Republika e Maqedonisë çdo vit e shënon ditën ndërkombëtare të gruas – 8 Marsin. Kjo është dita kur shënohet lufta e grave për barazi ekonomike, politike dhe shoqërore. 8 Marsi si ditë ndërkombëtare është caktuar nga ana e Kombeve të bashkuara, për ta shënuar rolin e gruas në histori, si dhe luftën e saj për barazi, drejtësi, paqe dhe zhvillim.  Kërkesat e organizuara të gruas për barazi gjinore, pjesëmarrje në jetën shoqërore, si dhe për të drejta të barabarta me burrin u parashtruan në shekullin e 20 nga Partia socialiste e Amerikës. Simbolika e kësaj feste është aktualizimi i kërkesave për përmirësim të kushteve në të cilat punojnë gratë, si dhe përmirësim në aspektin e cilësisë të statusit të tyre socio-politik në shoqëri.

Këtë vit, dita ndërkombëtare e gruas do shënohet nën moton – “Të punojmë për barazi!” Kjo do të thotë se të gjithë, edhe burrat edhe gratë, duhet të veprojnë e të angazhohen për ndërmarrjen e aktiviteteve konkrete për të ndihmuar arritjen e barazisë gjinore, që nënkupton që gratë dhe vajzat të ndihmohen për t’i realizuar ambiciet e tyre, të arrihet baraspeshë në postet udhëheqëse (edhe për gratë edhe për burrat), të respektohet dhe vlerësohet diverziteti, dhe gratë të mund t’i punojnë profesionet që kryesisht i bëjnë burrat. Secili nga ne mund të jetë lider në fushën e vet të veprimit, me qëllim që të promovohet dhe arrihet barazia gjinore.

Republika e Maqedonisë punon në të gjitha fushat – ekonomike, politike, sociale dhe shëndetësore, për të përmirësuar dhe lehtësuar jetën e  secilës grua në këtë shoqëri. Ministria e punës dhe politikave sociale ka krijuar një Sektor për mundësi të barabarta për ta përmirësuar statusin e gruas në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe për të mundësuar mundësi të barabarta për gratë dhe burrat, në rrafsh shtetëror dhe lokal. Sektori për mundësi të barabarta përmes bashkëpunimit me institucionet kompetente në vend, si dhe në bashkëpunim me sektorin civil dhe partnerët shoqëror, në mënyrë aktive punon për promovimin e mundësive të përbashkëta për gratë dhe burrat. Sektori është përgjegjës për zbatimin e rregulloreve ligjore në Republikën e Maqedonisë, Ligjit për mundësi të barabarta për gratë dhe burrat dhe Strategjisë për barazi gjinore 2013-2020. Parandalimi dhe mbrojtja nga çfarë do lloj dhune dhe diskriminimi janë një pjesë e aktiviteteve të këtij sektori. Republika e Maqedonisë i ndjek dhe punon në pajtim me këto deklarata dhe konventa ndërkombëtare:

  • Deklarata universale për të drejtat e njeriut
  • Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave
  • Konventa evropiane për të drejtat e njeriut
  • Konventa për luftën kundër trafikimit me njerëz dhe krimit të organizuar transnacional, dhe
  • Protokolli i Palermos në Këshillin e Evropës për luftën kundër trafikimit me njerëz.

Në mundësitë e barabarta dhe të drejtat e grave bën pjesë edhe shëndeti i tyre, për të cilin duhet punuar shumë. Shëndeti paraqet një gjendje të mirëqenies emocionale, sociale, kulturore, shpirtërore dhe fizike e grave që njëkohësisht është e përcaktuar në statusin e tyre shoqëror dhe ekonomik, si dhe në karakteristikat e tyre biologjike. Realizimi i kësaj të drejte është e një rëndësie të madhe për jetën dhe mirëqenien e tyre, si  dhe për mundësinë për të marrë pjesë në të gjitha sferat e jetës private dhe asaj publike.

Kjo e drejtë e grave është njohur në shumë instrumente ndërkombëtare. Në Konventën për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, e drejta për shëndet të grave është e rregulluar në nenin 12, që thotë: “1. Vendet anëtare ndërmarrin masa përkatëse për eliminimin e diskriminimit ndaj grave në fushën e mbrojtjes shëndetësore që në bazë të barazisë të grave dhe burrave të mund të sigurojnë qasje në shërbimet shëndetësore, përfshirë këtu edhe ato që kanë të bëjnë me planifikimin e familjes.  2.  Vendet anëtare gjatë shtatzënisë, lindjes dhe në periudhën pas lindjes së fëmijës, në rast nevoje, grave ju sigurojnë shërbime adekuate shëndetësore falas dhe ushqim adekuat gjatë shtatzënisë“. Dokumente të tjera të rëndësishme në këtë fushë janë: Deklarata universale për të drejtat e njeriut Deklarata e Pekinit dhe platforma për veprim, Rezoluta 1325 e Këshillit të sigurisë pranë KB për gratë, paqen dhe sigurinë, Deklarata e mileniumit, Qëllimet zhvillimore të Mileniumit etj. Nevojat e grave sa i përket shëndetit dhe mbrojtjes shëndetësore njihen dhe rregullohen me legjislacionin  në vend, para së gjithash me Ligjin për mbrojtje shëndetësore, Ligjin për mbrojtje të të drejtave të pacientit, si dhe me Programet e Qeverisë të RM-së që janë nën kompetencat e Ministrisë së shëndetësisë, e sidomos Programin vjetor nacional për shëndet publik, Programin për zbulim të hershëm të sëmundjeve malinje, Programin për mbrojtje shëndetësore aktive të nënave dhe fëmijëve në RM, Programin shëndet për të gjithë, në të cilët janë paraparë aktivitete për promovimin e shëndetit të gruas, kontrolle të rregullta preventive, skrining për kancerin e gjirit, kancerit në qafën e mitrës, kancerit kolorektal, etj.

Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë punon për promovimin e shëndetit të vajzave, nënave dhe të gjitha grave në përgjithësi nëpërmjet zbatimit të programeve, detyrave dhe aktiviteteve të shumta. Për çdo ditë ndiqen kontrollet sistematike të grave, kontrollet preventive që bëhen në terren në mjediset urbane dhe rurale, dhe në vende ku ka mungesë të mjekëve. Përgatiten dhe shpërndahen broshura dhe udhëzues me tema të ndryshme në lidhje me shëndetin e gruas dhe të të gjithë popullatës që shpërndahen në territorin e mbarë vendit. Organizohen dhe realizohen shumë fushata dhe evenimente që ndihmojnë të arrihet deri te popullata më e gjerë. Instituti i shëndetit publik një vëmendje të veçantë i kushton nënave, me ç’rast përveç broshurave dhe materialeve informative për nënat dhe rolin e prindërve të rinj në rritjen e fëmijëve, punohet edhe në rritjen e numrit të grave që kanë përzgjedhur gjinekolog amë tek i cili bëjnë kontrolle të rregullta, dhe në mënyrë më të shenjtë veprohet përmes infermiereve patronazhe të cilat tërë kohën janë në terren, i informojnë dhe u japin udhëzime grave se si të veprojnë. Në kuadër të promovimit të shëndetit  ndiqet dhe promovohet puna edhe me gratë rome në terren me ndihmën e ndërmjetësve shëndetësor romë, si dhe përmes Institutit të shëndetit publik që me Sektorin për promovim, analizë dhe mbikëqyrje të sëmundjeve joinfektive punon në koordinimin  e punës të këshillimoreve për shëndet seksual dhe reproduktiv dhe këshillimoret për lënien e duhanit, në kuadër të 10 qendrave të shëndetit publik.

Krahas aktiviteteve të organeve qeveritare, edhe ato joqeveritare kanë një pjesëmarrje aktive kur bëhet fjalë për të drejtat e grave. Kështu, “Platforma për barazi gjinore” e cila në fakt  paraqet një shoqatë të qytetarëve të motivuar nga pozita e margjinalizuar e grave në Republikën e Maqedonisë, që kanë për qëllim të identifikojnë nevojën për një veprim të përbashkët për arritjen e barazisë gjinore në vend, u themelua me nënshkrimin e Deklaratës për barazi gjinore.   Kjo shoqatë është krijuar si reagim ndaj vlerave patriarkale, dallimit në ndarjen e të mirave shoqërore dhe pushtetit, statusin e margjinalizuar social, ekonomik dhe politik të grave në Republikën e Maqedonisë. Platforma vepron në gjithsej gjashtë fusha, dhe atë: në ekonomi, arsim, të drejtat reproduktive dhe shëndet, dhunën e bazuar në gjini, qasje në shërbime pas përjetimit të ndonjë akti të dhunës, politikë sociale dhe pjesëmarrjen e gruas në politikë.

Literatura e shfrytëzuar:

  1. Konventa për eliminim të të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave dhe Protokolli i saj fakultativ, Kombet e Bashkuara, 2003
  2. iph.mk – ISHP Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë
  3. rodovaednakvost.gov.mk – Sektori për mundësi të barabarta pranë Ministrisë të punës dhe politikës sociale
  4. esem.org.mk – Shoqata për emancipim, solidaritet dhe barazi të grave.
  5. internationalwomensday.com

PËRGATITI: Sektori për promovim, analizë dhe mbikëqyrje të sëmundjeve joinfektive