E enjte, 4 shkurt 2021
Dita Botërore e luftës kundër kancerit ka për qëllim të parandalojë miliona vdekje që ndodhin në vit duke e rritur vetëdijesimin dhe duke edukuar për kancerin bashkë me ndikimin ndaj qeverive dhe individëve për të ndërmarrë veprime kundër kësaj sëmundjeje.
Tema e Ditës Botërore të luftës kundër kancerit: Unë jam dhe Unë do të
Këtë Ditë botërore të luftës kundër kancerit do pranojmë se angazhimi ynë për veprim do sjellë një përparim të fuqishëm në zvogëlimin e ndikimit global të kësaj sëmundjeje.
#IAmAndIWill
Pra, në 4 shkurt, kushdo që të jesh, veprimet e tua – të mëdha e të vogla- do bëjnë një ndryshim të përhershëm, pozitiv. Sepse përparimi është i mundur.
Kemi nevojë për përkushtimin tënd që të krijojmë një botë pa kancer.
Këtë Ditë botërore të luftës kundër kancerit, kush je dhe çfarë do të bësh?
Тема: 2019 – 2021
2021: Bashkë, të gjitha aktivitetet tona janë të rëndësishme
Viti 2021- është viti i fundit i fushatës 3 vjeçare „Unë jam dhe Unë do të“- na tregon se aktivitetet tona kanë ndikim tek të gjithë personat rreth nesh, në lagje, komunitete, qytete. Dhe se si kurrë parë, aktivitetet tona ndjehen edhe përtej kufijve, përtej oqeaneve. Ky vit na përkujton fuqinë e përhershme të bashkëpunimit dhe veprimit të përbashkët. Nëse zgjedhim bashkimin, mund ta arrijmë atë që të gjithë ne e dëshirojmë: një botë më të shëndetshme, plot dritë dhe pa kancer. Bashkë, të gjitha aktivitetet tona janë të rëndësishme. Këtë Ditë Botërore të luftës kundër kancerit, kush je dhe çfarë do bësh?
Kanceri
Sa më shumë dimë për kancerin, aq më shumë jetë mund të shpëtojmë
Çfarë është kanceri?
Qasja në informacion dhe njohuri për kancerin mund të na motivojë të gjithëve.
Hulumto disa nga problemet më urgjente me kancerin.
Hulumto dhe qasu lirisht në burime që i ke në dispozicion për kancerin.
Zbulo!
Fol!
Fakte themelore për kancerin:
- 9,6 milionë njerëz vdesin nga kanceri për çdo vit.
- Së paku një e treta e formave më të shpeshta të kancerit mund të parandalohen.
- Kanceri është shkaktari i dytë i vdekjes në mbarë botën.
- 70% e rasteve të vdekjes nga kanceri ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të ardhura mesatare.
- Gjatë një viti, me zbatimin e strategjive adekuate për parandalim, zbulim të hershëm dhe trajtim, mund të shpetohen rreth 3,7 milionë jetë.
- Shpenzimet e përgjithshme vjetore për kancerin vlerësohen në 1,16 trilionë dollarë amerikan.
Çfarë është kanceri?
Kanceri është sëmundje e cila paraqitet kur ndryshimet tek qelizat normale të organizmit shkaktojnë rritje të pakontrolluar, anormale, duke formuar kështu një gungë të quajtur tumor; kjo vlen për të gjitha llojet e kancerit, përveç leukemisë (kancerit të gjakut). Nëse nuk mjekohen, tumoret mund të rriten dhe të përhapen në indet normale përreth, ose në pjesë të tjera të trupit përmes sistemit të qarkullimit të gjakut ose sistemit limfatik dhe mund ta sulmojnë sistemin digjestiv, nervor dhe sistemin e qarkullimit të gjakut, ose të lirojnë hormone që mund të ndikojnë në funksionimin e organizmit.
Tumoret mund të ndahen në tre grupe: beninje, malinje dhe parakanceroze
Tumoret beninje nuk janë ndryshime kancerogjene dhe rrallë herë rrezikojnë jetën. Ata kanë tendencë të rriten mjaft ngadalë, por përhapen edhe në pjesë të tjera të trupit, dhe zakonisht janë të ndërtuar nga qeliza shumë të ngjashme me qelizat normale ose qelizat e shëndetshme. Ato shkaktojnë probleme vetëm nëse rriten shumë dhe bëjnë shtypje tek organet e tjera – psh. Tumori në tru bën shtypje në brendinë e kafkës.
Tumoret malinje rriten më shpejt se ato beninje dhe i shkatërrojnë indet përreth. Qelizat e tumorit malinj mund të shkëputen nga tumori kryesor (primar) dhe të përhapen në pjesë të tjera të trupit, proces ky i njohur si metastazim. Pas sulmimit të indit të shëndetshëm në një lokalizim të ri, ato vazhdojnë të rriten dhe shumëfishohen. Këto lokalizime sekondare njihen si metastaza, ndërsa gjendja njihet si kancer i metastazuar.
Parakanceroza përshkruan gjendjen e cila i përfshin qelizat anormale të cilat mund (ka mundësi) të zhvillohen në kancer.
Llojet e kancerit
Kanceri mund të klasifikohet sipas llojit të qelizës nga ku ka zanafillën. Ekzistojnë pesë lloje kryesore:
Karcinoma – kancer i cili fillon në qelizat epiteliale. Karcinomat mund t’i sulmojnë edhe indet dhe organet përreth dhe të metastazojnë në nyjet limfatike dhe pjesët e tjera të trupit. Format më të shpeshta të kancerit të këtij lloji janë kanceri i gjirit, prostatës, mushkërive dhe zorrës së trashë.
Sarkoma – Lloj i tumorit malinj të kockave ose indeve të buta (indeve yndyrore, muskujve, enëve të gjakut, nervave dhe indeve të tjera lidhëse që i mbështesin dhe i rrethojnë organet). Format më të shpeshta të sarkomës janë leomiosarkoma, liposarkoma dhe osteosarkoma.
Limfoma dhe mieloma – limfoma dhe mikloma janë kancere që fillojnë tek qelizat e sistemit imunologjik. Limoma është kancer i sistemit limfatik, që kalon në të gjithë trupin, prandaj edhe mund të shfaqet kudo. Mikloma fillon tek qelizat plazmatike, një lloj qelizash të bardha të gjakut të cilat prodhojnë antitruptha që ndihmojnë për të luftuar infeksionet. Ky lloj kanceri mund të ndikojë në aftësinë e qelizës për të prodhuar antitruptha.
Leukemia – Leukemia është kancer i qelizave të bardha të gjakut dhe palcës kockore, indit që i prodhon qelizat e gjakut. Ekzistojnë disa nënlloje; e shpeshtë është leukemia limfocite dhe leukemia limfocite kronike.
Kanceri i trurit dhe palcës kurrizore – këto njihen si kancer i sistemit nervor qendror. Disa janë beninje, ndërsa disa të tjerë mund të rriten dhe përhapen.
Shkaktarët e kancerit
Si edhe shumë sëmundje të tjera, numri më i madh i kancereve janë rezultat i ekspozimit ndaj faktorëve të rrezikut. Duhet mbajtur mend se ndërkohë që disa faktorë nuk mund të ndryshohen, rreth një e treta e rasteve të kancerit mund të parandalohen duke e ndryshuar sjelljen e rrezikshme dhe mënyrën e të ushqyerit.
Faktorët e rrezikut që mund të ndryshohen janë:
Alkooli – Dëshmitë se të gjitha llojet e pijeve alkoolike janë shkaktarë për një numër të madh të rasteve me kancer, tani janë më të fuqishme se kurrë. Alkooli mund ta rrisë rrezikun nga disa lloje të caktuara të kancerit, përfshirë këtu kancerin e zorrëve (kolorektal), gjirit, gojës dhe fytit, ezofagut, mëlçisë dhe lukthit [1]. Dëshmitë sugjerojnë se në përgjithësi, njerëzit që konsumojnë alkool janë më të rrezikuar nga shumë lloje të kancerit dhe se edhe konsumimi i moderuar i alkoolit rrit rrezikun nga kanceri.
Mbipesha ose obeziteti – mbipesha paraqet rrezik më të madh për zhvillimin e 12 llojeve të kancerit, përfshirë këtu edhe kancerin e zorrëve dhe pankreasit. Parimisht, sa më e madhe të jetë pesha trupore, sidomos tek personat e rritur, aq më i madh është rreziku nga kanceri.
Të ushqyerit – Ekspertët sugjerojnë se të ushqyerit, sidomos ushqimi i pasur me mish të kuq, mish të përpunuar, ushqimi me kripë dhe sasitë e vogla të frutave dhe perimeve ndikojnë në rritjen e rrezikut nga kanceri, sidomos atij kolorektal, nazofaringal dhe atij në lukth [2], [3], [4].
Aktiviteti fizik – aktiviteti i rregullt fizik jo vetëm që ndihmon në zvogëlimin e yndyrave trupore dhe rrezikut që paraqesin ato për paraqitjen e kancerit, por mund të ndihmojë edhe në zvogëlimin e rrezikut të zhvillimit të kancerit të zorrës së trashë, të gjirit dhe atij endometrial [5].
Duhani – Tymi i duhanit përmban së paku 80 substanca të ndryshme që shkaktojnë kancer. Kur thithet tym, kemikaliet depërtojnë në mushkëri, kalojnë në gjak dhe përcillen në të gjithë trupin [6]. Kjo është arsyeja se përse pirja ose përtypja e duhanit jo vetëm që shkakton kancer të mushkërive dhe gojës, por edhe të organeve të tjera. Një njeri, sa më gjatë dhe sa më herët të fillojë të pijë duhan, aq më i madh është rreziku nga kanceri. Përdorimi i duhanit është shkaktar për rreth 22% të vdekjeve nga kanceri [7].
Rrezatimi jonizues–Kanceri mund të paraqitet edhe tek personat e ekspozuar ndaj rrezatimit jonizues nga radoni, rrezeve x, rrezeve gama dhe formave të tjera të rrezatimit me nivele të larta të energjisë [8]. Ekspozimi afatgjatë dhe i pambrojtur ndaj rrezeve ultravjollcë të diellit dhe të solariumeve, gjithashtu mund të shkaktojë melanomë dhe malinjitet të lëkurës. Personat me lëkurë të bardhë, me shumë nishane, që kanë histori melanome ose kanceri të lëkurës në familjen e tyre, janë më të rrezikuarit. Megjithatë, edhe ata me lëkurë me më shumë pigment mund të preken nga kanceri i lëkurës [9].
Rreziqet në vendin e punës – disa persona mund të ekspozohen ndaj substancave që shkaktojnë kancer edhe në vendin e tyre të punës. Për shembull, është zbuluar se punëtorët në industrinë e ngjyrave kimike shpesh sëmuren nga kanceri i fshikëzës së urinës. Azbesti është një shkaktar i njohur i kancerit – sidomos kancerit të ashtuquajtur mezoteliom, që zakonisht e sulmon mbështjellësin e mushkërive.
Infeksioni – Agjensët infektiv janë përgjegjës për rreth 2,2 milionë raste me kancer në vit [10]. Infeksioni i cili është pasojë e virusit mund të shkaktojë ndryshime në qelizat me çka rritet mundësia që ato të bëhen kanceroze.
Rreth 70% e kacereve të qafës së mitrës janë shkaktuar nga infeksione me human papilloma virusin (HPV) [11], ndërsa kanceri i mëlçisë dhe Non-Hoçkin limfoma mund të shkaktohen nga virusi i hepatitit B dhe C [12], ndërsa limfomat nga Еpstein-Barr virusi [13].
Infeksionet bakteriale në të kaluarën nuk janë konsideruar si shkaktarë të kancerit, por hulumtimet e fundit kanë treguar se tek personat me infeksion me helikobakter pylori në lukth, zhvillohet inflamacion i mukozës së lukthit, gjë që e rrit rrezikun nga kanceri i lukthit.
Faktorë të pandryshueshëm të rrezikut janë:
Mosha – Shumë lloje të kancerit bëhen më të shpeshtë me kalimin e moshës. Sa më gjatë të jetojnë njerëzit, aq më i madh është ekspozimi ndaj materieve kancerogjene dhe aq më shumë ka kohë për të ndodhur ndryshime gjenetike ose mutacione të qelizave të tyre.
Substancat që shkaktojnë kancer – janë substanca të cilat e ndryshojnë sjelljen e qelizës, duke e rritur mundësinë për zhvillimin e kancerit. Gjenet janë mesazhet e koduara në qelizë që i tregojnë asaj se si të sillet (cilat proteine të prodhohen), mutacionet ose ndryshimet në gjen, dëmtimi ose humbja e tij, mund ta ndryshojnë sjelljen e asaj qelize dhe kështu rritet mundësia që ajo të kthehet në kanceroze [14 ].
Gjenetika – Për fat të keq disa njerëz kanë lindur me një rrezik të trashëguar gjenetikisht nga lloje specifike të kancerit (predispozita gjenetike). Kjo nuk nënkupton se kanceri është i garantuar, por dispozita gjenetike rrit mundësinë për tu prekur nga kjo sëmundje.
Për shembull, gratë që në vete bartin gjene të kancerit të gjirit BRCA 1 dhe BRCA 2 kanë predispozita më të mëdha për zhvillimin e kësaj forme të kancerit, për dallim nga gratë me rrezik normal nga kanceri i gjirit. Megjithatë, më pak se 5% e rasteve të kancerit të gjirit janë si pasojë e gjeneve. Pra, edhe pse gratë me njërin nga këto gjene janë më të rrezikuara nga kanceri i gjirit, numri më i madh i rasteve nuk janë rezultat i këtij rreziku të trashëguar. Kjo vlen edhe për llojet e tjera të kancerit, kur disa persona kanë predispozitë gjenetike – për shembull, kanceri i zorrës së trashë.
Sistemi imunologjik – Personat që kanë sistem imunologjik të kompromentuar janë më të rrezikuar nga disa lloje të kancerit. Këtu bëjnë pjesë edhe personat të cilëve janë transplantuar organe dhe që pranojnë barna për ta suprimuar sistemin e tyre imunologjik për ta parandaluar mospranimin e organeve të pranuara, gjithashtu edhe personat të cilët janë të prekur nga HIV ose SIDA ose gjendje të tjera që e komprometojnë imunitetit e trupit.
Shenjat dhe simptomat e kancerit
Meqë ekzistojnë shumë lloje të ndryshme të kancerit, edhe simptomat janë të ndryshme dhe varen nga ajo se në ç’pjesë të trupit dhe për çfarë lloji të kancerit bëhet fjalë. Megjithatë, ekzistojnë disa simtoma themlore tek të cilat duhet pasur kujdes, si për shembull:
Gungëza ose ënjtje të pazakonta – që shpesh herë nuk janë të dhimbshme dhe me avancimin e kancerit rriten.
Kolla, vështirësi në frymëmarrje ose vështirësi gjatë kapërdimit të ushqimit – duhet të jeni të vetëdijshëm për kollën e vazhdueshme, vështirësitë në frymëmarrje dhe vështirësitë gjatë kapërdimit.
Ndryshime të jashtëqitjes – siç është kapsllëku ose diarrea dhe/ose prania e gjakut në jashtëqitje.
Gjakderdhjet e papritura – përfshin gjakderdhjen nga vagina, anusi ose gjak në jashtëqitje, urinë ose gjat kollitjes.
Humbje e pashpjegueshme e peshës trupore – humbje e pashpjegueshme dhe e paqëllimshme e peshës trupore për një periudhë të shkurtër kohore (disa muaj).
Lodhje –ndjesi e lodhjes ekstreme dhe mungesë serioze e energjisë. Nëse lodhja vjen si pasojë e kancerit, individët zakonisht kanë edhe simptoma të tjera.
Dhimbje – nënkuptohet dhimbje e kohëpaskohëshme, e vazhdueshme ose e pashpjegueshme.
Nishane të reja ose ndryshime tek nishanet e vjetra – ndryshime në formën, madhësinë ose ngjyrën e nishanit, ashpërsim, gjakosje ose tajitje e qelbit.
Vështirësi gjatë urinimit – përfshin nevojën për urinim të shpejtë, të shpeshtuar, ose pamundësinë për të urinuar ose dhimbjen gjatë urinimit.
Ndryshime të pazakonta të gjinjve – ndryshime të madhësisë, formës ose ndjesisë gjatë prekjes, ndryshime në lëkurë ose dhimbje të gjinjve.
Humbje e oreksit – humbje e oreksit gjatë një periudhe më të gjatë kohore.
Plagë ose ulçer që nuk shërohet – akne, plagë ose irritim i gojës.
Aciditet ose vështirësi gjatë tretjes së ushqimit - aciditet i vazhdueshëm ose probleme me tretjen e ushqimit.
Djersitje intensive gjatë natës – kini kujdes nëse djersiteni shumë gjatë natës.
Parandalimi i kancerit
Më shumë se një e treta e të gjitha llojeve të kancerit mund të parandalohen vetëm me ndalimin e ekspozimit ndaj faktorëve të rrezikut, siç është duhani, mbipesha, mungesa e aktivitetit fiik, infeksionet, alkooli, ndotja e mjedisit jetësor, materiet kancerogjene, dhe rrezatimi.
Parandalimi i kancerit të mëlçisë dhe kancerit të qafës së mitrës mund të jetë efikas edhe me vaksinimin kundër hepatitit B dhe vaksinimit kundër HPV (human papilloma virus).
Zvogëlimi i ekspozimit ndaj agjensëve të tjerë kancerogjenë, siç është ndotja e mjedisit jetësor, materiet kancerogjene në vendin e punës dhe rrezatimi, mund të ndihmojë në parandalimin e shfaqjes së kancerit.
Zbulimi i hershëm i kancerit
Ekziston një numër i madh i kancereve që mund të zbulohen herët, gjë që ndihmon të përmirësohen mundësitë për rezultate poitive gjatë mjekimit, shpesh herë me shpenzime më të vogla, dhe me më pak efekte të padëshiruara tek pacienti. Ekistojnë teste cost-effective që ndihmojnë për zbulimin e hershëm të kancerit kolorektal, kancerit të gjirit, kancerit të qafës së mitrës dhe të zgavrës së gojës, ndërkohë që po zhvillohen edhe teste për zbulimin e hershëm të llojeve të tjera të kancerit.
Kërkoni nga mjeku juaj udhëzime me rekomandimet ndërkombëtare në lidhje me vaksinimin, testimin dhe skriningun. Këto mund të dallojnë nga njëri vend në tjetrin.
Fazat e kancerit
Klasifikimi i kancerit sipas përhapjes anatomike të sëmundjes ka një rëndësi qenësore
për trajtimin e pacientëve, hulumtimin dhe mbajtjen nën kontroll të kancerit. Sistemi për përcaktimin e fazës së kancerit i Unionit për kontroll ndërkombëtar të kancerit (Union for International Cancer Control -UICC) klasifikimi TNM paraqet terminologjinë e zakonshme të cilën e përdorin profesionistët mjekësorë të onkologjisë për ta përcaktuar fazën e kancerit tek pacientë të caktuar. Pasi ta kenë përcaktuar fazën në të cilën ndodhet kanceri, kjo paraqet bazë për vendosjen në lidhje me trajtimin adekuat dhe prognozimin individual. Mund të përdoret për informim dhe vlerësim të udhëzimeve për trajtim dhe paraqet një informacion të rëndësishëm për krijuesit e politikave të cilët marrin pjesë në kontrollimin e kancerit, bëjnë plane për parandalim dhe hulumtim.
Klasifikimi TNM fokusohet në përhapjen anatomike të tumorit dhe përcaktohet mbi bazë të vlerësimit të këtyre faktorëve:
- Т e përshkruan madhësinë e tumorit kryesor (primar)
- N përshkruan nëse kanceri është përhapur në nyjet limfatike përreth
- М përshkruan nëse kanceri ka metastazuar (është përhapur nga tumori primar në pjesë të tjera të trupit)
Mjekimi i kancerit
Mjekimi varet nga lloji i kancerit, lokalizimi primar i kancerit, madhësia e kancerit, përhapja e tij dhe gjendja e përgjithshme shëndetësore e pacientit. Mjekimi mund të përfshijë: ndërhyrje kirurgjikale, kimioterapi, terapi hormonale, imunoterapi dhe terapi gjenetike.
Mbijetesa
Mbijetesa fokusohet tek shëndeti dhe problemet fizike, psikologjike, ekonomike dhe sociale që ndikojnë tek njerëzit pas përfundimit të mjekimit primar të kancerit, përfshirë këtu edhe njerëzit të cilët pas përfundimit të mjekimit nuk e kanë më këtë sëmundje, njerëzit të cilët vazhdojnë të mjekohen për ta zvogëluar kështu rrezikun nga rikthimi i kancerit dhe njerëzit me sëmundje por të kontrolluar mirë, të cilët pranojnë terapi për kancerin si një sëmundje kronike.
Kujdesi gjatë kësaj periudhe u referohet problemeve lidhur me kujdesin e vazhdueshëm, përballjen me efektet e padëshiruara të mjekimit, përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe shëndetin emocional dhe psikologjik. Kujdesi gjatë kësaj periudhe përfshin edhe kujdesin kundër kancerit në të ardhmen, nëse ka nevojë për një gjë të tillë. Anëtarët e familjes, miqtë dhe personat që përkujdesen për personin e sëmurë gjithashtu duhet të konsiderohen si pjesë e këtij procesi.
Kujdesi paliativ
Kujdesi paliativ realizohet në gjithë periudhën e sëmundjes, që nga diagnostikimi, mjekimi, e deri në fund të jetës dhe ka për qëllim t’ua lehtësojë simptomat dhe t’ua përmirësojë pacientëve cilësinë e jetesës. Kujdesi paliativ ka për qëlli tua zvogëlojë dhimbjet dhe vuajtjet të sëmurëve me kancer, por edhe t’i zvogëlojë dhe kontrollojë efektet e padëshiruara të trajtimit kundër kancerit. Tek disa pacientë me kancer në fazë të avancuar kujdesi paliativ mund t’ju ndihmojë të jetojnë më gjatë dhe më rehat, edhe pse ata nuk mund të shërohen nga kjo sëmundje.
Zgjidhjet themelore
Zbuloni se si ndikon kanceri tek të gjithë ne dhe fuqinë që e keni për ta zvogëluar incidencën e kancerit.
Vetëdijësim, mirëkuptim,
mite the dezinformata
Qasja në informacion dhe njohuri për kancerin mund të na bëjë më të fuqishëm të gjithëve.
Parandalimi dhe
zvogëlimi i rrezikut
Më shumë se një e treta e rasteve me kancer mund të parandalohen, që do të thotë se të gjithë ne mund të ndikojmë në zvogëlimin e rrezikut nga kanceri.
Barazi në qasjen në
shërbime shëndetësore për të sëmurët nga kanceri
Diagnostikimi në kohë i kancerit, mjekimi dhe kujdesi për të sëmurët me kancer duhet të jetë i barabartë për të gjithë – pa dallim të vendbanimit, të ardhurave, përkatësisë etnike dhe gjinore, etj.
Veprimet e Qeverisë
dhe përgjegjësia e saj
Qeveritë mund të japin një kontribut të madh për ta zvogëluar dhe parandaluar kancerin.
Krahas fizikes:
ndikimi mendor dhe emocional
Ndikimi i kancerit tejkalon shëndetin fizik të pacientit, dhe ndikon edhe në mirëqenien mendore dhe emocionale të pacientëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre.
Shpëton jetë
kursen para
Ndikimi financiar që ka tek popujt, individët dhe familjet ka një impakt të madh në zhvillimin ekonomik dhe atë njerëzor. Me fokusimin në shpëtimin e jetës, mund të kursejmë para.
Zvogëlimi i problemit me punonjës shëndetësor të kualifikuar
Mungesa e punonjësve shëndetësor të kualifikuar është një nga pengesat më të mëdha në sigurimin e një kujdesi cilsor për të sëmurët nga kanceri.
Duke punuar bashkë si një
Duke i bashkuar forcat ne ndihmojmë për përforcimin e angazhimeve që stimulojnë një përfaqësim të fuqishëm, veprim dhe përgjegjësis në të gjitha nivelet.
[1] https://www.wcrf.org/int/cancer-facts-figures/link-between-lifestyle-cancer-risk/alcohol-cancer
[2] https://www.wcrf.org/dietandcancer/exposures/wholegrains-veg-fruit
[3] https://www.wcrf.org/dietandcancer/exposures/meat-fish-dairy
[4] https://www.wcrf.org/dietandcancer/exposures/preservation-processing
[5] https://www.wcrf.org/dietandcancer/exposures/physical-activity
[6] http://www.cancerresearchuk.org/about-cancer/causes-of-cancer/smoking-and-cancer/how-smoking-causes-cancer
[7] http://www.who.int/en/news-room/fact-sheets/detail/cancer
[8] https://www.cancer.gov/about-cancer/causes-prevention/risk/radiation
[9] https://www.cancer.gov/about-cancer/causes-prevention/risk/sunlight
[10] http://www.thelancet.com/journals/langlo/article/ PIIS2214-109X(16)30143-7/abstract
[11] http://www.who.int/fr/news-room/fact-sheets/detail/human-papillomavirus-(hpv)-and-cervical-cancer
[12] http://www.cancerresearchuk.org/about-cancer/causes-of-cancer/infections-hpv-and-cancer/hepatitis-viruses-and-cancer
[13] http://www.cancerresearchuk.org/about-cancer/causes-of-cancer/infections-hpv-and-cancer/ebv-and-cancer