Ditët ndërkombëtare shërbejnë si një mundësi e shkëlqyer për ta edukuar popullatën për çështje me interes të përbashkët, për ta mobilizuar vullnetin politik dhe resurset për zgjidhjen e problemeve globale, e gjithashtu edhe për t’i kremtuar dhe përforcuar arritjet e njerëzimit.
Në vitin 2019, Dita ndërkombëtare e personave me nevoja të veçanta shënohet nën moton: Promovimi i pjesëmarrjes të personave me nevoja të veçanta dhe lidershipit të tyre: Agjenda për zhvillim të qëndrueshëm 2030.
Dita ndërkombëtare e personave me nevoja të veçanta fokusohet në aftësimin e këtyre personave për një zhvillim inkluziv, të drejtë dhe të qëndrueshëm, siç është theksuar në Agjendën për zhvillim të qëndrueshëm 2030, e cila synon që të përfshihen të gjithë dhe e njeh invaliditetin si çështje që duhet të merret parasysh gjatë zbatimit të Qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm.
Invaliditeti ceket në pjesë të ndryshme të Qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm, sidomos në pjesët që kanë të bëjnë më arsimimin, rritjen dhe punësimin, pabarazinë, qasjen në vendbanimet ku jetojnë, si dhe grumbullimin dhe monitorimin e të dhënave të Qëllimeve.
Sot, popullata në botë numëron mbi 7 miliardë njerëz. Më shumë se 1 miliardë njerëz, ose rreth 15% e popullsisë në mbarë botën, jetojnë me ndonjë formë të invaliditetit. 80% jetojnë në vendet në zhvillim, ndërsa 50% e personave me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të paguajnë për mbrojtje shëndetësore.
Personat me nevoja të veçanta, “pakica më e madhe në botë”, në përgjithësi gëzojnë një mbrojtje shëndetësore më të dobët, më pak mundësi ekonomike dhe janë më të prekur nga varfëria për dallim nga personat pa invaliditet. Kjo kryesisht është si pasojë e mungesës së shërbimeve (si teknologjia informatike dhe komunikuese, transporti etj.) dhe pengesat e shumta me të cilat përballen në jetën e tyre të përditshme. Këto pengesa mund të kenë forma nga më të ndryshmet, përfshirë këtu edhe ato që kanë të bëjnë me mjedisin fizik, ose ato që burojnë nga legjislacioni ose politika, nga qëndrimet shoqërore ose diskriminimi.
Konventa për të drejtat e personave me invaliditet e KB paraqet instrumentin e parë ligjor me të cilin përcaktohen standardet minimale për të drejtat e personave me nevoja të veçanta. Nga tetë fushat me prioritet të kësaj Konvente, nën numrin 7 gjendet Shëndetësia dhe ka të bëjë me qasjen e barabartë në shërbime shëndetësore dhe institucione shëndetësore për personat me nevoja të veçanta. Kështu, garantohet e drejta për një mbrojtje shëndetësore gjithëpërfshirëse dhe të barabartë, me cilësi të njëjtë, për personat me nevoja të veçanta në shëndetësi pa diskriminim mbi bazë në invaliditet. Vendi ynë Konventën për të drejtat e personave me invaliditet e nënshkroi në 20 mars të vitit 2007, ndërsa e ratifikoi në 5 dhjetor 2011.
Republika e Maqedonisë së Veriut krijon masa për përfshirjen më të lehtë të mjedisit dhe për realizimin sa më të lehtë të të gjitha aktiviteteve të personave me nevoja të veçanta. Fushat në të cilat punohet janë arsimi, punësimi, banimi, mbrojtja sociale e personave me nevoja të veçanta, por duhet theksuar në veçanti mbrojtja shëndetësore sepse ajo është më e nevojshme për këto persona gjatë përballjes me vështirësitë shëndetësore.
Burimi:
1. https://www.un.org/en/observances/day-of-persons-with-disabilities
- http://www.un.org/en/events/disabilitiesday/background.shtml
- http://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/disability-and-health
Përgatiti: Sektori për promovim, analizë dhe ndjekje të sëmundjeve joinfektive