Dita Botërore e veshkave shënohet çdo të enjten e dytë në muajin mars dhe ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë që kanë veshkat për shëndetin tonë dhe zvogëlimin e shpeshtësisë dhe pasojave nga sëmundjet e veshkave dhe problemeve shëndetësore si pasojë e tyre në mbarë botën.
Dita Botërore e veshkave është një nismë e përbashkët e Shoqatës Ndërkombëtare të nefrologjisë (ISN) dhe Federatës Ndërkombëtare të Fondacioneve të veshkave (IFKF). Dita Botërore e veshkave shënohet që nga viti 2006. Këtë vit do shënohet në 12 mars dhe me moton “Veshka të shëndetshme për të gjithë”.
Shënimi i Ditës Botërore të veshkave ka për qëllim:
- Të ngrejë vetëdijen për veshkat tona;
- Të theksojë se diabeti dhe tensioni i lartë i gjakut janë faktorë kryesorë të rrezikut për paraqitjen e sëmundjeve kronike të veshkave;
- Të nxisë pacientët me diabet dhe hipertension t’i nënshtrohen skriningut të rregullt për sëmundje kronike të veshkave;
- Të nxisë masa preventive;
- Të edukojë punonjësit shëndetësor për rolin e madh që kanë në zbulimin dhe zvogëlimin e rrezikut nga SKV (sëmundjet kronike të veshkave), sidomos tek pjesa më e rrezikuar e popullatës;
- Të theksojë rolin e rëndësishëm që kanë autoritetet shëndetësore lokale dhe ndërkombëtare për kontrollimin e epidemisë së SKV. Në Ditën Botërore të veshkave, të gjitha qeveritë nxiten të ndërmarrin aktivitete dhe të investojnë për skriningun e sëmundjeve të veshkave;
- Të nxisë transplantimin si një mundësi me rezultat më të mirë gjatë mosfunksionimit të veshkave, si dhe aktin e donimit të organeve si një nismë e cila shpëton jetë;
- Të nxisë aplikimin e metodave për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e problemeve me veshkat për të parandaluar kështu problemet e mëvonshme, vdekjet dhe invaliditetin nga insuficienca kronike renale ose kardiovaskulare.
Ekzistojnë 8 rregulla të arta për parandalim më të mirë të sëmundjeve të veshkave:
- Ruani kondicionin dhe merruni me aktivitete fizike
- Bëni kontrolle të rregullta të nivelit të sheqerit në gjak
- Kontrolloni me rregull tensionin tuaj të gjakut
- Konsumoni ushqim të shëndetshëm dhe mirëmbani peshën trupore. Zvogëloni konsumin e kripës në 5 gram në ditë (një lugë kafeje) .
- Konsumoni sasi të mjaftueshme të lëngjeve- pini nga 1,5 -2 litra ujë në ditë.
- Hiqni dorë nga pirja e duhanit
- Mos pini barna pa nevojë, sidomos barna antinflamatore dhe josteroide
- Bëni kontrolle të rregullta të funksionit të veshkave.
Një nga qëllimet e Ditës Botërore të veshkave është të bëjë apel drejt të gjithë njerëzve që të bëjnë kontroll për të parë nëse janë të rrezikuar nga ndonjë sëmundje e veshkave.
Për ta bërë këtë duhet të përgjigjen në pyetjet në vazhdim, dhe nëse përgjigjja është “PO” në së paku një nga pyetjet e parashtruara, duhet të bisedojnë me mjekun amë dhe të bëjnë analiza për të parë nëse vuajnë nga ndonjë sëmundje e veshkave.
-A keni tension të lartë të gjakut?
-A vuani nga diabeti?
-A keni në familje persona të cilët vuajnë nga sëmundje të veshkave?
-A jeni mbipeshë?
-A pini duhan?
-A jeni mbi 50 vjet?
Personat që mund të zhvillojnë sëmundje të veshkave duhet të inkurajohen të bëjnë analiza themelore për të vlerësuar funksionimin e veshkave të tyre. Bëhet analiza laboratorike me një sasi shumë të vogël të gjakut (për të matur sasinë e kreatininës dhe për të vlerësuar shkallën e filtrimit glomerular) dhe me një sasi të vogël urine (për matjen e filtrimit të kreatininës dhe albumineve).
Pjesa më e madhe e njerëzve nuk kanë simptoma deri në momentin kur sëmundja kronike e veshkave të ketë arrirë në një stad më të avancuar, e atëherë shfaqen simptomat në vijim: ënjtje në nyje, lodhje, vështirësi në përqendrim, humbje oreksi, gjak në urinë dhe urinë e turbullt.
Në Republikën e Maqedonisë gjatë një viti rreth 1400 persona kanë nevojë për dializë, nga të cilët pjesa më e madhe vuajnë nga SKV. SKV kanë një rëndësi të madhe edhe si shkak i vdekjes dhe invaliditetit, si në botë ashtu edhe në vendin tonë. Kështu, tek ne, shkalla e vdekshmërisë nga kjo sëmundje ka qenë rreth 8,2 / 100 000 banorë, që bën pjesë në shkallët më të larta të vdekshmërisë në rajonin e Evropës. Kjo tregon për mungesën e vetëdijes për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje dhe fillimin e trajtimit në kohën e duhur, me ç’rast do mund të ndikohej dukshëm në përparimin e sëmundjes dhe parandalimin e ndërlikimeve, sidomos të sëmundjeve kronike të veshkave dhe trajtimit me dializë dhe transplantimit të veshkave.
Në fokus të Ditës Botërore të veshkave është promovimi i veshkave dhe transplantimi. Për një numër të madh të personave me SKV, trajtimi më i mirë është transplantimi i suksesshëm i cili përmirëson dhe ruan një cilësi më të mirë të jetesës.
Sektori për promovim, analizë dhe mbikëqyrje të sëmundjeve joinfektive