Me rastin e Javës Ndërkombëtare të Infermierisë, në 5 maj shënohet Dita Ndërkombëtare e Mamive, ndërsa 12 Maji është Dita Ndërkombëtare e Infermiereve dhe Teknikëve.
Dita Ndërkombëtare e Infermiereve dhe Teknikëve shënohet çdo vit më 12 maj në përkujtim të ditëlindjes së Florence Nightingale. Ajo ka lindur në Firencë, Itali më 12 maj të vitit 1820. Gjatë gjithë jetës së saj ajo ka luftuar për promovimin e profesionit të saj dhe për të drejtat e grave. Florence Nightingale konsiderohet si një pioniere e infermierisë moderne në botë, ajo ka kontribuar në promovimin e paraqitjes grafike të të dhënave statistikore, ka iniciuar edukimin profesional të infermiereve dhe ka prezantuar metoda për kujdes ndaj pacientëve dhe për organizim të spitaleve, të cilat janë pranuar në shumë vende.
Mjekësia merret me njeriun nga aspekti i sëmundjes, ndërsa kujdesi shëndetësor merret me njeriun nga aspekti i nevojave themelore të njeriut. Infermierja ka një profesion të përgjegjshëm dhe avokon për avancim të vazhdueshëm profesional dhe edukim të vazhdueshëm mjekësor.
Infermieria përfshin kujdesin autonom dhe kolaborativ për personat e të gjitha moshave, familjeve, grupeve dhe komuniteteve, të sëmurë ose të shëndetshëm në të gjitha kushtet. Kjo përfshin promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve dhe kujdesin ndaj të sëmurëve, invalidëve dhe atyre që po vdesin. Çdo vend ka nevojë për një fuqi punëtore shëndetësore kompetente, të arsimuar, të motivuar, të shpërndarë mirë dhe të mbështetur si pjesë e shtytjes globale për mbulim shëndetësor universal, ndërsa infermieret janë qenësore për realizimin e këtyre përpjekjeve.
Infermieret luajnë një rol qenësor në kujdesin shëndetësor. Shpesh herë ato janë të parat që zbulojnë rastet shëndetësore urgjente dhe punojnë në vijën e parë të parandalimit të sëmundjeve dhe ofrimit të kujdesit shëndetësor primar, duke përfshirë këtu edhe promovimin, parandalimin, trajtimin dhe rehabilitimin. Ato shpesh janë punonjësit e parë dhe ndonjëherë edhe të fundit shëndetësorë që e vizitojnë një pacient dhe cilësia e vlerësimit fillestar dhe kujdesit të tyre pasues është jetike për rezultate të mira shëndetësore. Infermieret marrin pjesë në edukimin shëndetësor të popullatës dhe grupeve të veçanta të cenueshme për faktorët e rrezikut për shfaqjen e sëmundjeve infektive dhe joinfektive (pirja e duhanit, ushqimi jo i shëndetshëm, përdorimi dhe abuzimi me alkoolin, përdorimi i drogës, pasiviteti fizik, sjelljet seksuale të pasigurta, etj.)
Marrja pjesë aktive në ndërgjegjësimin për kontrolle shëndetësore preventive të rregullta për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje, sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit, osteoporozës dhe sëmundjeve të tjera
Duhet theksuar statusi i infermiereve dhe rëndësia e tyre në mbarë botën për kontributin dhe angazhimin në përballjen me pandeminë globale të Covid 19.
OBSH e njeh rolin jetik të infermiereve në ofrimin e kujdesit shëndetësor primar në mbarë botën – përfshirë këtu atë në hulumtimin, parandalimin e sëmundjeve, trajtimin e të lënduarve, kujdesin paliativ dhe më shumë – që prezantohet përmes disa rezolutave të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë.
OBSH ka dhënë rekomandime të rëndësishme, përfshirë këtu investimin në edukimin e infermiereve dhe mamive, punësimin e infermiereve më të specializuara, investimin dhe përforcimin e aftësive drejtuese të infermiereve dhe mamive, përforcimin dhe njohjen e rolit të infermieres në sistemin shëndetësor dhe mbështetjen e punonjësve shëndetësorë dhe zbatimin e promovimit të shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve, që janë vendimtare për zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë mjekësore në të ardhmen.
Pothuajse 50% e punonjësve shëndetësorë janë infermiere dhe mami. Bota ka nevojë për 9 milionë infermiere dhe mami më shumë nëse do të arrijë mbulim shëndetësor universal deri në vitin 2030.
Pavarësisht rolit kritik që ata luajnë në kujdesin shëndetësor, në mbarë botën ka një mungesë infermieresh që pritet të rritet me rritjen e popullsisë, duke rritur kështu nevojën për infermiere të trajnuara në të gjitha fushat e kujdesit shëndetësor.
Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t’i ndjekë këto kushte dhe të praktikojë që në sistemin shëndetësor të angazhohen sa më shumë infermiere të arsimuara dhe të specializuara për një mbulim sa më të mirë shëndetësor të popullatës së saj.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe në vendet tjera, vihet re një trend i zvogëlimit të numrit të infermiereve.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për ta zvogëluar trendin e largimit të infermiereve është e nevojshme të zgjidhen problemet prioritare në profesionin e infermieres:
- miratimi i Ligjit për kujdesin shëndetësor dhe akusherik;
- njohja dhe vlerësimi i arsimit të lartë të infermiereve dhe mamive, si dhe përfshirja e specializimeve të tyre në marrëveshjet kolektive, në përputhje me Konventën 149 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës;
- futja e mentorimit në praktikën e infermierisë;
- investimi në edukimin e infermiereve dhe mamive, punësimi i infermiereve më të specializuara;
- investimi dhe përforcimi i aftësive drejtuese të infermiereve dhe mamive, përforcimi dhe njohja e rolit në sistemin shëndetësor dhe mbështetja e punonjësve shëndetësorë dhe zbatimi i promovimit të shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve, të cilat janë kyçe për zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë mjekësore në të ardhmen;
- rritja e rolit të infermiereve të partonazhit në ofrimin e kujdesit shëndetësor në komunitet dhe zgjerimi i rolit të tyre në ofrimin e kujdesit shëndetësor bazik dhe primar.
Infermieret luajnë një rol kritik në promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor primar. Ato ofrojnë kujdes gjatë rasteve të urgjencës dhe do të jenë qenësore për arritjen e mbrojtjes shëndetësore universale. Shprehim respektin e madh që kemi për infermieret për angazhimin dhe punën e tyre vetëmohuese dhe kujdesin për shëndetin e popullatës.
https://mk.wikipedia.org/wiki/
Përgatiti:
Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve