Menstruacionet janë një fenomen fiziologjik natyror tek vajzat adoleshente dhe tek gratë para menopauzës.
Gjatë ciklit menstrual qasja në burime materiale për apsorbim ose mbledhje të gjakut menstrual, sigurimi i higjienës personale dhe mënjanimi i mbeturinave, e shoqëruar me privatësi adekuate, është më se e domosdoshme. Për fat të keq, gratë dhe vajzat në mjediset me të ardhura të ulëta, nuk kanë nivelin e duhur të vetëdijes për praktikat higjienike dhe nuk kanë materiale adekuate për menaxhimin e higjienës menstruale.
Shpesh, cikli menstrual kalon në qetësi dhe në mjedise ku mbisundojnë tabutë sociale, në turp dhe në një mjedis që e kufizon lëvizjen, lirinë dhe qasjen në aktivitete normale. Si për shembull, pirja e qumështit, përgatitja e ushqimit, komunikimi me njerëzit ose shmangia e kryerjes së riteve fetare, janë kufizime që i gjejmë në shumë kultura.
Higjiena e dobët gjatë ciklit menstrual si pasojë e mungesës së edukimit për këtë çështje, tabutë dhe stigmatizimi, qasja e kufizuar në produkte higjienike menstruale dhe infrastruktura e dobët sanitare i ngulfat mundësitë për edukim, shëndetin dhe statusin shoqëror të grave dhe vajzave në mbarë botën. Si rezultat i kësaj, miliona gra dhe vajza e kanë të pamundur të kryejnë një numër të madh të punëve gjatë kësaj periudhe të ndjeshme.
Vajzat e reja adoleshente kanë tendencë të jenë më pak të përgatitura për MHM (Menaxhim të higjienës menstruale) dhe të ndjejnë shqetësim, turp dhe frikë gjatë ciklit menstrual. Nevoja për higjienë gjatë ciklit menstrual jo vetëm që është specifike dhe shqetësim për gratë dhe vajzat në periudhën reproduktive, por kërkon një qasje në periudhën menstruale si e drejtë themelore e shëndetit reproduktiv.
Për këtë, dhe për shkak të tabuve të tjera që përmendëm, nevoja për MHM është një nevojë e gjithëpranishme.