Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1954 e shënoi 20 nëntorin si Ditën Botërore të fëmijëve, që ka për qëllim të sigurojë mirëqenie për të gjithë fëmijët në botë dhe t’i rikujtojë të rriturit se fëmijët, si anëtarë të barabartë të çdo shoqërie, kanë të drejtat e tyre dhe ato duhet të respektohen.

Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1959 e miratoi Deklaratën për të drejtat e fëmijëve, ndërsa në vitin 1989 u miratua edhe Konventa për të drejtat e fëmijëve të cilën Republika e Maqedonisë e ratifikoi në vitin 1993.

Të gjitha vendet anëtare të cilat e kanë miratuar Konventën për të drejtat e fëmijëve, sipas nenit  19 të Konventës për të drejtat e fëmijëve morën obligimin për të ndërmarrë të gjitha masat ligjore, administrative, sociale dhe arsimore për t’i mbrojtur fëmijët nga çfarëdo lloj forme të dhunës psikike, lëndimeve apo keqtrajtimeve, neglizhencës ose pakujdesisë, eksploatimeve, si dhe keqpërdorimit seksual.

Fëmijët janë një grup shoqëror mjaft i ndjeshëm, që lehtë mund të ekspozohet ndaj keqtrajtimit dhe dhunës, prandaj paraqitet nevoja për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Fëmijët për çdo ditë janë të ekspozuar ndaj dhunës, eksploatimit, viktimizimit nga të rriturit, por edhe ndaj urisë, sëmundjeve dhe mungesës së kushteve socio-ekonomike për një jetë të shëndetshme dhe aktive në vendet e varfra ose vendet në zhvillim. Problem shtesë për fëmijët është qasja në edukim,  shfrytëzimi i punës së fëmijëve për të lypur, punë në fabrikë dhe si pjesë e industrisë jolegale seksuale. Një nga problemet më të mëdha me të cilin po përballet bota është tregtia ilegale me fëmijë dhe organe, që është më prezente në mjediset ku fëmijët nuk kanë kushte për marrjen e dokumenteve personale.

Edhe në Republikën e Maqedonisë fëmijët përballen me rrezikun për tu bërë viktima të tregtisë ilegale me fëmijë dhe organe njerëzore,detyrimi për të kryer punë seksuale dhe shfrytëzim të mundit të fëmijëve duke i detyruar ato të punojnë në rrugë. Më të ekspozuar janë fëmijët e komunitet rom si një grup vulnerabël dhe i margjinalizuar. Ato hasin në probleme gjatë regjistrimit në librin amë të të lindurve dhe gjatë marrjes së dokumenteve personale.

Zyra e UNICEF thekson se në Maqedoni pas ratifikimit të konventës për të drejtat e fëmijëve të vitin 1993 para ditëlindjes së tyre të 5 vdesin më pak fëmijë, më shumë fëmijë kanë qasje në mësim në shkolla fillore dhe më pak fëmijë jetojnë nëpër institucione. Megjithatë, në raport thuhet se vazhdon të jetë i madh numri i fëmijëve të privuar, të stigmatizuar dhe atyre të përjashtuar nga shoqëria. 52% e të gjithë fëmijëve në moshë nga 2 deri më 14 vjet kanë qenë viktima të dhunës fizike në shtëpi, thonë nga UNICEF.

Edhe krahas përparimit të madh për fëmijët në rrafsh global, nga UNICEF thonë se në këto disa dekadat e fundit në botë  rreth gjashtë milionë fëmijë vdesin për çdo vit nga shkaqe që mund të parandalohen, ndërsa fëmijët nga amvisëritë e varfra kanë dy herë më shumë mundësi të vdesin para se të mbushin 5 vjet krahasuar me ato fëmijë që jetojnë në amvisëri më të pasura.

Qëllimi i shënimit të Ditës Botërore të fëmijëve është të kthejë vëmendjen e publikut të gjerë tek detyrimet që një shoqëri i ka ndaj fëmijëve, si dhe tek problemet më të rëndësishme të cilat përballen fëmijët.

Referenca:

  1. Dita Botërore e Fëmijëve 20 nëntori, Kombet e Bashkuara : http://www.un.org/en/events/childrenday/
  2. Konventa për të drejtat e fëmijëve, Kombet e Bashkuara: http://www.childrensembassy.org.mk/WBStorage/Files/konvencija%20celosna.pdf
  3. Lajmërim nga UNICEF: https://www.unicef.org/tfyrmacedonia/media.html

 

Përgatiti:

Sektori për promovim, analizë dhe mbikëqyrje të sëmundjeve joinfektive