FUSHATA: PËR USHQIM TË SIGURT – NGA ARA DERI TE TRYEZA
Organizata Botërore e shëndetësisë zgjedh një fushë prioritare të kujdesit publik shëndetësor global si temë të ditës botërore të shëndetit – 7 Prillit. Tema e Ditës Botërore të shëndetit për vitin 2015 i është kushtuar sigurisë të ushqimit, dhe moto për këtë vit është – Për ushqim të Sigurt, nga ara deti te tryeza.
Tema ka një rëndësi të madhe për të gjithë njerëzit në planetin tonë, për një numër të madh të palëve të interesuara, përfshirë këtu qeveritë, shoqërinë civile, sektorin privat, si dhe agjencitë ndërqeveritare.Mesazhi kryesor është përforcimi i qasjes së integruar për kontrollimin e ushqimit, që fillon që nga ara, pastaj vazhdon gjatë magazinimit, transportit dhe shpërndarjes, prodhimit dhe përpunimit, tregtimit dhe në fund tek shtëpia e konsumatorit, tek ushqimi në tryezë. Gjatë secilës nga këto faza mund të depërtojë ndonjë rrezik i fshehur, që nuk do vihet re ose nuk do mënjanohet në fazat e mëvonshme dhe në këtë mënyrë do arrijë te pjata e konsumatorit.
Dita Botërore e Shëndetit për vitin 2015 paraqet një mundësi për të përkujtuar të gjithë faktorët që marrin pjesë në kontrollimin e sigurisë të ushqimit të angazhohen maksimalisht për arritjen e qëllimit përfundimtar – ushqim i sigurt në pjatat e njerëzve. Këta faktorë i përfshijnë:-
- Operatorët me ushqim (bujqit, blegtorët, prodhuesit, tregtarët me shumicë dhe pakicë, shpërndarësit)-
- Organet kompetente shtetërore për kontrollimin e sigurisë të ushqimit -
- Konsumatorët
Qëllimi kryesor i fushatës:
• Të nxisë autoritetet kompetente të përmirësojnë sigurinë e ushqimit, përmes bashkëpunimit intersektorial dhe me organizimin e fushatave për ngritjen e vetëdijes publike
• Të nxisë konsumatorët të sigurojnë ushqim të sigurt në shtëpitë e tyre ose në tryezën e tyre (të parashtrojnë pyetje, të lexojnë etiketat e ushqimeve, të ndjekin këshillat për higjienë të ushqimit)
VIDEO MATERIAL – 5 ÇELËSA PËR USHQIM TË SIGURT
Fakte themelore për sigurinë e ushqimit, nga aspekti i shëndetit publik
- Qasja në sasi të mjaftueshme të ushqimit të sigurt është faktor kyç për jetë dhe promovim të shëndetit të mirë. Siguria e shëndetit dhe të ushqyerit e drejtë është një nga parakushtet qenësore për shëndetin dhe mirëqenien e popullatës të një vendi dhe duhen integruar në të gjitha politikat.
- Ushqimi jo i sigurt është ushqimi që përmban baktere, viruse, parazitë, substanca kimike (metale, pesticide, etj.) dhe agjensë fizik, siç janë trupat e huaj.
- Ushqimi i ndotur (i kontaminuar) për të cilin themi se nuk është i sigurt shkakton një sërë sëmundjesh dhe malnutricion, me ç’rast i rëndon më shumë foshnjat, pleqtë, personat me sëmundje kronike dhe personat me imunitet të dobët.
- Sëmundjet që burojnë nga ushqimi dhe uji i pasigurt shkaktojnë vdekjen e 2.2 milion njerëzve në vit në botën mbarë, nga të cilët pjesa më e madhe janë fëmijë. Këto sëmundje nuk shkaktojnë vetëm vështirësi me organet e tretjes, por disa nga ato shkaktojnë dëmtim të përhershëm të funksionit të mëlçisë dhe veshkave, dëmtime neurologjike, kancer, lindje të parakohshme ose lindje të foshnjave të vdekura, por që si rezultat mund të kenë edhe vdekjen.
- Kontaminimi kimik i ushqimit me pesticide, metale, bifenile të polikloruar, hidrokarbure aromatike policiklike, mund të shkaktojë sëmundje joinfektive, e para së gjithash këtu mendohet për kancerin, dëmtimet e shëndetit reproduktiv dhe sistemit endokrin. Për këto ekzistojnë prova shkencore të sigurta të marra gjatë avarive industriale dhe incidentet me ushqim të kontaminuar me substanca kimike.
- Sëmundjet e shkaktuara nga ushqimi jo i sigurt, sëmundjet infektive ose joinfektive pengojnë zhvillimin socio-ekonomik, ngarkojnë sistemin shëndetësor, por mund të dëmtojnë edhe ekonominë e një vendi, bujqësinë, turizmin dhe tregtinë.