1

Është mëse normale që një person të dojë të dojë të ketë privatësi për çështjet lidhur me shëndetin seksual dhe të mos i ndajë ato me askënd. Por, në një lidhje intime ka gjëra që duhet t’i ndajmë me partnerin dhe për të cilat duhet të bisedojmë me të.

Të rinjtë shpesh herë nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe për rrezikun nga shtatzënia e padëshiruar, por këto janë tema për të cilat duhet folur.

Bisedat intime nuk janë vetëm kënaqësi. Shembull: Si mund ta ruaj shëndetin tim seksual nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, me kë të bisedoj nëse kam sëmundje seksualisht të transmetueshme dhe si ta parandaloj shtatzëninë e padëshiruar?

Aftësia e burrave dhe grave për të arritur shëndet dhe mirëqenie seksuale varet nga:

  • Qasja në informacion gjithëpërfshirës, cilësor për seksin dhe seksualitetin;
  • Njohuritë për rreziqet me të cilat mund të përballen dhe ndjeshmëria e tyre ndaj pasojave negative nga marrëdhëniet seksuale të pambrojtura;
  • Qasja në kujdes për shëndetin seksual;
  • Jeta në mjedise të cilat afirmojnë dhe promovojnë shëndetin seksual.

Secili person që është seksualisht aktiv duhet të jetë i vetëdijshëm për rreziqet dhe pasojat e mundshme nga marrëdhëniet seksuale. Njohuritë për HIV-in dhe sëmundjet e tjera seksualisht të transmetueshme janë të rëndësishme për shëndetin seksual dhe reproduktiv. Tre masat kryesore për parandalimin e infeksionit janë edukimi, domethënë gjetja e burimeve të duhura të informacionit në lidhje me mbrojtjen (përdorimi i prezervativëve) dhe testimi (nëse keni qenë në situatë ku mund të jeni infektuar). Biseda për seksin e sigurt përfshin edhe përdorimin korrekt dhe të vazhdueshëm të metodave mbrojtëse. Me sjellje të përgjegjshme seksuale, sëmundjet seksualisht të transmetueshme mund të parandalohen ose të paktën të zvogëlohet ndjeshëm rreziku nga infektimi. Për parandalimin e infeksionit, si dhe shtatzënisë së paplanifikuar, njohja e të ashtuquajturave strategji ABC është opsion për mbrojtje dhe sjellje të përgjegjshme seksuale që përfshin:

A-abstinenca ose abstenimi nga marrëdhëniet seksuale. Abstinenca është metoda më efektive dhe e besueshme për parandalimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe shtatzënisë së paplanifikuar. Për sa kohë që një person nuk kryen marrëdhënie seksuale dhe nuk bie në kontakt me lëngjet e infektuara të trupit dhe lëkurën ose mukozën e infektuar të një personi tjetër, ai nuk është në rrezik nga infeksioni.

B-besnikëria, të qenit besnik, domethënë një marrëdhënie reciproke besnike midis dy partnerëve të shëndetshëm (kryerja e kontrolleve nga dy partnerë të shëndetshëm përpara se të fillojnë marrëdhënien seksuale). Nëse dy partnerë të painfektuar kanë një marrëdhënie të ndërsjellë dhe besnike, asnjëri nga ata nuk do të jetë i rrezikuar nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, me kusht që asnjëri nga partnerët të mos jetë i ekspozuar ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme në ndonjë mënyrë tjetër. Për shembull, infeksioni me HIV është i transmetueshëm nga gjaku, që do të thotë se nëse njëri nga partnerët injekton drogë, ai mund të infektohet me hepatit C ose HIV dhe gjatë seksit t’ia transmetojë këto infeksione partnerit të tij. Një marrëdhënie e qëndrueshme dhe besnike ofron siguri.

C-kondomi ose prezervativi, përdorimi korrekt dhe konsistent i prezervativit mundëson një mbrojtje shumë të mirë kundër sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, të cilat transmetohen nga kontakti i drejtpërdrejtë i mukozës me lëngjet infektive të trupit (lëngu vagjinal, paraejakulati, ejakulati, gjaku) ose membrana e mukozës e infektuar. Përdorimi i duhur i prezervativit përfshin përdorimin e tij gjatë gjithë kohës gjatë marrëdhënieve seksuale (vagjinale, anale, orale), domethënë që të mos ketë aspak kontakt të ndërsjellë me lëngjet infektive trupore dhe mukozën e partnerit. Prezervativët nuk parandalojnë transmetimin e sëmundjeve që transmetohen përmes lëkurës që nuk mbulohet nga prezervativi (si infeksioni me HPV ose morrat pubike), por reduktojnë ndjeshëm gjasat e transmetimit. Prezervativi është gjithashtu një mjet efektiv për parandalimin e shtatzënisë së padëshiruar dhe të paplanifikuar.

Biseda mes partnerëve për mbrojtjen nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe shtatzënia e paplanifikuar ndonjëherë nuk është e këndshme, por është e nevojshme për të parandaluar pasojat e padëshiruara. Për ta bërë bisedën me partnerin tuaj më të relaksuar, të thjeshtë dhe produktive, përgatituni dhe informohuni paraprakisht. Nëse dëshironi të diskutoni për metodat e mbrojtjes kundër infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe shtatzënisë me partnerin tuaj, informohuni paraprakisht për metodat e disponueshme të mbrojtjes dhe kontraceptivët. Diskutoni për anët pozitive dhe negative të secilës metodë kontracepsioni dhe pyesni partnerin tuaj për mendimin e tij. Jini të sinqertë, sepse në këtë mënyrë partneri juaj do marrë pjesë në vendimmarrjen e përbashkët për mbrojtjen nga shtatzënia e paplanifikuar dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Gatishmëria për një bisedë të tillë është reflektim i pjekurisë suaj për jetën seksuale dhe afërsisë dhe besimit të ndërsjellë. Shprehni se si dhe pse shëndeti seksual është i rëndësishëm për ju, dhe sa më shumë të dini për metodat e kontrollimit të shtatzënisë që i zgjidhni së bashku, aq më shumë ka të ngjarë që të dy të merrni përgjegjësinë për përdorimin e suksesshëm të tyre. Është e rëndësishme që rezultati përfundimtar të jetë në përputhje me dëshirat dhe pritshmëritë tuaja.

 

Përgatiti:

DEPARTAMENTI I PROMOVIMIT TË SHËNDETIT DHE I NDJEKJES SË SËMUNDJEVE

Literatura e përdorur:

  1. World Health Organization. Sexual and reproductive health end rights.  Available At: https://www.who.int/health-topics/sexual-health#
  2. World Health Organization. Sexual health. Available at: https://www.who.int/health-topics/sexual-health#tab=tab_1
  3. Spolno Zdravlje. Kako s partnerom o spolnom zdravlju. Available at: https://spolnozdravlje.hr/clanak.php?id=12475
  4. https://www.healthywomen.org/your-health/sexual-health/how-to-tell-your-partner-about-an-sti