17 Nëntori
Në çdo 10 foshnja të porsalindura, 1 lind para kohe. Gjithkund në botë.
Dita Botërore e Lindjes së Parakohshme shënohet çdo vit më 17 nëntor. Çdo vit, rreth 15 milionë foshnja lindin para kohe – para javës së 37-të të shtatzënisë. Kjo është më shumë se 1 në 10 lindje të gjalla. rreth 1 milion fëmijë vdesin çdo vit në mbarë botën për shkak të komplikimeve si pasojë e lindjes së tyre të parakohshme. Foshnjat që mbijetojnë shpesh përballen me dobësi gjatë gjithë jetës ose me shëndet të dobët, me paaftësi të ndryshme, vështirësi gjatë të mësuarit, si dhe probleme me shikimin dhe dëgjimin. Tema e Ditës Botërore të Lindjes së Parakohshme për vitin 2022 është: Përqafimi prindëror: terapi e fuqishme! Mundësoni kontaktin lëkurë me lëkurë që nga çasti i lindjes.
Gjysma e foshnjave të lindura në ose nën 32 javë (2 muaj më herët) në vendet me të ardhura të ulëta vdesin për shkak të mungesës së kujdesit të realizueshëm si ngrohtësia, mbështetja për ushqyerjen me gji dhe kujdesi dhe mbrojtja bazë kundër infeksioneve dhe çrregullimeve të rënda të frymëmarrjes. Në vendet me të ardhura të larta, pothuajse të gjitha foshnjat e lindura para kohe mbijetojnë.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut shkalla e vdekshmërisë foshnjore për vitin 2021 ka qenë 4,6 vdekje në 1000 lindje të gjalla. Ndërsa shkalla e vdekshmërisë foshnjore për vitin 2012 ka qenë 9.8 vdekje në 1000 lindje të gjalla. Në këtë periudhë vihet re një tendencë pozitive e uljes së vdekshmërisë foshnjore.
Vitin e kaluar në Ditën Botërore të Lindjes së Parakohshme Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi një udhërrëfyes të ri për strategjitë për burimet njerëzore për përmirësimin e kujdesit për foshnjat e porsalindura në institucionet shëndetësore në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare, me qëllim përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor për foshnjat e porsalindura, si për ato të lindura para kohe, ashtu edhe për ato të sëmura. Kjo mbështetje për vendet ka për qëllim arritjen e Qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm për të ulur vdekshmërinë neonatale në më pak se 12 për 1000 lindje të gjalla deri në vitin 2030.
Kujdesi neonatal është i lidhur ngushtë me kujdesin dhe mirëqenien perinatale të nënës. Sigurimi i kushteve të mira dhe ndërhyrjet si për nënën ashtu edhe për foshnjën janë të lidhura ngushtë posaçërisht në çastin e lindjes. Mjekët dhe mamitë, si dhe nënat e përgatitura për lindje janë elemente kyçe për ofrimin e kujdesit të cilësisë së lartë për foshnjën e porsalindur dhe përmirësimin e gjendjes të foshnjave të porsalindura. Kujdesi nuk është i rëndësishëm vetëm në momentin e lindjes dhe gjatë kujdesit rutinë pas lindjes, por edhe në institucionet shëndetësore ku drejtohen nënat dhe foshnjat e porsalindura me komplikacione. Vendet që kanë përmirësuar shëndetin e nënës dhe të foshnjave të porsalindura gjatë tre dekadave të fundit duke investuar tek infermieret dhe mamitë kanë arritur ulje të qëndrueshme të vdekshmërisë së nënave dhe të foshnjave të porsalindura.
Mangësitë në kujdesin neonatal si dhe numri i pamjaftueshëm i mjekëve specialistë vazhdojnë të paraqesin problem. Mbijetesa e foshnjave të lindura para kohe në vendet me të ardhura të larta është e lidhur ngushtë me kujdesin e ofruar nga infermieret e specializuara për neonatologji të cilat punojnë në turne, si dhe me nivelin e edukimit të specializuar dhe përvojën e infermierëve që ofrojnë kujdes. Infermieret e specializuara janë qenësore për kujdesin e foshnjave të porsalindura nënpeshë dhe të sëmura dhe është vërtetuar se përmirësojnë shanset për mbijetesë dhe përparim të foshnjave. Megjithatë, pavarësisht kujdesit jetik të infermiereve në kujdesin e foshnjave të porsalindura të sëmura, në shumë vende, kujdesi neonatal si degë dhe staf i veçantë nuk njihet gjerësisht, ndërsa disa vende kanë edhe trajnime joformale.
Për të shpëtuar 1.7 milionë foshnja të porsalindura çdo vit dhe për të arritur Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030, prioritet është sigurimi i mbulimit shëndetësor universal dhe kujdesit të cilësisë së lartë për foshnjat e porsalindura duke investuar në:
- Strategji për të siguruar akses universal në kujdes themelor cilësor për foshnjat e porsalindura, përfshirë këtu edhe një sistem funksional për udhëzimin e foshnjave të porsalindura të sëmura dhe nënave të tyre; Ndërhyrjet duhet të përfshijnë ndarje minimale të foshnjës nga nëna, ushqyerje të hershme dhe vetëm me gji, ushqyerje me gji në kohë, reanimim të 10% të foshnjave që kanë nevojë në lindje dhe identifikim dhe udhëzim në kohë të foshnjave nënpeshë dhe të sëmura. Mamitë dhe infermieret, në bashkëpunim me prindërit, duhet të ofrojnë mbrojtje qenësore; qasje në kontroll të shpejtë dhe të aksesueshëm specialistik dhe në rast nevoje edhe këshillim;
- Politika për të siguruar akses universal në kujdes spitalor të specializuar me cilësi të lartë për foshnjat e lindura para kohe ose të sëmura. Që të mbijetojnë foshnjat e porsalindra nënpeshë dhe të sëmura kanë nevojë për mbështetje të veçantë dhe kujdes spitalor me cilësi të lartë të ofruar në kohë. E gjithë kjo kërkon përkushtim, hapësirë të veçantë, pajisje dhe shërbime për mbështetje, si dhe shërbime laboratorike dhe radiologjike dhe kujdes që është në dispozicion në çdo kohë. Infermieret dhe mamitë me aftësi të specializuara për kujdes intensiv neonatal duhet të ofrojnë kujdes bashkë me mjekët dhe anëtarët e tjerë të ekipeve multidisiplinare neonatale. Pothuajse gjysma e foshnjave të lindura para kohe mund të shpëtohen vetëm me ndihmën e intervenimeve specifike. Me mbulim cilësor, kujdes special dhe intensiv me cilësi të lartë.
Për parandalimin e lindjes së parakohshme gjëja më e rëndësishme është që çdo shtatzënë të ketë qasje në kujdes antenatal, që nënkupton kontrolle të rregullta te mjeku amë, respektim të rekomandimeve dhe këshillave, si dhe administrim të terapisë së dhënë nga mjeku. Zbatimi i këshillave të gjinekologut është një faktor i rëndësishëm në parandalimin e lindjeve të parakohëshme.
Përgatiti: DEPARTAMENTI I PROMOVIMIT TË SHËNDETIT DHE I NDJEKJES SË SËMUNDJEVE
Literatura e përdorur:
1.Human resource strategies to improve newborn care in health facilities in low and middle -income countries, World Health Organization,2020, Available at: https://apps.who.int/iris/bitstream/handle/10665/336677/9789240015227-eng.pdf?sequence=1&isAllowed=y
- Guide to the UNICEF UK Baby Friendly Initiative Neonatal Standards, Available at: https://www.unicef.org.uk/babyfriendly/wp-content/uploads/sites/2/2022/03/UNICEF-UK-Baby-Friendly-Initiative-Guide-to-the-Neonatal-Standards.pdf
3.World Prematurity Day, 2022,Available at: https://www.efcni.org/activities/campaigns/wpd/
- МАКСтат- база на податоци, Република Северна Македонија Државен завод за статистика, 2022