
Programi Mediteran për Epidemiologji Intervente (The Mediterranean Programme for Intervention Epidemiology Training – MediPIET) është themeluar për të rritur sigurinë shëndetësore në rajonin e Mesdheut duke mbështetur ngritjen e kapaciteteve për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse. Qëllimi kryesor i këtij programi është të krijohet një rrjet ekspertësh në fushën e epidemiologjisë, të cilët do të ndajnë mes tyre përvojat dhe praktikat më të mira për t`u mobilizuar në rast epidemish ndërkufitare.
Në kuadër të projektit MediPIET më datë 20 prill 2015, në Paris u mbajt një takim i jashtëzakonshëm i Forumit të Qendrave Trainuese ( Training Center Forum-TCF).
Në takim kishte 36 pjesëmarrës prej 17 vendeve te Mediteranit, Detit të Zi, ECDC ( European center for Desease and Control) dhe ekipit të MediPIET ( Institutit të Shëndetit Publik Karlos III dhe FIIAPP-Fundación Internacional y para Iberoamérica de Administración y Políticas Públicas). Takimi u drejtua nga as.dr. Shaban Memeti, pikë fokale e MediPIET-it për Republikën e Maqedonisë si dhe kryetar i TCF i zgjedhur në mënyrë anonime në takimin e parë të TCF të organizuar në Hamamet, shtator 2014.
Dr. Shaban Memeti e hapi sesionin duke u uruar mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrjeve dhe duke shpjeguar domosdoshmërinë e kësaj mbledhje ballë-për-ballë pas disa tentativave të pasuksesshme për realizimin e të njëjtës nëpërmjet telekonferencave. Dr. Memeti theksoi se përfaqësuesit e secilit prej vendeve përfituese (vendet e Mediteranit dhe Detit të Zi) prej këtij projekti kanë një rol shumë të rëndësishëm për ta bërë këtë projekt të suksesshëm dhe të qëndrueshëm.
Dr. Memeti e filloi takimin duke përmbledhur të gjitha aktivitet e TCF që nga takimi i parë në Tunizi, shtator 2014. Mbledhja vazhdoi me diskutimin për vendosjen e qëllimeve të projektit për vitin 2015 deri në konferencën e parë të MediPIET-it, e cila do të mbahet në Shkup, Nëntor 2015.
Për realizimin e qëllimeve u formuan 3 grupe pune, 2 grupe tematike dhe 1 grup operacioni. Për secilin prej grupeve u vendos një kryetar dhe një reporter, të cilët do hartojnë një plan aksioni për periodicitetin e takimeve të tyre.
Meqenëse faza parapërgatitore e këtij programi është realizuar nën udhëheqjen e ECDC dr. Memeti sugjeroi se përfaqësues prej ECDC duhet të jenë të pranishëm si vëzhgues në fazën implementuese. Ky sugjerim u prit pozitivisht prej pjesëmarrësve të ECDC në këtë takim.
Në përgjithësi MediPIET është shumë i vlerësuar prej vendeve të Mediteranit dhe Detit të Zi, dhe ky takim u konsiderua gjithashtu shumë i suksesshëm.
Për më shumë informacione në lidhje me MediPIET lexoni në faqen e internetit www.medipiet.eu