Sëmundjet malinje, bashkë me sëmundjet kardiovaskulare janë shkaktarët kryesorë të vdekjeve në botë dhe tek ne. Në botë, kanceri i qafës së mitrës (KQM) zë vendin e 4 si lloji më i shpeshtë i kancerit dhe vendin e 4 si shkaktar i vdekjes së grave.

Në vitin 2012 ka pasur 528.000 raste të zbuluara të KQM. Po në të njëjtin vit ka pasur edhe 266.000 raste të vdekjes. Mbi 80% e rasteve me KQM janë regjistruar në vendet në zhvillim. [1]

FAKTORËT E RREZIKUT

Shoqata amerikane për kancerin ofron këtë listë të faktorëve të rrezikut  për shfaqjen e kancerit të qafës së mitrës:

  • Infeksioni me human papilloma virus(HPV), HIV, klamidia
  • Stresi dhe çrregullimet e shkaktuara si pasojë e stresit
  • Mënyra e të ushqyerit
  • Pirja e duhanit
  • Shtatzënitë e shpeshta
  • Ekspozimi ndaj preparatit hormonal dietilstilbestrol  (DES)
  • Raste të kancerit të qafës së mitrës në familjen e ngushtë dhe të gjerë [2]

 

HPV

Infeksioni me Human papilloma virus (HPV) është faktor i shpeshtë për zhvillimin e pothuajse të gjitha rasteve të kancerit të qafës së mitrës. Infeksionet me HPV janë shumë të shpeshta dhe shfaqen tek rreth 80% e njerëzve seksualisht aktiv, pa dallim nëse kanë apo nuk kanë simptoma. Lidhja mes kancerit dhe HPV është se shkaktohen ndryshime tek qelizat në qafën e mitrës që mund të ndikojnë në zhvillimin e neoplazmave intraepiteliale cervikale që mund të kalojë në formë kancerogjene.

Infeksionet HPV zakonisht nuk shkaktojnë kurrfarë simptomash, kështu që partnerët mund të mos jenë të vetëdijshëm për infeksionet HPV aktual, ose ato të kaluara. Në Republikën e Maqedonisë nga data 05.10.2009 me vendim të Ministrisë së shëndetësisë filloi zbatimi i vaksinës HPV për vajzat në  moshë nga 12 vjet. Kjo vaksinë u bë e detyrueshme në vitin 2010. [3]

 

SHENJAT DHE SIMPTOMAT E KANCERIT TË QAFËS SË MITRËS

Kanceri i qafës së mitrës mund të manifestohet me gjakderdhje vagjinale, por simptomat mund të mungojnë deri në momentin kur kanceri të ketë arrirë në një fazë të avancuar. Simptomat e para të sëmundjes janë:

  • sekrecion vagjinal i pastër ose me sasi te vogla të gjakut, i bollshëm dhe me aromë të pakëndshme
  • gjakosje nga vagjina gjatë dha pas aktit seksual, mes dy cikleve menstruale dhe pas menopauzës, menstruacione me gjakosje më intensive dhe që zgjasin më gjatë se zakonisht
  • dhimbje gjatë aktit seksual.

 

LEZIONET PARAKANCEROZE POTENCIALE

Për ndryshimet displastike paramalinje përdoret gradacioni CIN (neoplazi intraepiteliale cervikale). Ky term e klasifikon displazinë e lehtë si CIN1, atë mesatare si CIN2 dhe atë të rëndë si CIN3 (CIS).

 

MORBIDITETI DHE MORTALITETI NGA KANCERI I QAFËS SË MITRËS NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË

Në Republikën e Maqedonisë shkalla e rasteve të reja të KQM është rreth 22,5 në 100.000 banorë.[4] Në Republikën e Maqedonisë në disa vitet e fundit numri i përgjithshëm i rasteve të reja me neoplazma malinje tregon një tendencë të zhvillimit pozitiv, dhe ndodhet nga vendi 3-6 si lokalizim primar i kancerit tek gratë. Shkalla e vdekshmërisë nga kanceri i qafës së mitrës po shënon një tendencë për rënie (nga viti 2000 kur janë regjistruar 6,5, deri në vitin 2015 kur janë regjistruar 3,8 raste në 100.000 gra).

       Diagrami 1

 grafik 07_09_2016

 

Burimi: Enti shtetëror i statistikës

Përpunoi: Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë

 

 

Aktivitete preventive në Republikën e Maqedonisë

Për ta zvogëluar incidencën dhe vdekshmërinë e grave nga kanceri i qafës së mitrës në Republikën e Maqedonisë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë për çdo vit miraton Program për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e sëmundjeve malinje në Republikën e Maqedonisë ku pjesë përbërëse është edhe Programi për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të qafës së mitrës përmes të cilit viteve të fundit po zbatohen disa aktivitete për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Në vitin 2012 filloi skriningu i organizuar për kancerin në qafën e mitrës në Republikën e Maqedonisë për gratë në moshë nga 24-35 vjet. Një vit më vonë në testimet PAP falas u përfshinë gratë në moshë nga 36-48 vjet, ndërsa vitin e tretë ngatë në moshë nga 49-60 vjet. Qëllimi është të ndërmerren intervenime dhe trajtime në kohë për të ndaluar zhvillimin e sëmundjes. Aktivitetet i zbaton Ministria e shëndetit publik dhe Instituti i shëndetit publik bashkë me Qendrat e shëndetit publik, gjinekologët amë dhe laboratorët citologjik.

Numri i grave të vizituara, gjegjësisht numri i testeve PAP të realizuara gjatë skriningut të organizuar për kancerin e qafës së mitrës në Republikën e Maqedonisë në periudhën nga viti 2012-2015 është gjithnjë e në rritje. Në vitin 2012 janë bërë17595 teste PAP, ndërsa në vitin 2015 29887.

REZULTATET NGA AKTIVITETET PREVENTIVE NË NIVEL INSTITUCIONAL PËR SKRINING TË KANCERIT TË QAFËS SË MITRËS NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË

Nga strishiot e analizuara në vitin 2014, tek 3.8%  e grave janë zbuluar ndryshime qelizore epiteliale, ndërsa në vitin 2015 kjo përqindje është 2,9%.

Në gjysmën e parë  të vitit 2016, nga gjithsej 15099 preparate të analizuara këto ndryshime përbëjnë 12% të numrit të përgjithshëm të testeve PAP të realizuara. Në mesin e tyre, më i madh është grupi i grave tek të cilat është zbuluar CIN 1 (me një pjesëmarrje prej 41,5% në numrin e përgjithshëm të ndryshimeve qelizore të zbuluara), pastaj vijon HPV (34,1%), ASC-US (13,6%) dhe CIN 2 (7,9%). CIN 3/CIS merr pjesë me 1%. Është zbuluar edhe një rast i kancerit pllakor invaziv dhe 2 raste të kancerit pllakor të dyshuara si invaziv.

Kjo dëshmon për vlerën e Programit, që ka për qëllim zbulimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të qafës së mitrës në fazën e  tij latente ose atë të hershme simptomatike. Në këtë mënyrë do të zvogëlohet incidenca dhe vdekshmëria e grave nga  kanceri i qafës së mitrës në Republikën e Maqedonisë.

 

PARANDALIMI I KANCERIT TË QAFËS SË MITRËS

Kanceri i qafës së mitrës mund të parandalohet duke zbatuar këto aktivitete preventive:

  • Skrining, zbulim i hershëm përmes zbatimit të testeve PAP të rregullta dhe testeve të tjera për diagnostikim
  • Ndryshim i shprehive negative tek popullata madhore, e që kanë të bëjnë me rrezikun nga këto sëmundje (të ushqyerit e parregullt, pirja e duhanit, aktiviteti i dobët fizik, mospërdorimi i mjeteve mbrojtëse gjatë aktit seksual)
  • Zvogëlimi i faktorëve të rrezikut përmes kufizimit të partnerëve seksual dhe përdorimit të prezervativëve gjatë marrëdhënieve seksuale
  • Pranim i vaksinës kundër HPV.

 

[1] World Health Organization. Comprehensive Cervical Cancer Control, a Guide to essential practice. 2014: 8

[2] Instituti i shëndetit publik. Informacion për gjendjen dhe rezultatet e arritura nga skriningu për kancerin e qafës së mitrës në vitin 2014 tek gratë në RM. 2014 :6

[3] Rregullorja për imunoprofilaksë, kimioprofilaksë, tek personat të cilët u nënshtrohen këtyre masave, mënyra e realizimit dhe mbajtjes së evidencës dhe dokumentacionit (Gazeta zyrtare e RM, nr. 65/2010)

[4] http://zdravstvo.gov.mk/wp-content/uploads/2013/01/hpv-i-pap.pdf