Çrrënjosja e varfërisë

Sipas vlerësimeve të BE në mbarë botën ka më shumë se 2,2 miliardë persona të varfër, ose në prag të varfërisë. Programi për zhvillim i BE-së (UNDP) si shkaqe kryesore të rritjes së varfërisë thekson shtrenjtimin  ushqimit dhe luftërat, por edhe krizën financiare dhe fatkeqësitë natyrore.

BE thotë se mbrojtja sociale themelore për më të varfrit në botë do të kushtonte më pak se 2% e BPV botëror.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sistemin shëndetësor e përbëjnë të gjithë pjesëmarrësit dhe të gjithë aktivitetet qëllimi parësor i të cilëve është ta përmirësojnë dhe ta mirëmbajnë shëndetin e qytetarëve.

Shërbimet shëndetësore të organizuara janë vetëm një nga faktorët e shumtë për mirëmbajtjen e shëndetit , shërimin e sëmundjeve ose lehtësimin e jetesës me sëmundje. Bazë e sistemit shëndetësor në Republikën e Maqedonisë është mbrojtja shëndetësore primare e orientuar kah individi, familja dhe bashkësia me theks të veçantë tek mbrojtja shëndetësore preventive dhe plotësimin e pjesës më të madhe të nevojave shëndetësore të popullatës.

Në shëndetin e njeriut ndikojnë një numër i madh faktorësh nga mjedisi i jashtëm, faktorë ekologjik, social, ekonomik si dhe faktorë që janë si rezultat i stilit të jetesës dhe me sektorët e tjerë të të jetuarit. Ruajtja dhe përmirësimi është instrumenti kryesor për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të popullatës, e sidomos të grupeve të ndjeshme.

Për momentin Evropa po përballet me një tendencë të rritjes së varfërisë dhe përjashtimit social, si dhe një përkeqësim të kushteve të jetesës. Në BE rreth 125 milionë njerëz rrezikohen nga varfëria ose përjashtimi social, që nënkupton 24,8% të popullatës së përgjithshme (Eurostat, 2014:27).

Varfëria pasqyron mossuksesin e sistemit për sigurimin e burimeve dhe mundësive në një mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Kjo shkakton pabarazi të thella dhe një kontrast të madh mes atyre që kanë një pasuri të madhe në kurriz të atyre që janë të detyruar të jetojnë jetë të margjinalizuar dhe plot kufizime, edhe pse jetojnë në një zonë ekonomikisht të pasur. Përvoja na tregon se kriza në botë u ka shkaktuar një goditje shkatërruese vendeve ku pabarazia është më e theksuar dhe të cilat kanë një sistem më të dobët të mbrojtjes sociale. Për më shumë, politikat e kursimit dhe zvogëlimi i shërbimeve për mbrojtje sociale e rritën numrin e personave që jetojnë në varfëri.

Diskutimet për varfërinë në BE janë të lidhura ngushtë me përjashtimin social. Nocioni përjashtim social shërben për të theksuar procesin gjatë të cilit njerëzit varfërohen deri në atë shkallë sa që u kufizohet edhe qasja në burime dhe mundësi, duke ua kufizuar atyre pjesëmarrjen në jetën shoqërore dhe kulturore, gjë që i bën ata të ndjehen të margjinalizuar, të pafuqishëm dhe të diskriminuar. Për shkak të natyrës së ndërlikuar, veprimtaria e mbrojtjes shëndetësore dhe sistemit të sigurimit shëndetësor, për çdo individ në veçanti si dhe për të gjithë shtetin, ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe në këtë kuptim për mirëmbajtjen e saj imponohen kërkesa të mëdha për të gjithë faktorët që në çfarë do lloj mënyrë marrin pjesë në të.

Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë thotë:

Neni 9: Shtetasit e Republikës së Maqedonisë janë të barabartë në liritë dhe të drejtat pavarësisht nga gjinia, raca, ngjyra e lëkurës, prejardhja kombëtare dhe sociale, bindja politike dhe fetare, pozita pasurore dhe shoqërore.

Neni 39: Secilit i garantohet e drejta e mbrojtjes shëndetësore. Shtetasi ka të drejtë dhe detyrë që të ruajë dhe të përparojë shëndetin e tij dhe shëndetin e të tjerëve

Kushtetuta e RM-së, aktet ndërkombëtare, Ligji për mbrojtje shëndetësore, Ligji për sigurim shëndetësor, aktet nënligjore dhe rregulloret duhet të sigurojnë një mbështetje ligjore për një sistem shëndetësor të garantuar dhe të qëndrueshëm, por realiteti na thotë se nuk ka vend për një optimizëm normativ. Mosnjohja e mjaftueshme e të drejtave për mbrojtje shëndetësore dhe për sigurim shëndetësor për një pjesë të madhe të anëtarëve të komunitetit rom në të shumtën e rasteve paraqet një pengesë të patejkalueshme dhe që e thellon hendekun shoqëror dhe pabarazinë dhe që në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në gjendjen e keqe shëndetësore të romëve dhe në gjendjen e përgjithshme shëndetësore të të gjithë popullatës në vend. Prandaj, duhet bërë një avancim i qasjes dhe cilësisë të mbrojtjes shëndetësore për grupet e margjinalizuara, si dhe qasje në shërbime cilësore për kujdes afatgjatë të grupeve të ndjeshme dhe atyre të margjinalizuara:

  • Eliminim të pabarazive në mbrojtjen shëndetësore dhe sigurim të një qasjeje të barabartë në mbrojtje shëndetësore;
  • Mundësi për qasje tek këshilltarët për mbrojtje të të drejtave të pacientit në të gjitha institucion shëndetësor stacionar dhe informim i qytetarëve për ekzistimin e këtij institucioni, në pajtim me Ligjin për mbrojtje të të drejtave të pacientit.
  • Informim i grupeve të ndjeshme sa i përket të drejtave nga fusha e shëndetësisë e sidomos për të drejtën e mosdiskriminimit, në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe shoqërinë civile.
  • Përmirësim të qasjes në mbrojtje shëndetësore për personat pa sigurim shëndetësor ose dokumente identifikimi adekuate.

Republika e Maqedonisë ka një strategji nacionale për zvogëlimin e varfërisë dhe përjashtimit social 2010-2020, e që ka për qëllim një planifikim më efikas të aktiviteteve të ardhshme për arritjen e qëllimeve strategjike , si dhe përmirësimin e gjendjes dhe zvogëlimin e diskriminimit.  Në të ardhmen planifikohet një punë më e suksesshme në këtë fushë, si dhe një bashkëpunim me një numër më të madh të institucioneve që janë të një rëndësie qenësore për zvogëlimin e varfërisë dhe eliminimin e pabarazive dhe sigurimin enjë qasje të barabartë.

Literatura:

  1. Strategjia shëndetësore e Republikës së Maqedonisë, 2020 sistem shëndetësor i sigurt, efikas dhe i drejtë; Ministria e shëndetësisë, 2016
  2. Udhëzues për të drejtën e sigurimit shëndetësor, Misioni i OSCE në Shkup, Available from URL: osce.org/skopje;
  3. Varfëria dhe pabarazia në BE, udhëzues i EAPN, 2014
  4. Kontributi i inovacioneve sociale për zvogëlimin e varfërisë, broshurë e EAPN, shkurt, 2016

Përgatiti: Sektori për promovim, analizë dhe mbikëqyrje të sëmundjeve joinfektive