Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër Abuzimit të Drogave dhe Trafikimit të Paligjshëm, ose Dita Botërore Kundër Drogës, festohet çdo vit më 26 Qershor dhe synon përforcimin e veprimit dhe bashkëpunimit për krijimin e një bote të lirë nga abuzimi me drogat.

Çdo vit, individë, komunitete të tëra dhe organizata të ndryshme në mbarë botën mblidhen për të shënuar Ditën Botërore Kundër Drogës për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për këtë problem të madh që paraqesin drogat ilegale për shoqërinë.

Motoja e këtij viti është:
“Zgjidhja e sfidave me drogat gjatë krizave shëndetësore dhe humanitare”.
2

Në vitin 2022, bota vazhdon të jetë dëshmitare e krizave të mëdha humanitare në Afganistan, Ukrainë dhe në vende të tjera, ndërkohë pandemia e Covid-19 vazhdon të jetë një krizë e madhe shëndetësore globale. Kriza me drogat sintetike kërkon zgjidhje të shpejta dhe të adaptueshme. Vazhdon të shfaqet një ndjenjë gjithnjë e në rritje e bashkësisë dhe solidaritetit global, si edhe nevoja për t’u kujdesur për të gjithë në këtë kohë krize. Me fushatën #CareInCrises, ose ‘Kujdes në Krizë’, na ndihmo ta bëjmë Ditën Botërore Kundër Drogës një kthesë në përpjekjet tona globale për t’i trajtuar sfidat me drogat. Së bashku, ne mund ta trajtojmë problemin global me drogat! [1]

Gjatë pandemisë me Covid-19, Instituti i Shëndetit Publik, me mbështetjen e Qendrës Evropiane të Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Drogat në Lisbonë, realizoi një hulumtim online për të mbledhur informacion nga përdoruesit e drogave për llojet e drogave që ata përdorin. Sipas këtij hulumtimi, për sa i përket prevalencës së përdorimit të drogave në 12 muajt e fundit – 90% janë përgjigjur se në 12 muajt e fundit kanë përdorur kanabis. Ngjashëm me kanabisin, në mesin e përdoruesve të drogave konsumimi i alkoolit dhe përdorimi i duhanit pozicionohen lartë në listë, me 92% sa i përket i alkoolit dhe me 87% sa  i përket përdorimit të duhanit. Një numër i madh i përdoruesve të drogave janë shprehur se vendi më i zakonshëm ku kanë përdorur droga gjatë 12 muajve të fundit ka qenë shtëpia, ndërsa klubet/baret, festivalet muzikore dhe festat janë treguar si vende ku drogat janë përdorur më pak [2].

Në vendin tonë ekzistojnë programe për parandalimin e varësive që kontribuojnë në zvogëlimin e pasojave shëndetësore, sociale dhe ekonomike të përdorimit të drogës në nivel individual, lokal dhe në nivel të komunitetit përmes të zbatimit të një sërë aktivitetesh që përfshijnë: ndarjen e pajisjeve sterile për injektim, edukimin dhe këshillimin, testimin falas për HIV/AIDS, si dhe shërbime nga një sërë profesionistësh – punonjës në terren, punonjës mjekësor, punonjës socialë, psikologë dhe avokatë. [3]

Ne vazhdojmë të angazhohemi për mbrojtjen e të drejtës për shëndet të grupeve më të cenueshme, përfshirë këtu fëmijët dhe të rinjtë, njerëzit që përdorin droga, personat me sëmundje të lidhura me drogën dhe njerëzit që kanë nevojë për akses në barna. Aktivitetet duhet të fokusohen në luftën e plotë dhe të vazhdueshme kundër trafikimit të drogave në mënyrë që të pamundësohet qasja e lehtë në to nga njerëzit, e sidomos nga fëmijët dhe të rinjtë.

Përgatiti: Departamenti për promovim shëndetësor dhe ndjekje të sëmundjeve