14 QERSHORI – DITA BOTËRORE E DHURIMIT TË GJAKUT

„DHURO GJAK DHE MIRËMBAJE BOTËN“

 

krv al

 

Dita botërore e dhurimit të gjakut shënohet çdo vit në 14 qershor. Kjo fushatë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes në mbarë botën për nevojën për gjak dhe produkte të gjakut për transfuzion dhe për kontributin kritik për dhurues vullnetarë të gjakut në sistemet shëndetësore kombëtare. Kjo ditë gjithashtu ofron mundësi për tu bërë thirrje për veprim qeverive dhe organeve shëndetësore kombëtare për të siguruar resurse adekuate dhe për të vendosur një sistem dhe një infrastrukturë për rritjen e nivelit të grumbullimit të gjakut nga dhurues pa pagesë e vullnetarë të gjakut.

Gjaku i sigurt dhe produktet e sigurta të gjakut dhe transfuzioni i tyre janë një aspekt kritik i kujdesit shëndetësor dhe shëndetit publik. Ato shpëtojnë me miliona jetë dhe e përmirësojnë shëndetin dhe cilësinë e jetës të shumë pacientëve për çdo ditë. Nevoja për gjak është universale, por jo edhe qasja në gjak për të gjithë ato që kanë nevojë për të.  Mungesa e gjakut është akute sidomos në vendet në zhvillim.

 

Për të siguruar gjak të sigurt dhe qasje për të gjithë që kanë nevojë për të, të gjitha vendet kanë nevojë për dhurues të rregullt të gjakut. Gjatë pandemisë me COVID-19, edhe përkundër lëvizshmërisë së ulët dhe sfidave të tjera, dhuruesit e gjakut në shumë vende vazhduan të dhurojnë gjak dhe plazmë për pacientët në nevojë për transfuzion. Ky mund i jashtëzakonshëm gjatë kësaj krize të paparë e thekson rolin qenësor të dhuruesve të organizuar mirë, të dedikuar, vullnetarë, pa pagesë të gjakut në në furnizimin me gjak në periudha normale dhe të jashtëzakonshme.

 

Në fokus të fushatës së sivjetme është parulla e Ditës botërore të dhurimit të gjakut “Dhuro gjak dhe mirëmbaje botën”. Mesazhi e thekson kontributin qenësor të cilin e japin dhuruesit e gjakut, duke shpëtuar jetë dhe duke e përmirësuar shëndetin e të tjerëve. Kjo e përforcon thirrjen globale që të rritet numri i dhuruesve të rregullt të gjakut dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë për një shëndet më të mirë.

Një fokus i veçant këtë vit do vendoset tek roli i të rinjve në sigurimin e furnizimit me gjak. Në shumë vende të rinjtë janë të parët në aktivitetet dhe nismat që kanë për qëllim arritjen e një furnizimi të sigurt me gjak duke dhuruar gjak pa pagesë dhe në bazë vullnetare. Të rinjtë paraqesin një sektor të madh të popullatës në shumë shoqëri dhe në përgjithësi janë plot idealizëm, entuziazëm dhe kreativitet.

Qëllimet specifike të fushatës këtë vit janë:

-Të shprehet një falënderim për dhuruesit e gjakut në mbarë botën dhe të krijohet një vetëdije publike më e gjerë për nevojën e dhurimit të rregullt e pa pagesë të gjakut;

-Të promovohen vlerat e përbashkëta për dhurimin e  gjakut dhe të përforcohet solidariteti dhe kohezioni shoqëror në komunitet;

-Të inkurajohen të rinjtë për të pranuar thirrjen humanitare për dhurimin e gjakut dhe t’i frymëzojnë të tjerët ta bëjnë të njëjtën gjë;

-Të promovohet potenciali i të rinjve si partnerë në promovimin shëndetësor.

Bashkëpunimi i përbashkët është qenësor për një jetë më të mirë në shoqëritë ku ne përkasim, ndërsa dhurimi i gjakut është shembulli më i mirë se si bashkëpunimi i mirë e ndihmon botën. Prandaj, të gjithë ne, me aq sa kemi mundësi, të  dhurojmë gjak të paktën një herë në vit, sepse me çdo dhurim tonin, ne shpëtojmë jetë.

 

Përgatiti: Njësia për promovim shëndetësor dhe ndjekje të sëmundjeve