Siguria e ushqimit dhe të ushqyerit e drejtë janë parakushte themelore për shëndet dhe mirëqeni të popullatës së një vendi dhe duhet të integrohen në të gjitha politikat, jo vetëm në ato shëndetësore, por edhe në ekonominë, bujqësinë, turizmin dhe tregtinë e një vendi.
Në 20 dhjetor të vitit 2018 sekretari i përgjithshëm i Kombeve të bashkuara miratoi rezolutën 73/250 për caktimin e Ditës Botërore të sigurisë së ushqimit. Kështu, duke filluar nga viti 2019, 7 qershori do jetë ditë e cila do shënohet me aktivitete të cilat i theksojnë përfitimet nga ushqimi i sigurt, por edhe lëshimet dhe mangësitë eventuale në zinxhirin e ushqimit të sigurt.
Ushqimi i sigurt ka një rëndësi qenësore për promovimin e shëndetit dhe eliminimin e urisë – dy qëllimet kryesore të Agjendës për vitin 2030. Pa siguri të ushqimit nuk mund të ketë mjaftueshëm ushqim të sigurt. Në këtë botë ku zinxhiri ushqimor bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar, çdo incident negativ në sigurinë e ushqimit mund të ketë efekte negative globale ndaj shëndetit të njeriut, tregtisë dhe ekonomisë.
Sëmundjet lidhur me ushqimin jo të sigurt zakonisht shkaktohen nga baktere, viruse, parazitë ose substanca kimike të cilat i fusim në organizëm përmes ushqimit ose ujit të kontaminuar. 600 milionë njerëz ose 1 në 10 njerëz në botë sëmuren si pasojë e konsumimit të ushqimit të kontaminuar dhe në vit vdesin rreth 420 000. Në këtë grup, fëmijët deri në moshën 5 vjeçare marrin pjesë me 40 % në ngarkesën me sëmundjet që burojnë nga ushqimi jo i sigurt, ose 125 000 raste të vdekjes në vit. Në vitin 2010 shkak kryesor i mortalitetit sa i përket sëmundjeve që burojnë nga ushqimi jo i sigurt në Rajonin Evropian është Salmonella enterica me 1854 raste të vdekjes, Campylobacter spp me 459, Norovirises 435, Listeria monocytogenes 399, Echinocoocus multilocularis 239, Hepatitis A 195, Brucella spp 191 (Тhe burden of foodborne diseases in the WHO European Region. Copenhagen 2017).
Rreziqet biologjike
Rreziqet biologjike paraqesin kërcënim më të madh për sigurinë e ushqimit dhe kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe të konsumatorit. Bakteret të cilat shkaktojnë intoksikim ose infeksion mund të shkaktojnë epidemi të mëdha të sëmundjeve akute për një periudhë shumë të shkurtër dhe janë kërcënim me të cilin do të përballen pjesa më e madhe e biznesit me ushqim. Disa lloje të baktereve mund të klasifikohen si rreziqe të rëndësishme për sigurinë e ushqimit, si për shembull Sallmonela, Listeria monocytogenes, Campylobacter dhe Е.coli 0157. Ekzistojnë baktere të cilat mund të rriten në lloje të caktuara të ushqimeve nën kushte të caktuara dhe të krijojnë toksine. Toksini, para së gjithash, formohet në ushqim para konsumimit të tij, ndërsa në disa raste toksinet mund të mbesin në ushqim edhe pas të jenë shkatërruar bakteret përmes përpunimit termik të ushqimit. Bacillus cereus dhe Staphylococcus aureus janë baktere të cilat mund të shkaktojnë intoksikim, por më i rëndësishëm dhe potencialisht më i rrezikshëm është Clostridium botulinum.
Gastroenteriti virusal është një dukuri mjaft e shpeshtë në mbarë botën. më të përfaqësuar janë noroviruset dhe hepatiti A, që janë përgjegjës për një numër të madh të epidemive, si rezultat i higjienës së dobët të punonjësve të infektuar që kanë kontakt me ushqimin ose i higjienës së dobët të produkteve ushqimore.
Lëvizja e sëmundjeve infektive akute të zorrëve është paraqitur në tabelën 1 nga e cila shihet se Infeksionet dhe intoksikimet alimentare bakteriale kanë një shkallë të ndryshueshme, por njëkohësisht edhe të lartë të incidencës, bashkë me salmonellozat edhe infeksionet e shkaktuara nga Е.coli.
Tabela 1 Incidenca në 100.000 banorë nga sëmundjet infektive të zorrëve, Republika e Maqedonisë së Veriut, periudha 2013-2018
Viti/Sëmundja | 2018 | 2017 | 2016 | 2015 | 2014 | 2013 |
Enterokolite | 412,5 | 558,4 | 545,2 | 589,0 | 512,3 | 582,2 |
Infeksione dhe intoksikime alimentare bakteriale | 20,2 | 35,9 | 26,1 | 27,8 | 44,0 | 45,5 |
Hepatiti virusal А | 3,5 | 1,7 | 1,0 | 7,6 | 28,2 | 4,9 |
Salmonelloza | 18,0 | 15,3 | 12,3 | 16,8 | 9,9 | 12,7 |
Infeksione të shkaktuara nga E. Colli | 9,1 | 8,4 | 8,0 | 10,9 | 7,8 | 3,9 |
Shigeloza | 1,2 | 0,9 | 0,8 | 0,3 | 1,1 | 0,4 |
Listerioza | 0,0 | 0,2 | 0,0 | 0,1 | 0,5 | 0,0 |
Kampilobakterioza | 0,9 | 0,1 | 0,4 | 0,1 | 0,1 | 0,1 |
Xhardiaza | 0,6 | 0,2 | 0,2 | 0,3 | 0,0 | 0,2 |
Burimi: Lëvizja e sëmundjeve infektive akute në Republikën e Maqedonisë së Veriut, viti 2018, Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, 2019.
Rreziqet kimike
Helmimi akut i shkaktuar nga kontaminentë kimik në ushqim është i rrallë në vendet e zhvilluara. Shqetësim shëndetësor publik shkakton efekti i dëmshëm potencial nga ekspozimi ndaj niveleve të ulëta të kemikalieve përmes ushqimit për një periudhë më të gjatë kohore. Disa agjensë kimik mund të shkaktojnë dëmtim të funksionit të mëlçisë, veshkave ose të veprojnë si kancerogjenë ndaj disa organeve të caktuara. Ekzistojnë një nunër i madh i kontaminentëve kimik të cilët mund të depërtojnë në zinxhirin ushqimor në cilën do fazë të prodhimit. Kemikaliet bujqësore, siç janë herbicidet dhe insekticidet, mund t’i kontaminojnë produktet e freskëta gjatë prodhimtarisë primare, ose kemikaliet si detergjentet ose preparatet për lyerje, që mund të depërtojnë në ushqim gjatë përpunimit të tij. Gjithashtu, ekziston mundësia që kontaminentët kimik të përcillen edhe nga vetë paketimi i ushqimit gjatë ruajtjes së tij. Disa nga kontaminentët më të rëndësishëm kimik kur bëhet fjalë për sigurinë e ushqimit janë: pesticidet, barnat veterinare, mykotoksinet, dieksinet, metalet (plumbi, kadmiumi, arseni, zhiva),
kontaminentët që prodhohen gjatë përpunimit (si psh. Akrilamidet) kontaminentët nga materialet me cilat vjen në kontakt ushqimi (melanina, formaldehidi) etj.
Aditivët janë substanca të cilat njeriu ua shton qëllimisht produkteve ushqimore për t’i përmirësuar karakteristikat e ushqimit dhe përdorimi i tyre rregullohet me akt nënligjor i cili është në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin evropian.
Masat shëndetësore publike
Qeveritë e çdo vendi kanë një rol kyç për garantimin sigurisë dhe vlerave ushqyese të ushqimit që konsumojmë. Krijuesit e politikave duhet të promovojnë bujqësi dhe sisteme të qëndrueshme ushqimit, të nxisin bashkëpunimin multisektorial mes shëndetit të njerëzve, shëndetit të kafshëve, bujqësisë dhe sektorëve të tjerë. Organet e sigurisë së ushqimit munden dhe duhet të menaxhojnë me rreziqet përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor, përfshirë këtu edhe gjatë emergjencave. Çdo vend duhet t’i adaptojë standardet nacionale me ato ndërkombëtare të përcaktuara nga Komisioni i Kodeks Alimentarius.
Aktivitetet preventive duhet t’i përfshijnë të gjitha problemet me sigurinë e ushqimit. Të gjithë palët e përfshira në menaxhimin me ushqimin – që nga përpunimi e deri tek shitja me pakicë – duhet të sigurojnë pajtueshmëri me programet si HACCP, sistem që i identifikon, vlerëson dhe kontrollon rreziqet të cilët janë të rëndësishëm për sigurinë e ushqimit nga prodhimtaria primare e deri tek përdorimi final.
Zbatimi i qasjes “Një shëndet” e përmirëson sigurinë e ushqimit e përmirëson sigurinë e ushqimit, sepse shëndeti i njerëzve është i lidhur me shëndetin e kafshëve dhe atë të mjedisit jetësor. Mikroorganizmat patogjene që kanë zhvilluar rezistencë antimikrobiale mund të kalojnë nga kafshët tek njerëzit përmes kontaktit të drejtpërdrejtë ose përmes ushqimit, ujit ose mjedisit jetësor.
Sektori shëndetësor duke me raportim dhe ndjekje të rregullt të sëmundjeve infektive mund të kontribuojë për krijimin e një pasqyre reale për gjendjen me sëmundjet që burojnë nga ushqimi jo i sigurt. Në fund, secili individ, secili nga ne, duke përmirësuar praktikat personale gjatë manipulimit me ushqimin dhe gjatë përzgjedhjes së ushqimit mund të kontribuojë në zvogëlimin e sëmundjeve që burojnë nga ushqimi.
Grupet e ndryshme që e ndajnë përgjegjësinë për sigurinë e ushqimit – qeveritë, trupat rajonal ekonomik, organizatat e KB, agjencitë për zhvillim, organizatat tregtare, konsumatorët dhe grupet e prodhuesve, institucionet akademike dhe hulumtuese dhe subjektet e sektorit privat, – duhet të punojnë bashkërisht për çështjet që na tanojnë të gjithëve, në rrafsh global, rajonal dhe lokal.