Sot në mjediset e Institutit të shëndetit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut , në prani të përfaqësuesve të Shoqatës për mbrojtje gjatë punës të Republikës së Maqedonisë së Veriut , përfaqësues të institucioneve të autorizuara për mjekësi të punës dhe siguri në punë, në mënyrë solemne u shënua 28 Prilli – Dita ndërkombëtare e sigurisë dhe shëndetit në punë. Me këtë rast fjalim mbajti drejtori i Institutit të shëndetit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, doc. d-r. Shaban Memeti dhe drejtori i NP Parqe dhe gjelbërim z. Ardijan Muça. Për shënimin e kësaj dite në mënyrë simbolike para objektit të Institutit të shëndetit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbollën pemë, ndërsa drejtorit Ardijan Muça ju dorëzua një fletëfalënderim për kontributin e vazhdueshëm në shënimin e Ditës ndërkombëtare të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Me këtë rast, Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si edhe çdo vit, publikoi Informacion për lëndimet në punë në vitin 2020 (Lëndimet në punë-2019-2020.pdf (iph.mk)
Pse shënohet kjo ditë
Në vitin 2003, Organizata Ndërkombëtare e punës (ONP), filloi ta shënojë Ditën Botërore me qëllim theksimin e nevojës për parandalim të lëndimeve në punë dhe sëmundjeve profesionale. Kjo bëhet si pjesë e strategjisë globale për siguri dhe shëndet në punë dhe paraqet një mjet të rëndësishëm për ngritjen e vetëdijes për atë se si mjedisi i punës të bëhet i sigurt dhe i shëndetshëm, dhe se si të rritet vullneti politik për rritjen e sigurisë në punë në një nivel më të lartë.
28 prilli gjithashtu është edhe Dita ndërkombëtare e përkujtimit dhe nderimit të të gjithë punonjësve që kanë humbur jetën si pasojë e lëndimeve në punë dhe sëmundjeve profesionale.
Këtë vit 28 Prilli shënohet nën moton:
PARASHIKONI, PËRGATITUNI DHE PËRGJIGJUNI KRIZAVE!
INVESTONI TANI NË SISTEME TË FUQISHME PËR SIGURI DHE SHËNDET NË PUNË
Pse pikërisht me këtë moto: Sepse gjatë vitit që kaloi pandemia me COVID-19 la pasoja të rënda në pothuajse të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me punën – që nga rreziku i drejtpërdrejtë nga infektimi me virusin në vendin e punës, e deri tek numri i madh i rasteve të vdekjes, sidomos në sektorët kryesorë, humbja e vendeve të punës, mbyllja e ndërmarrjeve, kufizimi i lëvizjes, ndalimi i largimit nga shtëpia, mbyllja e shkollave dhe ndikimi në zinxhirët global të furnizimit, në komunikacion, gastronomi, turizëm…
Pandemia të gjithë punonjësit i ekspozoi ndaj rrezikut nga infektimi me SARS-CoV-2, ndërkohë që ky rrezik është veçanërisht i lartë në shëndetësi, në mbrojtjen sociale dhe tek punonjësit në vendet qenësore të punës në sektorët e infrastrukturës kritike (polici, ushtri, telekomunikim, banka, arsim, tregti, prodhimtari të ushqimit, furnizim me ujë, etj.). Krahas rrezikut nga infektimi me koronavirusin e ri, punonjësit përballen edhe me rreziqe të tjera të cilat u shfaqën gjatë pandemisë, si stresi, dhuna dhe abuzimi. Gjithashtu, praktikat e reja të punës të cilat u miratuan me qëllim kontrollimin e përhapjes së virusit, krijojnë rreziqe të reja për sigurinë dhe shëndetin në punë, përfshirë këtu rreziqet kimike, ergonomike dhe psikosociale.
Pandemia e COVID-19 si asnjëherë më parë e nxorri në pah nevojën për përforcimin e shërbimeve të mjekësisë së punës, të cilat funksionojnë si urë lidhëse mes shëndetit publik dhe vendeve të punës. Shërbimet e mjekësisë së punës luajnë një rol të qenësishëm në këshillimin dhe mbështetjen e punëdhënësve për zbatimin e vlerësimeve të rreziqeve në vendet e punës dhe miratimin e masave efikase preventive dhe korrigjuese, siç është monitorimi i vazhdueshëm i kushteve në mjediset e punës dhe monitorimi i gjendjes shëndetësore të punonjësve nëpërmjet kontrolleve shëndetësore preventive të rregullta.
Edhe pse sistemi i shëndetit publik ka përgjegjësi për parandalimin e përhapjes së virusit që shkakton COVID-19, sistemet nacionale adaptibile dhe efektive për siguri dhe shëndet në punë janë qenësore për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punonjësve. Për këtë qëllim, shërbimet për siguri dhe shëndet në punë duhet të jenë të pajisura dhe burime adekuate njerëzore, materiale dhe financiare. Prandaj, duke e marrë parasysh përvojën e deritanishme dhe duke i respektuar rekomandimet e Organizatës Ndërkombëtarte të punës, sistemet nacionale për gatishmëri dhe përgjigje ndaj gjendjeve të jashtëzakonshme duhet që në mënyrë aktive ta inkorporojnë gatishmërinë për siguri dhe shëndet në punë në planet e tyre nacionale për përgjigje ndaj katastrofave. Shpresoj që të gjitha angazhimet tona në të ardhmen të zhvillohen në këtë drejtim dhe se shërbimet për siguri dhe shëndet në punë do munden realisht ta japin kontributin e tyre për një përballje sa më të suksesshme me këtë pandemi, por edhe me çdo katastrofë në të ardhmen.