Duke marrë shkas nga numri gjithnjë e në rritje i personave të cilët përdorin droga, rreziku që sjell përdorimi i drogave për shëndetin dhe jetën e tyre, si dhe problemet me të cilat përballen një numër i madh i vendeve si rezultat i përdorimit të drogave dhe tregtisë ilegale të drogave, Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1987 e caktoi këtë ditë ndërkombëtare që ka për qëllim të rrisë vetëdijen për problemin me drogën në mbarë botën.
Për të shënuar këtë ditë çdo vit organizohen fushata të cilat i organizon Organizata për drogën dhe krimin pranë Kombeve të Bashkuara (UNODC).[1] Moto e aksionit për këtë vit është:
“TA NDËRTOJMË JETËN, IDENTITETIN DHE SHOQËRINË TONË PA DROGA”
Sot drogat paraqesin një sfidë të rëndësishme për të gjithë shoqërinë, e sidomos për të rinjtë. Mendohet se në mbarë botën së paku 200 milionë njerëz kanë konsumuar drogë së paku një herë gjatë vitit. Në mbarë botën ka 25 milionë njerëz të varur nga droga. Për çdo vit në mbarë botën vdesin 200 000 njerëz nga sëmundje që janë si pasojë e përdorimit të drogave.
Qendra Evropiane për monitorim të drogave dhe varësisë nga drogat (ЕМCDDA) raporton se në Evropë në vitin 2013 3,4% e rasteve të vdekjes të personave në moshë nga 15-39 vjet janë si pasojë e mbidozimit me drogë. Në 66% të rasteve vdekja ka ardhur si rezultat i përdorimit të opioideve (heroinë). Po të njëjtin vit 700.000 persona brenda kufijve të Bashkimit Evropian kanë pranuar trajtimin me metadon.[2]
Tregtia me droga vazhdon të jetë biznesi më fitimprurës në botë, si pjesë e krimit të organizuar. Drogat depërtojnë edhe në ekonomi përmes miliarda eurove që qarkullojnë gjatë larjes së parave dhe korrupsionit.
Kanabis (marihuana) është droga ilegale më e përdorur në mbarë botën. 70 milionë evropianë kanë provuar marihuanë së paku një herë në jetën e tyre, ndërsa më shumë se 3 milionë e përdorin atë për çdo ditë. 80% e drogave të sekuestruara në Evropë është kanabis, ndërsa 78% e të burgosurve për posedim ose përdorim droge kanë të bëjnë me kanabis.
Në Republikën e Maqedonisë në vitin 2013 rezultatet e Studimit për sjelljet lidhur me shëndetin tek fëmijët (HBSC) tregojnë se së paku një herë në jetë marihuanë kanë përdorur 4% e djemve të përkatësisë etnike maqedonase, 3% e djemve të përkatësisë etnike shqiptare dhe 2% e vajzave të përkatësisë etnike maqedonase të moshës 15 vjeçare.[3]
Hulumtimi ESPAD i realizuar në vitin 2012 në Shkup me nxënës të moshës 16 vjeçare nxori në pah se 8,7% e të rinjve kanë përdorur marihuanë së paku një herë në jetë. 2,8% kanë përdorur marihuanë 1-5 herë gjatë 30 ditëve të fundit. [4]
Vlerësohet se 1,3 milionë persona në moshë nga 15-64 vjet në Evropë (në vitin 2013) janë përdorues të opiateve (heroinës). (2) Sipas vlerësimeve mendohet se në RM-së 10 900 persona injektojnë droga (në të shumtën e rasteve heroinë).[5]
Përdorimi i palejuar i heroinës i margjinalizon dhe i largon nga shoqëria përdoruesit e saj. Droga ndikon në cilësinë e jetës. Zakonisht këto janë individë të papunë me një qasje të kufizuar në shërbime shëndetësore, sociale dhe ligjore. Stigma dhe diskriminimi ndaj këtyre personave është mjaft i theksuar. Përdorimi intravenoz i drogave në të shumtën e rasteve lidhet me rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve të cilat përcillen përmes gjakut, siç është hepatiti dhe HIV/SIDA.
Drogat sintetike kohëve të fundit janë gjithnjë e më të pranishme në mesin e të rinjve.
Nëse marrim parasysh se çdo ditë zbulohen lloje të reja të drogave sintetik, problemi me përdorimin drogave bëhet edhe më i madh. EMCDDA mbikëqyr 430 lloje të reja të drogave (substanca psikoaktive) nga të cilat 101 janë regjistruar në vitin 2014. Disa nga ato, siç janë opioidet sintetike ose drogat halucinogjene, kanë një aktivitet të fuqishëm farmakologjik. Mjaftojnë vetëm disa gram të disa drogave të caktuara që të fitohen 10 000 doza. [6]
Të rinjtë dhe droga
Më të prekur nga problemi i përdorimit të drogave janë të rinjtë, të cilët shumë shpesh të shtyrë nga kurioziteti dhe nën ndikimin e moshatarëve fillojnë të eksperimentojnë me droga, duke mos e ditur fare se çfarë mund tu shkaktojë përdorimi i tyre.
Në botë mendohet se prevalenca e përdorimit të drogave tek të rinjtë krahasuar me popullatën gjerë është dy herë më e madhe, ndërsa kur bëhet fjalë për marihuanën ajo është tre herë më e madhe.
Jetojmë në një botë ku prindërit janë të mbingarkuar me punë dhe gjithnjë e më pak kanë kohë për fëmijët e tyre. Edhe fëmijëve gjatë rritjes vazhdimisht u shtohet obligimet. Tek ata gjithnjë e më i madh po bëhet ndikimi që kanë moshatarët e tyre. Sot, të rinjtë për llojet e reja të drogave informohen përmes rrjeteve sociale. Në internet ka video në të cilat prezantohen lloje të ndryshme të drogave, por edhe se si përdoren ato. Në internet ekziston edhe mundësia për komunikim anonim dhe shitje të drogave (darket). Të rinjtë sot drogën mund ta sigurojnë edhe me ndihmën e kompjuterit. UNODC ka identifikuar 650 faqe interneti në të cilat mund të blihen substanca të reja psikoaktive.
Në mesin e të rinjve sot më së shumti qarkullojnë informata dhe dezinformata të ndryshme për efektet momentale pozitive të drogave, por jo edhe për efektet negative. Efektet negative ndaj shëndetit varen nga lloji i drogës, doza dhe frekuenca e përdorimit të saj. Drogat e ndaluara mund të ndikojnë dukshëm edhe në zhvillimin psikik dhe emocional.
Përdorimi i drogave dhe alkoolit në moshë të re paraqet një rrezik të madh sepse trupi (sidomos truri) është ende duke u zhvilluar dhe pasojat nga përdorimi i drogave mund të jenë mjaft të rënda. Fëmijët që jetojnë në familje disfunkcionale janë më të rrezikuar dhe më të pirur për përdorim të drogave dhe për sjellje të tjera të rrezikshme.
REKOMANDIME:
- Të jetuarit shëndetshëm nënkupton marrjen e vendimeve të drejta në interes të shëndetit.
- Të rinjve u duhet dhënë informacion i saktë për drogat dhe rreziqet që burojnë nga përdorimi i drogave ilegale.
- Raportet e mira familjare paraqesin faktorin më të fuqishëm mbrojtës për parandalimin e përdorimit të drogave tek të rinjtë, për parandalimin e sjelljes delikuente dhe sjelljeve seksuale të rrezikshme. Raporti i afërt mes prindërve dhe fëmijëve, koha e kaluar bashkë mbikëqyrja e fëmijëve nga prindërit, shprehja e dashurisë ndaj fëmijëve, por edhe respektimi i rregullave dhe përcaktimi i kufijve (disiplina) janë faktorë të rëndësishëm për ndërtimin e një personaliteti të shëndetshëm dhe të fortë dhe për parandalimin e përdorimit të drogave. [7]
- Zgjidhja e problemit të përdorimit të drogave kërkon pjesëmarrje të shumë faktorëve (qasje multisektoriale), duke filluar që nga familja, institucionet dhe bashkësia më e gjerë.
- Aktivitetet për parandalim duhet të zbatohen sipas planit, vazhdimisht, në pajtim me grupet e synuara dhe nevojat dhe të bazohen në praktika të mira.
- Një vëmendje e posaçme kushtuar trajtimit të personave të cilët përdorin droga, si dhe zhdukjes së paragjykimeve dhe diskriminimit. Varësia nga droga paraqet një sëmundje kronike (afatgjatë dhe recidive) dhe si e tillë edhe duhet trajtuar.
Mesazh drejtuar të rinjve:
Mos lejoni që drogat të kontrollojnë jetën tuaj!
Sektori për promovim, analizë dhe mbikëqyrje të sëmundjeve joinfektive
Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë
[1] http://www.unodc.org/drugs/june-26/ [2]EMCDDA: European drug report, 2015 [3] Shëndeti si cilësi e jetës. Qendra për aksion krize dhe psikosocial, Shkup, 2013:89 [4] Raporti ESPAD 2012. Kontakt, Shkup, 2012 [5] Raporti nga studimi për vlerësimin e popullatës që injekton droga. Ministria e shëndetësisë, 2010 [6] Drug policies in the perspective of the United Nations General Assembly Special Session (UNGASS 2016) — Views of the EMCDDA Director [7] http://www.unodc.org/unodc/en/frontpage/building-family-skills-to-prevent-drug-use.html