Duhani – rrezik për zhvillimin
Çdo vit, në 31 maj, OBSH dhe partnerët e sa e shënojnë Ditën Botërore të luftës kundër duhanit (World No Tobacco Day), duke i theksuar rreziqet shëndetësore dhe rreziqet e tjera që mund të vinë nga përdorimi i duhanit, dhe duke u angazhuar për politika efektive për zvogëlimin e përdorimit të duhanit.
Tema e Ditës Botërore të luftës kundër duhanit për vitin 2017 është ” Duhani – rrezik për zhvillimin”.
Fushata
Do i prezantojë rreziqet dhe kërcënimet që burojnë nga industria e duhanit e që ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të të gjitha vendeve, përfshirë këtu shëndetin dhe mirëqenien ekonomike të qytetarëve të tyre
Do propozojë masa të cilat duhet t’i ndërmarrin qeveritë dhe popullata për të promovuar shëndetin dhe zhvillimin gjatë përballjes me krizën me duhanin.
Kjo fushatë ka për qëllim
Të theksojë lidhshmërinë mes përdorimit të produkteve të duhanit, kontrollimit të duhanit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Të nxisë vendet për ta inkuadruar kontrollin e duhanit në veprimet e tyre kombëtare si pjesë e Agjendës për zhvillim të qëndrueshëm 2030.
Të mbështesë vendet anëtare dhe shoqërinë civile në luftën kundër ndërhyrjes së industrisë së duhanit në proceset politike, që të mund të realizohet një aksion nacional më i fuqishëm për kontrollimin e duhanit.
Të nxisë një pjesëmarrje më të gjerë të popullatës dhe pjesëmarrje të partnerëve në tentativat nacionale, rajonale dhe ndërkombëtare për zhvillim dhe implementim të strategjive dhe planeve për zhvillim, si dhe realizimin qëllimeve që u japin prioritet aksioneve për kontrollimin e duhanit.
Të prezantojë se si individët mund të kontribuojnë për krijimin e një bote të qëndrueshme dhe pa duhan, qoftë përmes mospërdorimit të produkteve të duhanit, ose me lënien e pirjes së duhanit.
Kontrolli ndaj duhanit e mbështet shëndetin dhe zhvillimin
OBSH u bën thirrje vendeve t’i japin prioritet dhe t’i përshpejtojnë aktivitetet për kontroll të duhanit, si pjesë e reagimit të tyre në pajtim me Agjendën për zhvillim të qëndrueshëm 2030.
Nga kontrollimi i suksesshëm i epidemisë të duhanit përfitojnë të gjitha shtetet, para së gjithash përmes mbrojtjes së qytetarëve nga dëmet që i shkakton përdorimi i duhanit, dhe përmes zvogëlimit të bilancit ekonomik të ekonomive nacionale. Agjenda për zhvillim të qëndrueshëm, dhe 17 qëllimet e saj globale (SDG-Sustainable Development Goals), kanë për qëllim të sigurojnë se “askush nuk do lihet pas dore”.
Kontrollimi i duhanit është përcaktuar me Agjendën për zhvillim të qëndrueshëm. Ajo konsiderohet si një nga mjetet më efikase për realizimin e qëllimit 3.4 të SDG që është zvogëlimi për 1/3 i numrit të vdekjeve të parakohshme si pasojë e sëmundjeve joinfektive (NCDs) në rrafsh global deri në vitin 2030. Përforcimi i zbatimit të Konventës Kornizë për Duhanin në të gjitha vendet është një qëllim shtesë i cili duhet plotësuar nga qeveritë të cilat zhvillojnë mënyra nacionale për veprim dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Kontrollimi i duhanit ndihmon në arritjen edhe të qëllimeve të tjera globale
Përveç shpëtimit të jetëve njerëzore dhe zvogëlimit të pabarazive shëndetësore, kontrollimi gjithëpërfshirës i duhanit nënkupton edhe ndikimet negative ndaj mjedisit jetësor si pasojë e kultivimit të duhanit, prodhimit, tregtimit dhe konsumimit të tij.
Kontrollimi i duhanit mund ta ndërpresë ciklin e varfërisë, të kontribuojë në zhdukjen e urisë, të promovojë një bujqësi dhe rritje ekonomike të qëndrueshme si dhe të luftojë kundër ndryshimeve klimatike. Rritja e tatimeve për produktet e duhanit gjithashtu mund të shfrytëzohet për financimin e kujdesit shëndetësor universal dhe për programe të tjera zhvillimore të qeverisë.
Për përforcimin e përpjekjeve për kontrollim të duhanit nuk duhen angazhuar vetëm qeveritë, edhe njerëzit mund të japin kontributin e tyre në nivel individual për krijimin e një botet të qëndrueshme pa duhan. Njerëzit duhet të mundohen që të mos i përdorin produktet e duhanit. Ata që janë përdorues aktiv të tyre duhet të heqin dorë nga pirja e duhanit, në rast nevoje edhe të kërkojnë ndihmë, me çka do e mbrojnë shëndetin e tyre, si dhe të personave të ekspozuar ndaj tymit të cigareve që i pinë ato, përfshirë këtu fëmijët, anëtarët e tjerë të familjes dhe miqtë. Paratë që nuk do shpenzohen për të blerë produkte të duhanit, mund të përdoren për të blerë ushqim të shëndetshëm, mbrojtje shëndetësore dhe në arsim.
Fakte për duhanin, kontrollimin e duhanit dhe qëllimet zhvillimore
Rreth 6 milionë njerëz vdesin nga përdorimi i duhanit për çdo vit, e nëse nuk ndërmerren masa konkrete pritet që ky numër deri në vitin 2030 të rritet deri në 8 milionë njerëz në vit. Duhani paraqet kërcënim, për të gjithë, pa dallim të gjinisë, rasës, kulturës dhe nivelit arsimor. Ai shkakton vuajtje, sëmundje dhe vdekje, varfërim të familjeve dhe ekonomive kombëtare.
Përdorimi i duhanit u shkakton shpenzime të mëdha ekonomive të shteteve, përmes rritjes së pari të shpenzimeve për mbrojtje shëndetësore dhe zvogëlim të produktivitetit. Përkeqësohet pabarazia shëndetësore dhe rritet varfëria, sepse të varfrit shpenzojnë më pak për nevojat e tyre elementare, si ushqimi, arsimimi dhe mbrojtja shëndetësore. Rreth 80% e vdekjeve të parakohshme nga përdorimi i duhanit ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të ardhura mesatare, me çka rriten sfidat për arritje e qëllimeve të tyre për zhvillim.
Kultivimi i duhanit kërkon sasi të mëdha të pesticideve dhe plehrave artificial, që mund të jenë toksike dhe ta ndotin ujin për pije. Për çdo vit, për kultivimin e duhanit përdoren 4,3 milionë hektarë tokë, që shkakton zvogëlimin e sipërfaqeve pyjore nga 2-4%. Prodhimi i duhanit gjithashtu shkakton edhe 2 milionë mbeturina të ngurta.
Konventa kornizë për kontrollimin e duhanit (WHO FCTC) udhëheq me luftën globale kundër epidemisë të duhanit. WHO FCTC paraqet një marrëveshje ndërkombëtare mes 180 anëtarëve (179 vende dhe Bashkimi Evropian). Sot, më shumë se gjysma e vendeve në botë, që paraqesin pothuajse 40% të popullatës botërore (2,8 miliard njerëz), kanë zbatuar së paku një nga masat më të njohura efektive të WHO FCTC në nivel më të lartë. Gjithnjë e më shumë vende po krijojnë bllokada për tu mbrojtur nga ndërhyrjet e industrisë së duhanit në politikat qeveritare për kontrollimin e duhanit.
Me rritjen e tatimeve për produktet e duhanit në rrafsh global për vetëm 1 dollar, mund të ndahen 190 miliardë dollarë për zhvillim. Tatimet e larta për duhanin krijojnë të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit, e zvogëlojnë kërkesën për duhan dhe janë një burim i rëndësishëm për financimin e aktiviteteve për zhvillim.