oralno zdravje

„Goja“ e shëndetshme ka një rëndësi qenësore për mirëmbajtjen e funksionimit të drejtë të organizmit dhe për ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm dhe cilësisë së jetës.

Me shëndet oral nënkuptojmë shëndetin e indeve orale dhe indeve të lidhura me ato dhe mundëson që individi t’i kryejë të gjitha funksionet pa shenja të sëmundjes dhe pa pengesa. Kjo, para së gjithash, varet nga kujdesi stomatologjik i cili në vete përmban masat dhe aktivitetet e nevojshme për ruajtjen e shëndetit oral dhe mundëson që kjo gjë të jetë në nivelin e duhur. Me kujdesin stomatologjik parandalohet paraqitja e sëmundjeve orale ose përkeqësimi i sëmundjeve ekzistuese të indeve orale.

Sëmundjet orale ose sëmundjet e zgavrës gojore, varësisht nga indi të cilin e prekin, mund të ndahen në sëmundje që prekin indet e forta orale dhe sëmundje që prekin indet e buta orale.

Sëmundjet e zgavrës së gojës që i prekin indet e forta orale dhe ato që i prekin indet e buta dallojnë dukshëm mes veti, si për nga etiologjia, patogjeneza dhe diagnostikimi, ashtu edhe për nga trajtimi dhe veprimet preventive.

Sëmundjet orale janë sëmundjet më të shpeshta joinfektive dhe ndikojnë tek njerëzit gjatë gjithë jetës, duke shkaktuar dhimbje, ndjenjë të pakëndshme, deformim, madje edhe vdekje.

Si sëmundje më të shpeshta orale mund të përmendim: kariesin – si sëmundje e indeve të forta orale, dhe gingivitin dhe paradontopatinë si sëmundje të indeve të buta. Më pas kemi edhe kancerin oral, manifestimet orale të infeksionit me HIV, traumat oro-dentale, noma, çarja e buzës dhe e qiellëzës.

 

Goja e shëndetshme ju mundëson njerëzve të flasin, të qeshin, të hanë dhe të kryejnë funksione të tjera gjatë jetës së tyre, por njëkohësisht e rrit edhe interaksionin shoqëror dhe e promovon mirëqenien.

Goja e pa shëndetshme mund të ndikojë në izolimin shoqëror, me ç’rast personat refuzojnë të komunikojnë e tu buzëqeshin të tjerëve për shkak të ndjenjës së turpit për shkak të dhëmbëve të tyre dhe percepsionit të të tjerëve për shëndetin e tyre oral.

Sëmundjet orale, e sidomos ato që prekin dhëmbët (kariesi) i gjejmë tek 3,9 miliardë njerëz në mbarë botën, ose tek 44% e popullatës.

Sëmundjet orale kanë lidhje edhe me një numër të madh të sëmundjeve joinfektive, siç është diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet respiratore dhe disa lloje të kancerit.

 

Në vitin 2018 World Dental Federation (FDI) për herë të parë fillon fushatën tre vjeçare me temë “Say Ahh” “Thuaj Ah” si sinonim për shëndet.

Fushata ka për qëllim të:

  • Edukojë për shëndetin oral si një element qenësor për një funksionim të drejtë dhe normal dhe për mirëmbajtjen e shëndetit në përgjithësi dhe cilësisë së jetës.
  • Theksojë lidhjet mes disa sëmundjeve orale dhe sëmundjeve të përgjithshme.
  • Ngrejë vetëdijshmërinë për faktorët e përbashkët të rrezikut, dhe
  • Promovojë shprehitë e mira për higjienë orale.

 

Në këtë mënyrë fushata do ndikojë në ngritjen e vetësijes globale për parandalimin dhe për kontrollimin e sëmundjeve orale.

Në kombinim me nëntema të ndryshme çdo vit, nën slloganin “Say Ahh” do të vihet në jetë idea për “gojën” e cila paraqet një pasqyrë të trupit dhe e pasqyron të gjithë shëndetin.

Në vitin 2018, me slloganin „Think for Mouth, Think for Health” “Mendoni për gojën, mendoni për shëndetin” duhet të arrihet një edukim sa më i madh i popullatës për shëndetin oral  që të kuptohet rëndësia e lidhshmërisë mes shëndetit oral si tregues i një shëndeti dhe mirëqenieje të përgjithshme.

Në vitin 2019, me slloganin „Act on Mouth Health“ – „Vepro për një shëndet më të mirë oral” duhet të arrihet një motivim i mbarë popullatës për të vepruar për mbrojtjen e shëndetit të tyre oral.

Në vitin 2020 njerëzit duhet të nxiten të punojnë së bashku për të aplikuar ndryshime pozitive sa i përket shëndetit oral dhe të bashkohen për shëndetin e gojës.

 DITA BOTËRORE E SHËNDETIT ORAL (PDF)

Përgatiti:

Sektori për promovim, analizë dhe mbikëqyrje të sëmundjeve joinfektive