë frutat dhe perimet e freskëta
  • Të konsumojnë ushqime të përpunuara termikisht
  • Ta ruajnë ushqimin në temperaturë adekuate dhe të sigurt
  • Ushqimet e freskëta t’i ruajnë veçmas nga ato të gatuarat
  • Të konsumojnë vetëm ujë të ambalazhuar

Gjendje që shfaqen si pasojë e temperaturave të larta

Të gjithë besimtarëve, sidomos personave të moshuar u rekomandohet që të evitojnë ekspozimin e drejtpërdrejtë ndaj rrezeve të diellit gjatë kohës së kryerjes së ritualeve dhe të konsumojnë sasi të mjaftueshme të lëngjeve. Ilaçet të cilat mund ta përkeqësojnë dehidrimin (p.sh. diuretikët) ose ilaçet e tjera të cilat mund të kenë ndikim negativ gjatë ndryshimit të temperaturave, duhet të përshtaten nga mjeku i cili i ka dhënë ato.

Sektori për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve infektive pranë Institutit të shëndetit publik qytetarëve të tij që planifikojnë udhëtim për në Haxh dhe Umre, u rekomandon që para udhëtimit ta viitojnë mjekun amë dhe të kërkojnë nga ai këshilla dhe rekomandime për mbrojtjen e shëndetit gjatë udhëtimit varësisht nga gjendja e tyre shëndetësore aktuale. Sipas nevojës, në rast të sëmundjeve kronike ose gjendjeve specifike të organizmit, të vizitohet edhe mjeku specialist përkatës.

Pas kthimit nga Haxhi dhe Umre, nëse ndonjë nga pelegrinët ka ethe ose simptoma të sëmundjes respiratore në një afat kohor prej 14 ditësh, menjëherë duhet të vizitojë mjekun amë dhe të japë informacion për udhëtimin e bërë.