Tema: „Po! Ne mund ta zhdukim Tuberkulozin!“
Tuberkulozi është një sëmundje e rëndë të cilën e shkakton bakteri Mycobacterium tuberculosis dhe kryesisht prek mushkëritë. TB-ja përhapet përmes ajrit kur njerëzit me tuberkuloz pulmonar kolliten, teshtijnë ose pështyjnë. Për t’u infektuar një personi i mjafton të thithë vetëm disa baktere. Çdo vit nga tuberkulozi (TB) sëmuren 10 milionë njerëz. Edhe pse është një sëmundje e parandalueshme dhe e shërueshme, nga tuberkulozi çdo vit vdesin 1.5 milionë njerëz – që e bën atë vrasësin infektiv kryesor në botë. Tuberkulozi është shkaku kryesor i vdekjes tek personat me HIV dhe gjithashtu një kontribues i madh në rezistencën antimikrobike.
Shumica e njerëzve që sëmuren me TB jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe mesatare, por TB-ja është e pranishme në të gjithë botën. Rreth gjysma e të gjithë të prekurve me TB gjenden në 8 vende të botës: Bangladesh, Kinë, Indi, Indonezi, Nigeri, Pakistan, Filipine dhe Afrikën e Jugut. Vlerësohet se rreth një e katërta e popullsisë globale ka qenë e infektuar me bakterin e tuberkulozit, por shumica e njerëzve nuk do të zhvillojnë TB, ndërsa tek disa infeksioni do të pastrohet. Personat e infektuar, por tek të cilët sëmundja (ende) nuk është zhvilluar, nuk mund ta transmetojnë atë.
Tek personat e infektuar me tuberkuloz rreziku për tu sëmurë nga tuberkulozi është prej 5-10%. Ata me sistem imunitar të komprometuar, si njerëzit që jetojnë me HIV, ata që kanë probleme me të ushqyerit ose që janë me diabet, ose njerëzit që përdorin duhan, janë më të rrezikuar nga zhvillimi i kësaj sëmundjeje.
Dita Botërore e Tuberkulozit 2023, me temën “Po!” Ne mund ta zhdukim TB-në!” ka për qëllim të frymëzojë shpresë dhe të inkurajojë udhëheqësit e nivelit të lartë të rrisin investimet, pranimin më të shpejtë të rekomandimeve të reja të OBSH-së, miratimin e inovacioneve, veprim të përshpejtuar dhe bashkëpunim shumë-sektorial për ta luftuar epideminë e TB-së. Ky vit është kritik me mundësi për të rritur dukshmërinë dhe angazhimin politik në takimin e nivelit të lartë të OKB-së për TB-në në vitin 2023. Këtë vit, fokusi i Ditës Botërore të TB-së do të jetë në inkurajimin e vendeve për ta rritur progresin në prag të takimit të nivelit të lartë të OKB-së për TB-në në vitin 2023. OBSH-ja do të lëshojë gjithashtu një thirrje për veprim me partnerët ku nga shtetet anëtare do kërkojë që ta përshpejtojnë zbatimin e regjimeve të reja më të shkurtra të trajtimit tërësisht oral për TB-në rezistente ndaj barnave të rekomanduara nga OBSH-ja. Dita Botërore e Tuberkulozit shënohet çdo vit më 24 Mars për të rritur ndërgjegjësimin për TB-në dhe përpjekjet për t’i dhënë fund epidemisë globale, duke shënuar kështu ditën kur në vitin 1882 u zbulua bakteri që shkakton TB-në.
Zhdukja e TB-së nuk është vetëm një problem i shëndetit publik, por një sfidë dhe mundësi zhvillimi. Strategjia e OBSH-së për ta zhdukur TB-në pas vitit 2015, e miratuar nga Asambleja Botërore e Shëndetësisë në vitin 2014, ka për qëllim t’i japë fund epidemisë globale të TB-së në kuadër të Qëllimeve të sapomiratuara për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Ajo shërben si një plan për vendet për zvogëlimin e incidencës së TB-së për 80%, vdekjet nga TB-ja për 90% dhe t’i eliminojë shpenzimet shkatërruese për familjet e prekura nga TB-ja deri në vitin 2030. Suksesi i strategjisë varet nga përshtatja e vendeve të ndryshme ndaj ndryshimeve për zbatimin efektiv të saj.
Sa i përket gjendjes me tuberkulozin në RMV vihet re një rënie e numrit të përgjithshëm të rasteve aktive, por përsëri raste të reja diagnostikohen çdo vit. Rënia e vazhdueshme e numrit të rasteve flet për efektivitetin e fushatave shëndetësore kundër tuberkulozit. Në vitin 2022 rastet e reja kanë qenë 128 me incidencë prej 6.96 në 100.000 banorë.
Pavarësisht numrit jo aq të lartë të rasteve të kësaj sëmundjeje në vendin tonë, ajo ërsëri nuk duhet harruar, dhe edukimi dhe vaksinimi i vazhdueshëm për këtë sëmundje duhet të vazhdojë pandërprerë.
Përgatiti: Departamenti i Promovimit të Shëndetit dhe i Ndjekjes së Sëmundjeve