Dita Botërore pa duhan, 2021: Përkushtoju lënies së duhanit

31 maj 2021

OBSH pak kohë më parë filloi një fushatë globale njëvjeçare për Ditën Botërore pa duhan 2021 – – „Përkushtoju lënies së duhanit“. Kjo fushatë ka për qëlllim të mbështesë 100 milionë njerëz në mbarë botën në përkushtimin e tyre për ta lënë duhanin, e gjithë kjo nëpërmjet nismave të ndryshme dhe zgjidhjeve të ndryshme digjitale. Kjo do ndihmojë në krijimin e mjediseve më të shëndetshme që janë më të përshtatshme për lënien e duhanit, dhe atë duke:

  • Promovuar politika për lënien e duhanit
  • Promovuar një qasje më të madhe në shërbime për ndihmesë gjatë lënies së duhanit
  • Ngritur vetëdijen për taktikat e industrisë së duhanit
  • Ofruar mbështetje për përdoruesit e duhanit për të dalë të sukseshëm në tentativat e tyre për ta lënë duhanin

 

Pandemia me COVID – 19 ndikoi që miliona duhanpirës të duan ta lënë duhanin. Megjithatë kjo është një sfidë, sidomos nëse merren parasysh streset e tjera shtesë, ekonomike dhe sociale, të cilat i shkakton pandemia.

 

Në të gjithë botën, rreth 780 milion njerëz thonë se duan të lënë duhanin, por vetëm 30% kanë qasje në mjete që mund t’i ndihmojnë ata të kapërcejnë varësinë fizike dhe mendore që shkakton duhani. Së bashku me partnerët, OBSH-ja do t’u sigurojë njerëzve mjetet dhe burimet e nevojshme për një shkëputje të suksesshme nga duhani.

 

Lënia e duhanit  ka përfitime të mëdha për shëndetin

 

Lënia e duhanit ka përfitime të menjëhershme dhe afatgjata shëndetësore. Vetëm 20 minuta pas lënies së duhanit, bie ritmi i rrahjes së zemrës tuaj. Brenda 12 orëve, niveli i monoksidit të karbonit në gjak bie në nivel normal. Brenda 2–12 javësh, përmirësohet qarkullimi I gjakut dhe rritet funksioni i mushkërive. Brenda 1-9 muajve, kollitja dhe vështirësitë në frymëmyrrje zbuten. Brenda 5-15 viteve, rreziku i goditjes në tru zvogëlohet po aq sa rreziku i një jo-duhanpirësi. Për 10 vjet, shkalla e vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive të një duhanpirësi përgjysmohet. Brenda 15 viteve, rreziku nga sëmundjet e zemrës është si ai i një jo-duhanpirësi.

 

Politikat dhe kapacitetet për lënien e duhanit në Rajonin Evropian të OBSH-së duhet të përmirësohen

 

Politikat për lënien e duhanit ende janë ndër më pak të zbatuarat nga të gjitha Konventat kornizë të OBSH-së për masat për zvogëlimin e përdorimit të duhanit, me vetëm 8 vende që ofrojnë shërbime për lënien e duhanit  e nga të cilat numri më i madh janë vende me të ardhura të larta.

Qeveritë duhet ta njohin këtë nevojë të paplotësuar dhe të veprojnë sipas saj si pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse për kontrollin e duhanit. Ndërhyrjet për të lënë duhanin në nivelin e popullsisë duhet të jenë një prioritet për të gjitha vendet. Në të njëjtën kohë, duhet të inkurajohet inovacioni dhe duhet të përdoren teknologjitë celulare për të përmirësuar qasjen dhe për të arritur deri tek një numër më i madh i popullsisë.

 

 

Zgjidhje dixhitale që do të ndihmojnë 1.3 miliardë duhanpirës në të gjithë botën të lënë duhanin  

 

 

OBSH ka vendosur një iniciativë të re për lënien e duhanit, e cila u siguron njerëzve, ndër të tjera, qasje falas në këshillim digjital. OBSH-ja ka bashkëpunuar me kompani teknologjike si Facebook, WhatsApp dhe Soul Machines për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të mbështetur përdoruesit e duhanit që të lënë duhanin me ndihmën e chatbots dhe profesionistëve shëndetësor. Për shembull, Firenca, një konsulent digjital i bazuar në inteligjencën artificiale, i ndihmon njerëzit të zhvillojnë një plan të personalizuar për lënien e duhanit dhe i udhëzon ata në aplikacionet e disponueshme për celularë dhe linjat falas për lënien e duhanit që janë në dispozicion në vendet e tyre. Kurse WhatsApp’s Quit Challenge, lejon përdoruesit e regjistruar të duhanit të kenë qasje në mesazhe falas se si të lënë duhanin, direkt në telefonat e tyre celular.

Këto dhe mjete të tjera globale dhe rajonale për lënien e duhanit do të prezantohen si pjesë e fushatës për Ditën Botërore pa Duhan 2021, e cila edhe një herë do theksojë se shërbimet e forta për lënien e duhanit, shpëtojnë jetë dhe kursejnë para.

al pusenje poster 500 x 700 mm-1