Për çdo vit Kombet e Bashkuara publikojnë një temë e cila e shënon 3 dhjetorin – Ditën Ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta. Këtë vit tema është si vijon: “Arritje e 17 qëllimeve për një ardhmëri të cilën e duam” dhe kthen vëmendjen kah 17 qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm dhe se si ato qëllime mund të krijojnë një botë më inkluzive dhe më të drejtë për personat me nevoja të veçanta.

Tema e sivjetme siguron një kornizë për të përcaktuar se si personat me nevoja të veçanta janë të përjashtuar nga shoqëria përmes promovimit të eliminimit të të gjitha llojeve të barrierave, përfshirë këtu edhe ato që kanë të bëjnë me mjedisin fizik, informacionet dhe teknologjinë e komunikimit (ITK) ose qëndrimet e krijuara nga disa barriera.

Dita ka për qëllim të promovojë një mirëkuptim më të mirë të fushës së hendikepit, me fokus tek të drejtat e personave me nevoja të veçanta dhe përfitimet që do burojnë nga procesi i integrimit të këtyre personave në çdo aspekt të jetës politike, sociale, ekonomike dhe kulturore në komunitetet e tyre. Kjo ditë shënohet që nga viti 1992 kur Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 3 dhjetorin për Ditë ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta dhe që atëherë kjo ditë kremtohet në mbarë botën.

Sot mendohet se së paku 10% e popullatës në botë, ose 650 milionë njerëz jetojnë me invaliditet. Në vendet e pazhvilluara dhe në vendet në zhvillim ky numër është dukshëm më i madh se sa në vendet e zhvilluara dhe të pasura. Rreth 20% e personave të varfër në botë janë persona me nevoja të veçanta. Në vendet me të ardhura të ulëta dhe të ardhura mesatare, vetëm 5-15% e personave me nevoja të veçanta, që kanë nevojë për pajisje dhe teknologji ndihmëse, kanë qasje në to. Statistikat thonë se përqindja e fëmijëve me nevoja të veçanta që nuk ndjekin mësimin në shkollë ndryshon shumë dhe në disa vende afrikane arrin nga 65 – 85%.

Megjithatë, çdo vend mundohet që t’i ndihmojë këto persona me nevoja të veçanta që ata më lehtë të përballen me jetën. Në Republikën e Maqedonisë mendohet se 10% ose rreth 200 000 banorë janë persona me nevoja të veçanta.

Shteti krijon masa dhe zgjidhje  për përfshirje më të lehtë të tyre në mjedisin shoqëror dhe për realizim më të lehtë të aktiviteteve. Fushat në të cilat punon janë arsimi, punësimet, banimi, mbrojtja sociale e personave me nevoja të veçanta, por duhet theksuar në veçanti mbrojtja shëndetësore sepse ajo është më e nevojshme për këta persona që ato të përballen më lehtë me vështirësitë shëndetësore. Shkencat bashkëkohore mjekësore dhe shkencat e tjera  mund tu ndihmojnë shumë këtyre personave për t’i zhvilluar potencialet dhe aftësitë e tyre të tjera dhe të bëhen anëtarë aktiv të shoqërisë.

Në Republikën e Maqedonisë lloji dhe shkalla e pengesave në zhvillimin fizik dhe psikik caktohet me Rregulloren për përcaktimin e nevojave specifike të personave me pengesa në zhvillimin fizik dhe psikik dhe sipas kësaj rregulloreje kategorizohen personat me pengesa në zhvillimin fizik dhe psikik. Për sigurimin e kushteve për përfshirjen e tyre në jetën shoqërore shteti siguron  një mbrojtje të veçantë. Forma e mbrojtjes është e përcaktuar me Ligjin për mbrojtje sociale, Ligjin për mbrojtje shëndetësore, Ligjin për evidencë në fushën e shëndetësisë, ndërsa janë miratuar edhe Ligji për përdorimin e gjuhës me shenja, si dhe ligji për organizatat e invalidëve. Në legjislacionin në Republikën  e Maqedonisë që i mbron të drejtat e personave me nevoja të veçanta janë edhe Ligji për marrëdhëniet e punës dhe Ligji për punësimin e personave me invaliditet.

Shteti jonë vazhdimisht investon në programe konkrete për këta persona dhe e promovon qasjen në shërbime. Por, kur krijohen këto politika dhe programe duhet siguruar pjesëmarrja aktive e personave me nevoja të veçanta, sepse nga ato më së miri mund ta mësojmë se cilat janë nevojat e tyre të vërteta.

Këto programe dhe aktivitete duhet të jenë të bazuara, të punohet vazhdimisht për përmirësimin e mbrojtjes shëndetësore kur bëhet fjalë për personat me nevoja të veçanta, të punohet për një arsim inkluziv që do i përfshijë edhe fëmijët me nevoja të veçanta, tu mundësohet të punojnë, të hapen më shumë organizata punuese, në rast nevoje këtyre personave me nevoja të veçanta duhet tu mundësohet trajnim adekuat.

Të gjithë qytetarët duhet të ndihmojnë për përfshirjen e personave me nevoja të veçanta në jetën e përditshme, pa dallim nëse bëhet fjalë për nivel më të lartë të mbrojtjes shëndetësore, apo ndihmë për një person me hendikep për të kaluar rrugën, të ngjitet në autobus, etj.

Me angazhim nga çdo qytetar i Republikës së Maqedonisë, e veçanërisht Qeverisë dhe institucioneve të saj, mund të kontribuojmë që personat me nevoja të veçanta edhe në vendin tonë të bëjnë një jetë dinjitoze dhe të barabartë. Përveç shtetit, edhe organizatat joqeveritare punojnë me vrull për lehtësimin e jetës të personave me nevoja të veçanta. Vetëm me angazhim të përbashkët ne do mund ta bëjmë shtetin tonë një vend më të mirë për jetesë për këta persona.

Literatura e përdorur:

1)    International day of people with disabilities. http://www.idpwd.com.au/

2)    Making the MDGs inclusive: empowerment of persons with disabilities in their communities–World Health Organization. http://www.who.int/disabilities/media/events/idpdinfo031209/en/

3)    Udhëzues për vlerësimin e gjendjes së invaliditetit dhe mjedisit jetësor dhe punues të personave me nevoja të veçanta. Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë. http://www.iph.mk/upatstvo-za-procenka-na-povrzanosta-na-sostojbata-na-invaliditet-i-zivotnata-i-rabotnata-sredina-na-licata-so-posebni-potrebi/

Përgatiti:

Sektori për promovim, analizë dhe mbikëqyrje të sëmundjeve joinfektive